Gazetarja e Top Channel, Kleida Muka ka siguruar foton e 48-vjeçarit Lulzim Visha, i cili u vra gjatë atentatit një ditë më parë në Kamëz.
Ai punonte si postier dhe 200 metra larg banesës së tij në Zall Mner u qëllua me breshëri arme, ndërsa ndodhej brenda makinës së kompanisë ku punonte.
Dyshohet se autori apo autorët u pozicionuan në pjesën ballore të makinës, pasi mjeti i viktimës ka shenja të shtënash në këtë pjesë.
Deri më tani në pranga ka rënë një person në lidhje me atentatin ndaj tij, E. Lami, ku në banesë iu gjetën armë dhe municion.
Ishte ora 7:40 e mëngjesit, kur një banor i zonës konstatoi se brenda një automjeti, ishte vrarë një person me armë zjarri dhe më pas lajmëroi policinë.
Viktima, i cili punonte në një postë private, ishte nisur për në punë dhe është qëlluar 200 metra larg banesës së tij.
Policia me të mbërritur në vendin e ngjarjes, arriti të gjente 12 gëzhoja në automjetin ku ndodhej viktima.
Nga dëshmitë paraprake që janë marrë në vendin e ngjarjes, banorët kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar të shtëna dhe kjo ka ngritur dyshimet se arma ka qenë me silenciator.
Pasi grupi hetimor mblodhi provat në vendin e ngjarjes, automjeti i cili ishte bërë shoshë nga plumbat u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Fillimisht hetimet u shtrinë në pistën e hakmarrjes pasi viktima, ishte vëllai i Besnik Vishës, emër i njohur për policinë. Ky i fundit, në vitin 1997 ka vrarë me armë zjarri Refik Domin, ngjarje e ndodhur në afërsi të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Megjithatë, për shkak të viteve të largëta kur ka ndodhur kjo ngjarje, hetimet janë shtrirë edhe në pista të tjera.
Pas ngjarjes, autori është larguar pa lënë asnjë gjurmë me një automjet tip “Porsche” ngjyrë gri, i cili është gjetur i djegur pak orë pas ngjarjes në zonën e Zall Herrit.
Brenda makinës së djegur në Zall Herr është gjetur edhe një armë, ndërsa targat rezultojnë të vjedhura në vitin 2023.
Top Channel