Nuk kanë fund incidentet për Papa Françeskun! Rrëzohet sërish, pëson dëmtime në krah

16/01/2025 17:46

Papa Françesku është përfshirë në një tjetër incident dhe ka dëmtuar krahun e tij të djathtë.

Në një deklaratë, zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë tha se për shkak të një rrëzimi mëngjesin e së enjtes në rezidencën e Papës, 88-vjeçari pësoi një goditje në krahun e tij të djathtë, por pa frakturë.

Fotot treguan Papën të veshur me një mbajtëse për krahun e dëmtuar ndërsa mbante takime.

Pavarësisht aksidentit, Papa mbajti pesë takime ditën e sotme sipas Vatikanit, duke përfshirë me Alvaro Lario, presidentin e Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë dhe priftërinjtë nga një kolegj argjentinas në Romë.

Të mërkurën, Papa udhëhoqi audiencën e tij në Vatikan dhe dukej në humor të mirë, duke i hedhur një top tenisi një qeni gjatë një shfaqje cirku.

Papa ka vuajtur një sërë problemesh shëndetësore vitet e fundit dhe ky është incidenti i tij i dytë në javët e fundit. Në fillim të dhjetorit, ai u shfaq me një mavijosje të madhe në mjekër pasi u rrëzua dhe goditi komodinën e tij gjatë natës.

Që nga viti 2022, Papa ka përdorur një karrige me rrota për shkak të problemeve të lëvizjes të shkaktuara nga dhimbjet në gju. Në autobiografinë e tij të botuar së fundmi “Shpresa”, Françesku tha se ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe përjashtoi mundësinë e dorëheqjes nga posti i tij, por tha se “realiteti është, thjesht, se unë jam i vjetër”.

“Ishte e turpshme në fillim kur përdorja karrige me rrota, por pleqëria nuk vjen kurrë vetëm dhe duhet pranuar ashtu siç është”, thotë Paapa.

“Kisha drejtohet nga koka dhe zemra, jo nga këmbët. Bëj fizioterapi dy herë në javë, përdor një shkop, bëj sa më shumë hapa të mundem dhe vazhdoj përpara”, shtoi Papa Françesku.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA