Studentët e universiteteve të Serbisë nisën të hënën një bllokadë 24-orëshe të trafikut në Beograd, duke shtuar trysninë ndaj autoriteteve rreth shembjes vdekjeprurëse të një çatie në një stacion treni në muajin nëntor, që la pas vetes 15 të vdekur.
Fermerë serbë me traktorë dhe mijëra qytetarë iu bashkuan bllokadës që pasoi protestat shumë javëshe, në të cilat kërkohet përgjegjësi për aksidentin vdekjeprurës në qytetin verior të Novi Sadit, për të cilin kritikët fajësojnë korrupsionin e shfrenuar të qeverisë.
Policia rrugore siguroi të hënën bllokadën e studentëve për të shmangur ndonjë incident. Studentët protestues ngritën tenda në vendin e protestës, i cili është një kryqëzim i rëndësishëm në kryeqytet.
Disa studentë luanin volejboll, të tjerë u ulën në batanije në trotuar ose shëtisnin në rrugë. Studentët mbajtën gjithashtu një heshtje 15-minutëshe përkujtimore në orën 11:52, pikërisht në të njëjtën kohë kur çatia në një stacion treni në Novi Sad u rrëzua më 1 nëntor.
Po sot, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri Millosh Vuçeviç dhe kryetarja e parlamentit, Ana Bërnabiç, paralajmëruan se do të marrin “vendime të rëndësishme” për situatën.
Top Channel