“Më dhatë helmin pa më dëgjuar”/ Akademiku Fuga, letër të hapur anëtarëve të GJK: Pse më përjashtuat nga seanca, jam i rrezikshëm?

21/01/2025 10:49

Akademiku Artan Fuga, i është drejtuar me një letër publike anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me seancën gjyqësore që do të mbahet për shqyrtimin e ndryshimeve ligjore për Akademinë e Shkencave.

Në këtë seancë, akademiku Fuga shprehet se është refuzuar prezenca e tij si person i interesuar për çështjen në fjalë. Fuga rendit arsyet ligjore në cilat raste një person mund të refuzohet nga një seancë dhe shprehet se ‘refuzimi arbitrar, është në kundërshti të hapur me ligjin’.

Nga Artan Fuga, Anëtar i Akademisë së Shkencave

Nuk kam fare hallin e Akademisë së Shkencave, por të Gjykatës Kushtetuese! Letër publike anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë

Të nderuara zonja gjyqtare dhe zotërinj gjyqtarë, Po ju drejtohem me këtë letër publike, aspak për ndonjë interes personal, por me shqetësimin qytetar që ka të bëjë me respektimin e ligjit 45/2021, numër 8577, për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë. Pra, të ligjit që rregullon funksionimin e asaj pjese shumë të rëndësishme të së drejtës që Ju keni marrë përsipër ta zbatoni.

Mbi bazën e të dhënave që disponoj, të siguruara në mënyrë dashamirëse nga burime pranë Kuvendit të Shqipërisë, kam krijuar bindjen se nga moszbatimi me rigororizet i neneve të veçantë të këtij ligji janë prekur të drejtat e mia si qytetar, jam penguar seriozisht në ushtrimin e detyrave të mia zyrtare si anëtar i Akademisë së Shkencave, si edhe ndjej mungesë paanshmërie në qëndrimin tuaj lidhur me një çështje që është shpallur se do të gjykohet nga ajo Gjykatë në datën 22.01.2025.

Bëhet fjalë për shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese e kërkesës së ardhur nga një grup deputetësh të partisë demokratike për shfuqizimin e ligjit N° 69/2023, datë 21.07.2023 mbi disa ndryshime në ligjin për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë. Ky ligj solli së paku dy modifikime të ligjit për Akademinë e Shkencave, pra i lejonte kryetarin dhe zëvendëskryetarin e kësaj Akademie të kandidonin në vazhdimësi  për t’i mbajtur përsëri postet e tyre; si edhe bënte përjashtim për kryetarin e Akademisë së Shkencave që ai të vazhdonte në funksionet e tij edhe përmbi moshën 75 vjeç, çka i ndalohet çdo anëtari tjetër të Asamblesë.

Duhet të sqaroj ju si edhe publikun që unë nuk kam asnjë lidhje, madje edhe asnjë interes, për këtë kërkesë të parashtruar në Gjykatën Kushtetuese nga një grup deputetësh të partisë demokratike. Më specifikisht, deklaroj se nuk është fare në axhendën e veprimeve dhe mosveprimeve të mia aktuale, dhe se e njoh faktin që unë nuk kam mundësi të ve në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, mbi bazën e vet ligjit të saj. Por, sikurse opinioni publik e di mirë, në kohën kur këto ndryshime ligjore po përpunoheshin dhe u votuan në Kuvendin e Shqipërisë, unë jam shprehur hapur kundër tyre. Pa hyrë në analizën e dëmeve që ato ndryshime kanë sjellë,  në atë kohë kam denoncuar projektligjin në fjalë si antikushtetues, alogjik, dhe në kundërshtim me akte të tjera ligjore, si edhe sepse krijonin kundërthënie paradoksale brenda vetë ligjit aktualisht në fuqi për Akademinë e Shkencave.

