Dy persona janë vënë në pranga në Vlorë pasi shisnin lëndë narkotike, që arrijnë një vlerë prej 810 mijë eurosh.
Në pranga kanë rënë shtetasit Viktor Jaupaj, 53 vjeç, dhe Kujtim Metaj, 37 vjeç, të dy banues në Fier. Ata u lokalizuan dhe u ndaluan nga policia e Vlorës në Novoselë, ku gjatë aksionit në mjetin e tyre u gjet dhe sekuestrua një sasi kokaine, që dyshohet se do të shitej në qytetin bregdetar.
Po ashtu, policia ushtroi kontrolle dhe në banesat e dy të arrestuarve, ku gjeti dhe sekuestroi kokainë dhe heroinë. Në total, blutë e Vlorës sekuestruan rreth 3.4 kilogramë kokainë dhe 133 gramë heroinë, me vlerë rreth 810 mijë euro.
Nga hetimet, ka rezultuar se dy shtetasit e arrestuar siguronin lëndë narkotike në sasi të mëdha në Fier dhe më pas e transportonin drejt Vlorës, ku ua shisnin shtetasve të tjerë, të cilët e shpërndanin në doza.
Gjithashtu, policia sekuestroi 3 peshore elektronike, 3 celularë dhe automjetin që këta shtetas përdornin për transportin e lëndës narkotike, ndërkohë që vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në veprimtarinë kriminale.
Top Channel