Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar planin e tyre për shëndetësinë.
Ai u shpreh se do të dyfishojnë rrogat për mjekët dhe infermierët, teksa shtoi se do të rritet numri i ilaçeve të rimbursuara e cilësia e tyre.
“Riorganizim tërësor i shërbimit parësor, baza e sistemit. E shpartalluan. Qenë hedhur baza shumë të shëndosha në bashkëpunim me BB dhe OBSH. E zbërthyen.
Sistemi i urgjencës funksionon brenda unazës së vogël të Tiranës. Funksionon si një repart politik, paçka se ka mjekë dhe infermierë që djersitin gjithë ditën. Por e përdor politika në mënyrë të pamëshirë. Marrin fund këto.
Ne synojmë të kapim standardet e OBSH për vende si ne. Synojmë të ecim drejt standardeve më të mira të BE. Nuk do futen në Shqipëri ilaçe që nuk kanë certifikantën e institucioneve më prestigjioze ndërkombëtare evropiane dhe amerikane për përdorimin e tyre dhe që nuk shiten më parë se të hyjnë në Shqipëri në të paktën dy vende anëtare të BE.
Shqiptarët në farmaci do marrin ato ilaçe që blejnë qytetarët europianë në farmacitë e tyre dhe shteti do dyfishojë numrin e barnave që subvencionon, që rimburson. Rimbursimi nga 50 do shkojë drejt 90 përqind. Do kapë standardet.
Pra, kemi folur për paketa emergjente. Kemi deklaruar se çështja e pensioneve dhe rrogave të ulëta është emergjencë.
Deklarojmë sot para shqiptarëve se çështja e shëndetësisë është emergjencë. Rrogat, pa diskutim që do të rriten.
Në mandatet që kishim më parë ne mbidyfishuam rrogat e mjekëve dhe infermierëve. Tani ne do bëjmë që mjekët në Shqipëri të paguhen më mirë se mjekët e tjerë.
Rritim rrogat, krijojmë kushtet dhe shumica nuk kanë asnjë tendencë të largohen, por të shërbejnë në vendin e tyre.
Ndaj dhe ne do shkojmë drejt dyfishimit të rrogave të mjekëve dhe infermierëve dhe rritjes gjersa ata të marrin më shumë se mjekët dhe infermierët në rajon dhe të afrohen me standardin e BE”, tha Berisha.
Top Channel