KQZ miratoi sot projektvendimin për ndarjen e mandateve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka përllogaritur ndarjen e mandateve në listë të hapur dhe të mbyllur në 12 qarqet e vendit.
Sipas formulës që do aplikohet për herë të parë në zgjedhjet e pranverës, 46 deputetët e parë të çdo subjekti garues do jenë produkt i listës së mbyllur ku renditjen e ka caktuar kryetari, ndërkohë vetëm partitë që arrijnë të marrin një numër mandatesh që tejkalon listën e mbyllur do kenë mundësi të çojnë në Kuvend deputetë si preferencë e qytetarit.
Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, partitë politike duhet të gjejnë 186 kandidatë, pasi ndonëse garohet për 140 ulëse në Parlament, ndarja e listës së kandidatëve në dy pjesë, një e fiksuar dhe pjesa tjetër e hapur, detyron subjektet garuese të paraqesin më shumë emra.
Sipas vendimit të KQZ, parashikohet që partitë politike të paraqesin një listë të ndarë në dy pjesë, ku 46 do të jenë në pjesën e mbyllur ndërsa 140 në pjesën e hapur, ku do të garohet për çdo votë.
Top Channel