Nga Kim Mehmeti
Dikur moti, BDI-ja u lëvdua me arritjen e madhe që kufirin shqiptaro – shqiptarë, pra atë me Kosovën, qytetarët e Maqedonisë ta kalojnë vetëm me letërnjoftime.
Naiv siç kemi qenë gjithmonë, besuam se nga Shkupi në Prishtinë do mund të shkonim pa pengesa e pa humbur kohë, por ndërkohë ndodhi e kundërta: u zgjatën kolonat e makinave që me orë të tëra pritnin që ta kalonin kufirin e Maqedonisë.
Mëkot ankoheshim për pritjet abnormale, ngaqë gjatë pjesëmarrjes së tyre njëzetvjeçare në qeveri, për kryetrarin e BDI’së – njësoj si për VLEN’istët e sotëm – Maqedonia ishte shteti ku jetonin shqiptarët e lumtur të kësaj bote. Dhe tani kur mbeti në opozitë, kur nuk mund të majmet duke ngrënë në grazhdin e shtetit – siç do ndodhë edhe me VLEN’istët kur do të mbeten jashtë qeverisë – ai përnjëherë i vëren të gjitha të metat dhe gjithë antishqiptarinë e këtij shteti.
Tani pra pjesë e qeverisë së Maqedonisë është VLEN’i i pavlerë shqiptarë, që premtoi se me ardhjen e tyre në pushtet çdo gjë do jetë më ndryshe seç ishte gjatë qeverisjes së BDI-së.
Dhe e mbajtën fjalën; sot thuajse çdo gjë është më keq seç ishte gjatë epokës vasale të BDI-së!
Më keq sot është edhe në vendkalimin kufitarë të Bllacës, ku kolonat e veturave që presin ta kalojnë kufirin dhe të futen në Kosovë, janë kilometrike.
Sidoqoftë duhet pranuar: fatkeqësia e shqiptarëve të Maqedonisë nuk janë politikanët e tyre që kanë pranuar të jenë vasal të sunduesit maqedonas.
Shqiptarët e këtushëm janë të pafat sepse nuk kanë atë me të cilën legjitimohet një popull dhe pa të cilën populli mbetet pa fizionomi – elitat që do u kundërviheshin politikanëve të pafytyrë!
Pra shqiptarëve të këtushëm nuk ka kush u shpjegon se përderisa je vasal, të lejohet ta zhvatësh popullin tënd. por jo edhe ajo që i mundësohet vetëm sunduesit – të marrësh pjesë në rregullimin e shtetit.
Top Channel