Shkeljet në garën për drejtorin e RTSH bëjnë bashkë maxhorancën me opozitën, deputetja e PS: Këshilli Drejtues të rikthejë normalitetin, ndryshe marrim masa drastike

28/01/2025 11:50

Nënkryetarja socialiste e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit, Evis Kushi i ka kërkuar sot Këshillit Drejtues të RTSH-së të rikthejë normalitetin në këtë institucion lidhur me garën për drejtuesin e televizionit publik.

Reagimi i fortë i maxhorancës ka ardhur një ditë pasi Këshilli Drejtues skualifikoi në mënyrë të paligjshme tetë nga dhjetë kandidatët në garë, mes të cilëve edhe emra të njohur të gazetarisë si Eni Vasili, ndërkohë që i dha të drejtë të vazhdojnë kandidimin vetëm dy zyrtarëve aktualë të RTSH-së.

Evis Kushi paralajmëron se në rast se Këshilli Drejtues nuk do të lejojë garën e hapur, Parlamenti do të ndërhyjë duke marrë masa drastike.

“Nuk ndodh shpesh të jem dakord me kolegen Ina Zhupa, por pasi jam njohur me zhvillimet në RTSH nuk i heq dot asnjë presje reagimit të saj. I bëj thirrje Këshillit Drejtues të kthejë menjëherë situatën në normalitet dhe të lejojë garën e hapur, transparente e meritokratike. E kundërta do të ishte vetëasgjësim i Këshillit dhe Parlamenti do të detyrohej të ndërhynte në mbrojtje të lirisë dhe të drejtës së garës, duke marrë masa drastike që ne nuk i dëshirojmë”, shkruan Kushi.

Një ditë më parë Këshilli Drejtues i dha të drejtë të vazhdojnë kandidimin vetëm dy zyrtarëve aktualë të TVSH-së, drejtoresha e komanduar Aurora Polo dhe drejtori i RTSH-së në Shkodër, Jetmir Shpuza, teksa u skualifikuan nga gara edhe Laureta Roshi, Kliton Rama, Enrik Mehmeti e Harrilla Koçi.

Në mbledhje, në kundërshtim me ligjin për mediet audiovizive dhe të statutit të Radio Televizionit Shqiptar, anëtarët e Këshillit kryen një votim pa diskutuar kriteret që plotëson ose jo secili kandidat!

Nga ana tjetër votimi konsiderohet i paligjshëm e për rrjedhojë i pavlefshëm sepse Kryetari i Këshillit dhe vetë anetarët kanë lejuar të votojë online njëri prej anëtarëve të Këshillit Drejtues, që gjendet në Vietnam, në një kohë që votimi duhet të ishte i fshehtë.

Lidhur me procesin e votimit reagoi edhe kryetarja demokrate e komisionit të Medias, Ina Zhupa, që e quajti çmenduri vendimmarrjen e Këshillit Drejtues të RTSH-së.

“Këshilli Drejtues shpik rregulla që nuk ekzistojnë, skualifikon 8 kandidat që plotësojnë çdo kriter ligjor duke shkelur ligjin. Nuk ekziston në ligj votim për tu futur apo jo në votim!!! Thjesht garë dhe votim për të zgjedhur drejtorin mes atyre që plotësojnë kriteret ligjore! Ku e kanë gjetur në ligj metodën e skualifikimit kur plotëson kriteret ligjore? Skualifikimi eshte kur nuk plotëson kriteret, ndryshe je në garë”, reagoi Zhupa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA