Tetë urdhrat që firmosi Trump/ Nga emigrantët, te makinat elektrike dhe tërheqja nga marrëveshja e klimës

20/01/2025 22:39

Donald Trump mbajti premtimin e bërë për fushatë dhe urdhrin e parë ekzekutiv që firmosi pasi u betua si president ishte ai kundër emigrantëve të paligjshëm.

Duke pasur në krah disa nga bashkëpunëtorët e tij, midis tyre edhe zv.presidenin J.D Vance, Trump nënshkroi edhe 7 urdhra të tjerë, mes të cilëve tërheqja e SHBA nga marrëveshja e Parisit për klimën. Këto janë tetë urdhrat që presidenti i SHBA firmosi:

1- Shpalli emergjencë kombëtare në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, duke etiketuar kartelet kriminale si grupe terroriste. Ai gjithashtu i dha fund shtetësisë së të drejtës së lindjes për fëmijët e lindur nga prindër emigrantë pa status ligjor.

2- Rivendosi politikën “Qëndroni në Meksikë”, e cila do të detyrojë disa azilkërkues në kufirin jugor të presin në Meksikë për seancat e tyre në gjykatën e emigracionit në SHBA. Kjo do t’i lejojë ushtrisë amerikane të përfundojë murin kufitar dhe Sekretarit të Mbrojtjes të vendosë anëtarë të ushtrisë dhe Gardës Kombëtare në kufi.

3- Trump nënshkroi një veprim ekzekutiv duke deklaruar se është politika e Shteteve të Bashkuara të njohin dy gjini biologjikisht të dallueshme: mashkull dhe femër. “Këto janë gjini që janë të pandryshueshme dhe i kanë rrënjët në një realitet themelor dhe të pakundërshtueshëm.” Ndryshimi do t’u kërkojë agjencive qeveritare të përdorin përkufizimet në dokumente të tilla si pasaportat, vizat dhe të dhënat e punonjësve.

4- Iu dha fund programeve të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes.

5- Shpalli emergjencën kombëtare të energjisë, që synon reduktimin e burokracisë dhe rregulloreve për sektorin e energjisë, dhe një emergjencë të dytë veçanërisht për burimet e Alaskës. Emergjenca kombëtare e energjisë do të lejojë prodhimin e qymyrit dhe burimeve natyrore.

6- Vendosi të lirojë rregulloret për makinat me karburant fosil dhe të shfuqizojë atë që ai e quajti mandatin e Presidentit Joe Biden për automjetet elektrike.
7 – Tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e Parisit për klimën, çka u komunikua edhe nga Shtëpia e Bardhë.

8-  Nënshkroi një memorandum presidencial për inflacionin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA