Në përvjetorin e themelimit të partisë demokratike në degën e Mirditës, drejtuesi i këtij qarku Agron Gjekmarkaj u shpreh se ky është një çast reflektimi dhe mirënjohje për ata ngritën flamurin e shpresës dhe guximit në kohë sfidash
“Sot, jemi mbledhur për të kujtuar një nga momentet më të rëndësishme në historinë politike të Mirditës, themelimin e Partisë Demokratike, forcës që hapi dyert për lirinë dhe demokracinë.
Ky përvjetor është një çast reflektimi, krenarie dhe mirënjohjeje për ata që trimërisht ngritën flamurin e shpresës dhe guximit në një kohë sfidash të mëdha, përballë diktaturës më gjakatare në Europë.
Mirënjohje sot e gjithmonë themeluesve vizionarë! Mirdita, me historinë dhe traditat e saj, ka qenë sa fortesë natyrore po aq, në mos më tepër, kështjellë shpirtërore”, u shpreh Gjekmarkaj.
Ai deklaroi se rebelimi është karakteristikë e njerëzve të lirë që e ka ‘stolisur’ gjithmonë atë.
“Nuk është rastësi që këtu u gjet emblema e Shtetit të Arbërit, nuk është rastësi që krahina pothuaj gjithmonë funksionoi si një principatë e lirë, nuk është rastësi që kujtesa e Skënderbeut e Dukagjinëve këtu s’u shua kurrë, nuk është rastësi që kryengritjet antiosmane u farkëtuan në këto kulla, nuk është rastësi që rezistenca më e fortë antikomuniste u ndez në këto male me Mark e Llesh Gjomarkajn në krye! Koherencën e transmetojnë njerëzit!
Në arealin shqiptar krahina është simbol i mosasimilimit, shtetformimit, dinjitetit dhe identitetit.
Shqipëria shpesh është frymëzuar nga Mirdita!
Në momentet kur rrezikohej shteti i parë i shqiptarëve nga Dum Babistët, armët e mirditorëve, pas Preng Bibë Dodës, kanë kërcitur që ura me Europën, duke mbrojtur Princ Vidin, mos të këputej!
Kleri katolik, në rrasa guri, shkruante gjuhën e Pal Engjëllit e Buzukut kur shqipja sulmohej nga glutizmat turke! Figura të ndritura si Abat Doçi ndezën pishtarin e Rilindjes Kombëtare.
Në këtë tokë, ku respekti për jetën dhe vdekjen nuk u tradhtua kurrë dhe ku Kanuni i Lekë Dukagjinit u kodifikua nga At Shtjefën Gjeçovi si një testament i traditës sonë, Mirdita ka të drejtën morale t’i flasë çdo kohe dhe çdo breznie me fuqinë e saj mendore!
Në janar të vitit 1991, kur mirditorët u ringritën kundër komunizmit e themeluan Partinë emokratike, ata nuk bënë thjesht një zgjedhje politike – ata bënë një betim për lirinë dhe të ardhmen. Me kalimin e viteve, Partia Demokratike ka kaluar sfida të mëdha, por vullneti politik, intelektual dhe shpirtëror i demokratëve e sidomos liderit Sali Berisha i ka mundësuar partisë sonë të kapërcejë edhe krizën më të rëndë, duke dëshmuar se kur bashkimi dhe vizioni janë në shërbim të një ideali, në shërbim të së vërtetës, asgjë nuk mund ta ndalojë misionin e shenjtë të shpëtimit të Shqipërisë!
Ne u ringritëm pas revolucionit komunist të vitit 1997, u ringritëm pas revolucionit mafioz të këtyre viteve, ne të pamundurën e bëmë të mundur!
Ne do ta shporrim frontin e “Rilindjes”; ne do ta zhbëjmë skotën e Edi Ramës, rraqet e tij kudo në Mirditë, Lezhë e Kurbin! Sot, falë rikthimit të liderit historik, Sali Berisha, dhe përpjekjeve të palodhura për bashkimin e demokratëve, Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë për të mbrojtur vlerat e saj dhe për të rikthyer shpresën e normalitetin te shqiptarët”, tha ai.
Gjekmarkaj shtoi më tej se ky bashkim është themeli i frontit më të madh që koha kërkon dhe se kanë besim tek fitorja.
“Ndaj do ta prekim atë më 11 maj! Ne jemi në sulm!”, tha ai duke shtuar më tej se aleancën me diasporën e kanë jetike.
“E kemi jetike aleancën me diasporën, njerëzit tanë kudo në botë, që të bëhen pjesë e ndryshimit! Nuk duhet të hezitojmë për të luftuar me indiferencën!
Fitorja e Albert Mëlyshit në Bashkinë e Mirditës është një dëshmi e qartë se kur njerëzit shihen në sy, ndjejnë të vërtetën dhe besojnë te fitorja, ajo është e mundur.
Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi. Ne kemi besim të plotë se më 11 maj, kjo energji dhe ky unitet do të shndërrohen në një fitore të madhe, jo vetëm për Partinë Demokratike, por për të gjithë Shqipërinë.
Zoti e bekoftë Mirditën, Partinë Demokratike dhe Shqipërinë!”, e mbylli nënkryetari i Kuvendit fjalën e tij në Mirditë.
Top Channel