Regjisori i famshëm i filmave horror, David Lynch, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.
Në një postim të shpërndarë në faqen e regjisorit në Facebook shkruhet: “Me keqardhje të thellë ne, familja e tij, njoftojmë vdekjen artistit, David Lynch. Do të vlerësonim pak privatësi në këtë kohë. Ka një boshllëk të madh në botë tani që ai nuk është më me ne.”
Vdekja e Lynch vjen vetëm disa ditë para ditëlindjes së tij të 79-të. Shkaku nuk është bërë i ditur akoma, por Lynch kishte folur publikisht më parë për betejën e tij me sëmundjen e emfizemës.
Regjisori filloi të bënte filma të shkurtër në fund të viteve 1960, ndërsa filmi i tij i parë i gjatë, “Surreal Eraserhead” u publikua në 1977.
Projektet e tij më të shquara përfshijnë “The Elephant Man”, “Mulholland Drive” dhe “Blue Velvet”, të gjitha këto vepra të tij u nominuan për çmimet Oscar. Në vitin 2019, ai mori një çmim nderi Oscar për arritjet e tij të jetës.
Suksesi i Lynch u shtri dhe në televizion me “Twin Peaks”, i krijuar bashkë me shkrimtarin Mark Frost, konsiderohet një klasik kulti.
Seriali fitues i çmimit Emmy ndjek hetimin për vdekjen e adoleshentes Laura Palmer.
Drama debutoi në vitin 1990 dhe vazhdoi për dy sezone. Një rishfaqje e shumëpërfolur, 25 vjet pas origjinalit, u transmetua në vitin 2017.
Në vitet e tij të fundit, Lynch iu përkushtua filmave të shkurtër, dokumentarëve, albumeve dhe videove muzikore, si dhe pikturës e videove në kanalin e tij në YouTube.
Top Channel