Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ftoi sipërmarrjet botërore që të prodhojnë produktet e tyre në SHBA dhe u premtoi atyre taksa më të ulëta, por paralajmëroi se nëse zgjedhin që të prodhojnë mallrat diku tjetër, do të duhet të paguajnë tarifa për t’i eksportuar ato në Shtetet e Bashkuara.
“Amerika është rikthyer dhe është e hapur për biznes”, u tha Presidenti Trump, përmes një video-lidhjeje nga Uashingtoni, udhëheqësve të korporatave në takimin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
“Mesazhi im për çdo biznes në botë është shumë i thjeshtë: Ejani dhe prodhoni mallin në Amerikë dhe ne do t’ju ofrojmë taksat më të ulëta në botë”, tha zoti Trump. “Por nëse nuk e prodhoni produktin tuaj në Amerikë, që është e drejta juaj, atëherë, shumë e thjeshtë, do të duhet të paguani një tarifë”.
Presidenti Trump, në ditën e tretë të mandatit të tij të dytë, tha se dëshiron të ulë normën e taksave për korporatat amerikane nga 21 në 15 për qind, megjithëse për këtë duhet miratim nga aleatët e tij politikë në Kongresin e kontrolluar nga republikanët.
Zoti Trump premtoi se Shtetet e Bashkuara do të furnizojnë Evropën me gazin e lëngshëm natyror që i nevojitet, por shtoi se Bashkimi Evropian i trajton Shtetet e Bashkuara “në mënyrë shumë, shumë të padrejtë” me rregulloret që vendos ndaj bizneseve amerikane që operojnë në bllokun prej 27-vendesh.
Presidenti u ankua veçanërisht për tarifat dhe raportet mbi ndikimin mjedisor për projektet e reja në fushën e ndërtimit, duke i cilësuar ato si “gjëra që nuk duhet t’i bëni”.
Ai tha se planifikon t’i kërkojë Arabisë Saudite dhe Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës që të ulin çmimin e naftës që prodhojnë me qëllim që të nxisin ekonominë botërore.
Ai argumentoi se nëse çmimi aktual global i naftës – rreth 77 dollarë për fuçi – ulet, “lufta në Ukrainë do të përfundojë menjëherë”.
Rusia përdor të ardhurat nga prodhimi i naftës së saj për të financuar luftën trevjeçare kundër Ukrainës fqinje.
Zoti Trump tha se në ekonominë botërore, SHBA-të “duan thjesht të trajtohen në mënyrë të drejtë nga vendet e tjera”.
Ai pohoi se Shtetet e Bashkuara duan të kenë një “marrëdhënie të drejtë” me Kinën, ekonominë e dytë më të madhe në botë.
“Ne nuk duam të përfitojmë”, tha ai për marrëdhëniet Uashington-Pekin. “Ne duam të kemi një konkurencë të drejtë”./ VOA
Top Channel