Theksoj, se denoncimet e mia nuk drejtoheshin aspak kundër ndokujt personalisht, as kundër Akademisë së Shkencave. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse juridikisht ndryshimet ligjore nuk propozoheshin nga ana e Akademisë së Shkencave, por kishin si iniciatorë dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, zz. Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj. Kritikat, denoncimet, kundërshtitë e mia drejtoheshin ndaj formulimeve që këta zotërinj kanë bërë duke sjellë dëme serioze. Kurse sa për funksionimin, rolin dhe administrimin e Akademisë së Shkencave, dihet publikisht qëndrimi im kritik dhe mospajtues, por kjo është një çështje tjetër.

Problemi është se deputetët e partisë demokratike në padinë për shfuqizimit të ligjit në fjalë si antikushtetues, drejtuar Gjykatës Kushtetuese,  kanë kërkuar që si subjekt i interesuar të thirrem edhe unë. Si kurse theksova, kjo nuk ka lidhje me agjendën time aktuale, por me agjendën e partisë demokratike. Por, megjithatë është e drejta e tyre, dhe jo imja, që të kërkojnë thirrjen time në seancën gjyqësore si subjekt i interesuar. A vij apo jo unë, kjo është çështje që më takon mua, jo atyre. Unë as nuk jam pyetur sa më sipër prej tyre, as nuk kam shprehur ndonjë dëshirë që të jem i thirrur.

Shqetësuese për mua personalisht ka qenë pikërisht fakti se Gjykata Kushtetuese, jo në rrugë administrative, por me anë të shqyrtimit të kësaj çështjeje nga trupa e gjyqtarëve, ka refuzuar praninë time në seancë, i thirrur me statusin e subjektit të interesuar për këtë çështje.

Pikërisht ky refuzim arbitrar nga ana e Gjykatës Kushtetuese për të më pranuar si subjekti i interesuar dhe për të marrë pjesë në seancën gjyqësore, çmoj se është në kundërshtim me ligjin, ndërmerret në mënyrë arbitrare, shkel me këmbë të drejtat e mia qytetare të njohura me ligj, më pengon seriozisht në ushtrimin e detyrave të mia të përcaktuara me ligj, si edhe në sytë e mi e kompromenton haptazi paraprakisht paanësinë dhe drejtësinë e gjykimit të kësaj çështjeje.

Mua më është krijuar opinioni se bazuar këtu çështja është paragjykuar përpara sesa të fillojë të gjykohet.

Qofsha i gabuar!

Sipas ligjit që rregullon funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, (Neni 39, pika b,) dhe sipas Rregullores së brendshme të saj , thuhet qartazi dhe prerë se në seancë palët mund të kërkojnë të thirren në gjykim edhe “subjekte… që kanë interes të drejtpërdrejt për çështjen që shqyrtohet”.

Unë jam katërçipërisht një subjekt shumë i interesuar për çështjen që shqyrtohet. Jo nga bindja dhe vlerësimi im subjektiv, por nga statusi normativ dhe juridik që kam. Kështu e ka konsideruar pala ankimuese. Dhe së dyti, mos harroni se unë jam konsideruar si i tillë edhe gjatë procesit të ndërtimit ligjor, me shkresë zyrtare nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Së treti, nuk e di nëse vlen për ju, por ju informoj se jam anëtar i Akademisë së Shkencave, i vetmi që kam shprehur kundërshti ndaj projektligjit të iniciuar nga deputetët e sipërcituar më lart.

Kur ju shpallni si subjekt të interesuar Akademinë e Shkencave, si mund të më përjashtoni mua si anëtar i saj?

Duke shqyrtuar ligjin që rregullon funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, një institucion bazë për të siguruar kushtetutshmërinë e ligjeve në Shqipëri, si edhe Rregulloren e funksionimit të brendshëm të asaj Gjykate, konstatoj se për të përjashtuar dikë nga pjesëmarrja si “subjekt i interesuar” në seancë, duhet të plotësohen disa rrethana. Sipas nenit 29 të Ligjit dhe nenit 22 të Rregullores, këto rrethana janë atëherë kur pala ose subjekti i interesuar rrezikon të cenojë

  • Moralin publik. Keni ju ndonjë arsye që t’ju bëjë të gjykoni se prania ime në seancë cenon moralin publik? Nëse keni lutem të ma thoni publikisht, sinqerisht, se do të vlente edhe për t’u vetë korrigjuar nëpërmjet një autokritike publike të sinqertë.
  • Rendin publik. Unë të cenoj rendin publik? Si ta bëjë këtë duke qenë pjesëmarrës në atë seancë gjyqësore? Nuk më shkon në mendje, aq më shumë që për këta që cenojnë rendin publik ligja ka parashikuar dënime penale.
  • Sigurinë kombëtare. Unë jam patriot, të nderuar gjyqtarë, dhe nuk i shërbej asnjë vendi armiqësor që cenon integritetin territorial apo sovranitetin e atdheut tim. Nuk ma ha kurrë mendja se ju mendoni të kundërtën për mua sepse do të isha zhgënjyer rëndë.
  • Të drejtat e jetës private, të drejtat vetjake ose të shëndetin publik. Edhe sikur të doja që me praninë time të dëmtoja shëndetin publik, ose të shkelja të drejtat vetjake të deputetëve iniciues të projektligjit në fjalë, pra z. Petro Koçi dhe z. Ismet Beqiraj, nuk shoh sesi do të mundesha ta bëja këtë.

Unë mendoj se sipas ligjit në fuqi do të duhej të rrezikoja shoqërinë në njërin nga rastet e lartpërmendura për t’u përjashtuar nga seanca. Por, nuk hyj në asnjë nga ato raste, veç nëse ju keni të dhëna që unë nuk i di.

Në një nga disa shkresat tuaja refuzuese, nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm i asaj Gjykate, z. Eugen Papandile, pikërisht në shkresën datë 20.09.2024, thuhet se masa për  mospranimin tim si subjekt i interesuar kaloi “në vlerësimin e trupës së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.” Dhe kjo : “pavarësisht se (kërkesa) është paraqitur në rrugë administrative.”

Pra, një trupë gjyqtarësh ka cenuar të drejtat e mia si qytetar dhe më ka penguar të kryej detyrat e ngarkuara me ligj!!! E pabesueshme! Jam përjashtuar me vendimin e trupës së gjyqtarëve kushtetues!!!

Nuk do ta besoja kurrë se do të kisha arritur deri në këto maja rrezikshmërie !

Megjithatë, edukata filozofike më ka bërë të dyshoj te bindjet e mia, mos t’i pranoj ato si të vlefshme për të tjerët, pa bërë një verifikim. Si pedagog i një numri studentesh të drejtësisë që sot janë prokurorë, gjyqtarë, pedagogë të studentëve të tjerë të drejtësisë, sikurse janë edhe në gjirin tuaj, iu riktheva me kujdes Ligjit dhe Rregullores që artikulon funksionimin tuaj. Por, si neni 13 i Ligjit, ashtu edhe neni 11 i Rregullores, ndërsa i jep një sërë kompetencash trupës së gjyqtarëve, nuk i njeh asaj asnjë tagër që të refuzojë një subjekt për të qenë në seancë si subjekti i interesuar.

Atëherë me çfarë kompetencash juridike më privon të drejtat e mia qytetare trupa e gjyqtarëve? Mbështetur në cilin nen të Ligjit apo të Rregullores? Dihet se sado e lartë dhe e respektuar të jetë ajo trupë, apo e kundërta, në asnjë rast asaj as mund t’i hiqen kompetenca, as mund t’i japë vetes kompetenca përtej asaj që i kufizon ligji?

Pse të bëhem unë viktima e këtij arbitrariteti?

Habia ime arriti kulmin, mërzia ime do të ishte bërë lartë sa një digë hidrocentrali, sikur të mos kem kohë që e marr me sportivitet shkeljen e të drejtave të mia qytetare, si diçka fatale. Jam bërë stoik si perandori Mark Aurel, që besoj se ju e keni lexuar, ose si skllavi Epiktet që ndofta me shkrimet e tij ju ka rënë në dorë. Me diçka që është fatale duhet bërë çmos të bashkëjetosh, ndryshe sëmuresh, çmendesh, vdes.

Në shkresën e datës 20.09.2024, firmosur po nga z. Eugen Papandile, Gjykata juaj i drejtohet grupit të deputetëve demokratë me fjalinë e çuditshme, të habitshme, të pa mendueshme si më poshtë : “Në lidhje me sa parashtroni për të thirrur z. Artan Fuga në procesin kushtetues ju bëjmë me dije se qëndrimin e tij mund ta bëni pjesë të parashtrimeve tuaja. Parashtrimet si edhe dokumentet/ materialet të paraqiten në aq kopje sa       janë palët…”

Sa do të ma kishte ushqyer mendjemadhësinë sikur grupi parlamentar i partisë demokratike të kishte pasur aq përulësi ndaj meje sa të arrinte në atë pikë sa përpara Gjykatës të lexonte argumentet e mia!

Unë ju pohoj me sinqeritet, se kur kam lexuar këtë sugjerim, jam shkrirë së qeshuri!

Një pyetje therëse më erdhi në tru sapo lexova këtë fjali. Mossss! – thashë me vete. Deri këtu ka arritur inkoherenca logjiko-juridike! Një Gjykatë kaq e lartë më përjashton duke më nominuar personalisht sikur të kisha qenë një personazh i Big Brotherit?  Më bën individualisht objekt të një vendimi gjyqësor, procedural, por gjithsesi gjyqësor.

Kjo më jep edhe një farë krenarie, përse të mos jem i sinqertë? Unë nuk besoj që ndonjë akademik i ndonjë vendi në planetin tonë të jetë dyshuar se rrezikon të dëmtojë rendin publik, sigurinë publike, ose shëndetin publik! Aq më pak të jetë bërë nominalisht objekt i një gjykimi nga ndonjë Gjykatë Kushtetuese!!!

Me anën e shkresës së sipërcituar, Gjykata Kushtetuese pranon që argumentet e mia të sillen në seancë, por jo nga unë. Nga të tjerë. Pra, nuk e ka kundërshtinë me argumentet e mia, me unin tim subjektiv logjiko-fenomenologjik, por me trupin tim fizik. Pra, sipas një logjike karteziane më ndan në dualitetin shpirt – trup, shpirtin ma pranon, por jo trupin.

Sikur të isha në portën e ferrit dhe shën Pjetri të bënte filtrimin!

Ta bëjnë për mua paraqitjen e argumenteve të mia, deputetët e partisë demokratike???

Unë s’kam asgjë kundër tyre, veç faktit që dobësinë e tyre politike në Kuvendin e Shqipërisë duan ta ezaurojnë me ankimime të kota në Gjykatën Kushtetuese. Një përpjekje sipas mendimit tim sa e kotë, aq edhe e paragjykuar qysh në fillim.  Ende nuk janë bindur për këtë? Por, kjo është punë e tyre. Pyetja ime sa juridike aq edhe hermeneutike është se si pranon Gjykata Kushtetuese që disa individë me orientim politik të interesuar të sjellin në mënyrë autentike argumentet e mia përpara saj? Si ju beson atyre? Me çfarë të drejte logjike, epistemologjike, juridike, ajo Gjykatë më privon nga e drejta që argumentet e mia, idetë e mia, kritikat e mia, të mos i paraqes unë vetë, por ta bëjnë këtë deputetë të opozitës, qoftë edhe mikesha ime e nderuar zonja Ina Zhupa?

As juria që e dënoi me vdekje Sokratin e Madh në Athinë nuk e pengoi atë që ai t’i thoshte vetë mendimet e tij. Ja e bën Gjykata Kushtetuese në Shqipëri për Artanin e Vogël! Ku është parë që një gjykatë të pranojë  të administrojë pohimet e dikujt, por ta privojë autorin e tyre nga e drejta që t’i thotë vetë ato, pra t’i deklarojë me përgjegjësi në respekt të trupit gjykues? Dhe në vend të tij të autorizojë të tjerë ta bëjnë këtë në vend të tij? Ka ndonjë prokurë nga unë Gjykata për ta bërë këtë gjë?

Ku e gjen kompetencën Gjykata Kushtetuese të shpallë botërisht, me anë të një vendimi procedural, a gjyqësor, paaftësinë time për të vepruar në mënyrë autonome, pa pasur nevojë që fjalët e mia të dalin nga buzët e deputetëve të partisë demokratike?

Ku e di Gjykata Kushtetuese e nderuar se deputetja Ina Zhupa ose kolegë të saj, kanë në dorë kopjen autentike të deklaratave të mia?  Pse iu beson verbërisht se ata dinë ta interpretojnë saktësisht argumentin tim për antikushtetueshmërinë e  produktit ligjor të z. Petro Koçi dhe zotit Ismet Beqiraj?

Gallata juridike bëhet më pas e dhimbshme.

Më dhëmb në shpirt.

Sinqerisht.

Shkresa e Gjykatës, e firmosur nga z. Papandile, pohon se argumentet e mia të jepen vetëm me shkrim, dhe në aq kopje, as më shumë dhe as më pak, sa janë palët në seancë!!! Pra, gjykata më përcakton edhe kodin me të cilin do të shprehem. Me shkrim, jo me gojë! Ku e gjen këtë të drejtë? A nuk më shkel kështu të drejtën time të fjalës?

Ja u them sinqerisht zonja dhe zotërinj gjykatës!

Unë nuk kisha hallin e Akademisë së Shkencave kur ky ligj u aprovua nga Kuvendi i Shqipërisë.

Por, kisha hallin e Kuvendit të Shqipërisë!

Kur Presidenti i Republikës, z. Bajram Begaj e dekretoi këtë ligj, ndërsa deklaroi para gjithë botës nga Zëri i Amerikës, se ai ishte një ligj me cene normative, nuk kisha më hallin e Kuvendit, por të Presidentit të Republikës.

Tani që lexoj këto shkresa që era i ka sjellë në duart e mia duke marrë vesh se me çfarë arsyetimesh më përjashtoni nga seanca, më refuzoni, më privoni nga të drejtat e mia qytetare, më pengoni në ushtrimin e detyrës, si edhe duke parë mjerimin e argumenteve në  shkresat e cituara,

nuk kam më hallin as të Akademisë së Shkencave, as të Kuvendit të Shqipërisë, as të Presidentit të Republikës, por të Gjykatës Kushtetuese!

Gjithsesi ndihem i vlerësuar. Unë përjashtohem sepse dikush më vlerëson aq shumë sa kujton se mund ta ndryshoj rrjedhën e seancës. Kjo është e sigurt! – ka bindjen ai në kokën e vet. Mund ta çoj në drejtim të padëshiruar – thotë ai me ankth. Pra, mund t’ju bind juve me argumentet e mia.

Dikush ka dyshime edhe mbi ju!

Jo vetëm unë, por edhe juve, jemi të paragjykuar, unë si viktima juaj dhe juve si audienca ime e bindur!

Por, le të jenë të qetë ata që kanë vulosur përjashtimin tim nga seanca duke pasur frikë nga prania ime atje:

Edhe sikur të më ftoni, unë refuzoj të vij.

Pse?

Sepse nuk kam asnjë besim te ju, ndofta më saktë, nuk kam asnjë besim te të gjithë ata midis jush që kanë dashur të “më japin helmin” pa më dëgjuar!

Sa për deputetët e partisë demokratike që presin përfundimin e seancës gjyqësore, më vjen keq t’u them :

Unë e di vendimin! Mos ushqeni iluzione kot!

Hiqni çdo shpresë !

Artan Fuga

Anëtar i Akademisë së Shkencave në RSH

Tiranë, 21.01.2024

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA