Rekordet në turizëm/ 11.7 milionë turistë vizituan vendin, rritja më e madhe në dimër

25/01/2025 20:54

Rreth 11.7 milionë të huaj vizituan vendin tonë në vitin që lamë pas, 15.2% më shumë se një vit më parë, duke shënuar një rekord të ri.

Tashmë Shqipëria ka hyrë në epokën e turizmit gjithëvjetor, pasi edhe shifrat e konfirmojnë se rritja më e madhe e numrit të turistëve nga një vit më parë erdhi gjatë muajve të dimrit.

Në muajin shkurt rritja e turistëve ishte me 55%, ndërsa edhe marsi pati një rritje të konsiderueshme me 47%. Ndërkohë në muajt e verës numri i turistëve qëndroi pothuajse në të njëjtat shifra të një viti më parë përveç gushti me rritje 7%. Në muajt e mbetur të vitit rritja vijoi të mbetej në pothuajse të njëjta nivele, përveç nëntorit me rritje dyshifrore.

Nga grafiku i hyrjes së shtetasve të huaj shihet qartë se gjatë sezonit të verës Shqipëria pati një perfomancë poshtë pritshmërive, ndërsa turistët po shfrytëzojnë periudha jashtë sezonit për të udhëtuar me çmime të lira në vendin tonë.

Sa i përket origjinës së turistëve, INSTAT bën me dije se Europa Jugore ishte në krye të vizitorëve me gati 8.5 milionë banorë, ku kryesojnë shtetasit nga Italia dhe Kosova. (TAB 3) Grupi i dytë më i madh ishin nga Europa Perëndimore dhe më pas ata nga Europa Qëndrore dhe Lindore. Sa i përket ndryshimit vjetor të grupeve të turistëve shihet një rritje me gati 3 herë nga turistët që vijnë nga Afrika, si edhe me gati dy herë nga Azia Jugore. Ndërkohë lufta në Lindjen e Mesme ndikoi negativisht duke ulur numrin e turistëve nga ky rajon.

Ky ka qenë një nga vitet rekord të turizmit, ndërsa jehona për brigjet dhe bukuritë shqiptare po vijon edhe gjatë 2025-ës në mediat prestigjioze ndërkombëtare duke sinjalizuar një tjetër vit të mirë për sektorin që po bëhet në një nga kontribuesit kryesorë të rritjes ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA