Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, i është përgjigjur kërkesës së PD për të futur në listat e zgjedhësve edhe ata emigrantë shqiptar që nuk kanë asnjë dokument identifikimi shqiptar.
Ai tha se mazhoranca është dakordësuar me PD për ndryshimet e bëra në kod për votën e diasporës.
Sipas socialistit, këto kërkesa bëhen pasi PD e ka kuptuar se nuk arrin dot që të jetë e besueshme që të votohet nga diaspora.
‘Në 2024 ne negociuam çdo detaj se si do të realizohet vota e diasporës, jam unë ai që kam pasur barrën nga mazhoranca për tu ulur na tavolinë me ju për një produkt të përbashkët. Ramë dakord që ata shtetas që jetonin jashtë vendit të votojnë me një nga dokumentet e identifikimit të vlefshëm shqiptar. Kjo ishte marrëveshja që bëmë dhe këtë shkruam edhe në kod. Nga doli kjo që kanë ngel edhe 150 mijë që s’kanë asnjë dokument, nga doli ky merak njëherë. Ata që s’kanë dokumente, s’kanë si regjistrohen sepse sistemi duhet që të dhënat të jenë në sistemin e gjendjes civile. Nga dalin këto kërkesa. Qëllimi është i qartë, ju jeni penduar, ju nuk arrini dot që ti bindni. Nuk jeni të besueshëm dhe del varianti tjetër. Për ju ka rëndësi që të justifikohet humbja dhe të gjendet një alibi për të, por treni i votës së diasporës është nisur dhe ju se ndalni dot. Ju jeni penduar sepse nuk arrini dot që t’i bindni ata dhe gjeni një justifikim, doni ta vrisni këtë proces. Ju bashkë me mua e keni bërë kodin, pse e kërkoni tani këtë, sepse s’ju dalin llogaritë’, tha ai.
Top Channel