I emëruari i Trump për postin e Sekretarit të Shtetit: SHBA-të duhet të vendosin në plan të parë interesin kombëtar

16/01/2025 16:12

I emëruari i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për postin e Sekretarit të Shtetit, u përball me pyetjet e ligjvënësve gjatë seancës së konfirmimit të mërkurën në Senatin amerikan.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, republikani Marco Rubio u tha kolegëve të tij të Senatit se, nëse konfirmohet, ai do ta vinte në plan të parë interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

Senatori Marco Rubio u zotua se do ta vendoste Amerikën në plan të parë si kryediplomat në kabinetin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump.

“Vënia e interesit tonë thelbësor kombëtar mbi gjithçka tjetër nuk është izolim. Është arritja në përfundimin se një politikë e jashtme, e përqendruar në interesin tonë kombëtar, nuk është një relikt i vjetërsuar”, tha Senatori Rubio.

Republikani Rubio u prit ngrohtësisht nga të dy palët e Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, ku ka shërbyer për 14 vitet e fundit.

“Presidenti i zgjedhur Trump dhe Senatori Rubio e kanë të qartë dhe e kuptojnë se atje ku ekziston liria dhe demokracia, Amerika ka aleatë të fortë dhe partnerë të besuar tregtarë. Marco ka një histori të spikatur për mbajtjen përgjegjës të regjimeve komuniste në Kinë, Kubë, Venezuelë dhe Nikaragua, për shtypjen dhe tiraninë e tyre. Ai do të punojë me Presidentin Trump për t’i ndëshkuar regjimet komuniste për krimet e tyre”, tha Senatori Rick Scott.

Zoti Trump ka thënë se do t’i japë fund luftës në Ukrainë sapo të marrë detyrën. Senatorët demokratë i kërkuan zotit Rubio të shpjegonte se si do të dukej marrëveshja.

“Çfarë mendoni se është e rëndësishme të bëjmë në mënyrë që të kemi pozitën më të fortë të mundshme negociuese, nëse Ukraina dhe Rusia ulen në tryezën e bisedimeve?”, shtroi pyetjen Senatorja demokrate Jeanne Shaheen.

“Mendoj se qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë që kësaj lufte duhet t’i jepet fund. Lind pyetja se çfarë roli mund të luajmë ne? Fillimisht kjo duhet të bëhet shumë e qartë. Dallimet e mia me administratën Biden gjatë gjithë këtij procesi janë se ata kurrë nuk e përcaktuan qartë se cili do të ishte rezultati përfundimtar i konfliktit”, tha zoti Rubio.

Ai foli gjithashtu edhe për mundësitë e krijuara nga armëpushimi në Gazë.

“Në Lindjen e Mesme tani ka mundësi të kapshme që nuk ekzistonin 90 ditë më parë, qoftë ato që ndodhën në Liban apo Siri, apo ajo që shpresojmë të ndodhë me armëpushimin dhe lirimin e pengjeve pas rrëmbimeve të tmerrshme dhe veprimeve të pajustifikueshme të Hamasit. Pavarësisht nëse është ndonjë nga këto tre gjëra, ose kombinim i të gjithave, tani ka faktorë në veprim në Lindjen e Mesme mbi të cilët mendoj se mund të ndërtojmë dhe mund të hapin derën për mundësi të jashtëzakonshme dhe historike”.

I emëruari i zotit Trump për të drejtuar politikën e jashtme amerikane tha se Partia Komuniste e Kinës përbënte kërcënimin më të madh për Shtetet e bashkuara.

“Ata kanë elementë që Bashkimi Sovjetik nuk i ka pasur kurrë. Ata janë konkurrentë në teknologji, industri, ekonomi, gjeopolitikë, shkencë dhe aktualisht në çdo fushë. Është një sfidë e jashtëzakonshme që besoj se do të përcaktojë shekullin e 21-të”.

Bir emigrantësh kubanë, nëse konfirmohet, zoti Rubio do të bëhej sekretari i parë i shtetit me prejardhje nga Amerika Latine. Gjasat e konfirmimit janë të larta ndërsa votimi i Senatit të plotë pritet në ditët në vazhdim./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA