Detaje nga vendimi i Apelit të GJKKO për Berishën, SPAK kërkoi të pyeten 137 dëshmitarët dhe 5 të pandehurit

16/01/2025 20:57

Zbardhen detaje të reja nga vendimi i Apelit të GJKKO për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën.

Gjykata e Apelit kujton sipas Anila Hoxhës se SPAK ka kërkuar të pyeten 137 dëshmitarë dhe 5 të pandehurit e procedimit.

Siç citon gazetarja pjesë nga ky vendim që ktheu  Berishën në ‘detyrim paraqitje’ gjyqtari flet edhe për kërcënimin e dëshmitarëve që mund të vijë nga ndikimi i të dyshuarit. Konkretisht Apeli i Posaçëm duke iu referuar shkallës së parë që hoqi arrestin shtëpiak thotë ” Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsioni dhe Krimin e Organizuar, në revokimin e masës së sigurimit ndaj kërkuesit, përveç mungesës së rrezikut të ikjes ka arsyetuar edhe mungesën e rrezikut të dëmtimit të provave për shkak se çështja tashmë ka kaluar në seancë paraprake dhe ky rrezik është shuar duke qenë se provat janë marrë. Lidhur me këtë kusht të veçantë për caktimin e masës së sigurimit ndaj kërkuesit, gjykata e shkallës së parë ka vijuar analizën se paraburgimi (arresti në shtëpi në këtë rast) ndaj kërkuesit duhet të caktohet me një afat të kufizuar, referuar nenit 245, pika 1, shkronja “d”, të Kodit të Procedurës Penale, dhe se organi i akuzës duhet të përdorte institutin e sigurimit të provës për të marrë gjatë fazës së hetimit provat që rrezikonin të dëmtoheshin nga i pandehuri. Në fund ajo ka theksuar se, duke analizuar personalitetin e të pandehurit dhe sjelljen e tij, veprën penale që i atribuohet dhe llojet e provave të kërkuara e të marra nga organi i akuzës si dhe shtrirjen e hetimeve në kohë, nuk konstatohet të ekzistojë një rrezik i tillë. Ky përfundim i gjykatës së shkallës së parë, në pjesën më të madhe të argumenteve të tij, është i gabuar.

Sipas sistemit tonë procedural penal me natyrë akuzatore, provat formohen gjatë debatit gjyqësor, pra të gjitha të dhënat e grumbulluara nga ana e organit të akuzës në fazën së hetimeve paraprake e marrin vlerën e tyre në gjykim. Është e vërtetë që njoftimet mbi faktet dhe rrethanat mbi të cilat prokurori do të mbështesë akuzën fiksohen gjatë hetimeve por vlerën e provës ato e marrin gjatë fazës së gjykimit. Në këtë drejtim, përfundimi i fazës së hetimeve paraprake nuk e zbeh rrezikun e dëmtimit të provave. Më e ndjeshme kjo bëhet kur kemi jemi përpara provave të gjalla, të cilat janë të tilla që jo vetëm formësohen ekskluzivisht gjatë shqyrtimit gjyqësor por kanë natyrë të paqëndrueshme lidhur me faktet dhe rrethanat që i prezantojnë procesit gjyqësor. Këto prova, me kalimin e një kohe të gjatë nga momenti i ndodhjes së faktit ose rrethanës, ose nën ndikimin e faktorëve të brendshëm e të jashtëm, kanë tendencë të humbasin aftësinë për ta riprodhuar të dhënën sikurse ajo është perceptuar. Ndryshe nga to, provat e ngrira, nuk ndryshojnë me kalimin e kohës dhe nën trysninë e faktorëve të ndryshëm. Gjithsesi, edhe këtu duhet të mbahet në konsideratë që mënyra e marrjes së një prove të tillë mund të konstatohet si në shkelje të ligjit dhe si e tillë prova të deklarohet e papërdorshme, çka do të sillte nevojën e marrjes sërishmi të saj.

Në këtë kuadër, gjykata vlerëson se, nëse mund të pranohet që rreziku i marrjes së provave ulet me administrimin e provave të ngrira nga organi procedues gjatë fazës së hetimeve paraprake, kjo nuk mund të thuhet për provat e gjalla. Dëshmitarët dhe të bashkëtëpandehurit ose edhe ekspertët nëse lind nevoja e pyetjes së tyre, do të duhet të riprodhojnë atë çfarë kanë perceptuar përpara gjykatës si dhe t’i përgjigjen pyetjeve të kësaj të fundit dhe palëve. Përjashtim bëhet vetëm në rastin kur i pandehuri kërkon gjykim të shkurtuar dhe gjykata e pranon, duke marrë vlerë deklarimi i dhënë gjatë fazës së hetimeve paraprake, çka nuk provohet të ketë ndodhur në çështjen në gjykim. Në këtë drejtim, provat e gjalla janë gjithnjë të kërcënuara nga ndikimi që i pandehuri mund të ushtrojë mbi to.

Në çështjen në shqyrtim rezulton se organi i akuzës ka kërkuar që të pyeten njëqind e tridhjetë e shtatë dëshmitarë dhe pesë të pandehurit e këtij procedimi (referuar kërkesës për gjykim), duke u konsideruar si prova të gjalla. Për këtë shkak, gjykata e shkallës së parë mund të kishte argumentuar se rreziku i marrjes së provave është zbutur për shkak të administrimit të provave të ngrira (provat shkresore) nga ana e organit procedues dhe, duke e marrë në konsideratë këtë faktor edhe në raport me faktorë të tjerë, siç do të arsyetohet në vijim, të vlerësonte mundësinë e zëvendësimit të masës së sigurimit por jo të vendoste revokimin e saj.”

Megjithatë Gjykata e Apelit nuk pajtohet as me SPAK-un shton Anila Hoxha kur prokurori argumenton se gjykata është treguar praktike në referimet që ajo ka të bëjë me burimet e hapura ” lidhur me personalitetin e të pandehurit. Burimet e hapura, për më tepër kur ato janë zyrtare, mund t’i shërbejnë çdo individi, organizate apo institucioni shtetëror për të referuar në faktet që përmenden në to dhe, për këtë shkak, këto fakte konsiderohen si të njohura botërisht ose zyrtarisht, të cilat nuk kanë nevojë të provohen (neni 13, paragrafi 1, i Kodit të Procedurës Civile). Përkundrejt këtij argumenti, edhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr. 81, datë 09.11.2024, që lidhet me ankimin kushtetues individual të kërkuesit, i është referuar fakteve të njohura botërisht ose zyrtarisht kur ka konstatuar se kërkuesi është një politikan, ish-president dhe ish-kryeministër, aktualisht deputet i Kuvendit dhe kryetar i partisë kryesore opozitare, për çka i është referuar edhe kjo gjykatë apeli dhe do t’i referohet në vijim.

Në përfundim të analizës që lidhet me rrezikun e helmimit të provave, si një prej kushteve të veçanta për caktimin e masës së sigurimit ndaj kërkuesit, gjykata e apelit sërish thekson se argumentet e dhëna nga gjyqtari i hetimit dhe të konfirmuara në të gjitha shkallët e pushtetit gjyqësor, të lidhura me këtë kusht të përcaktuar në nenin 228, pika 3, shkronja “a”, të Kodit të Procedurës Penale, nuk mund të rivlerësohen pa konstatuar prezencën e elementëve të rinj provues. Sakaq, lidhur me këtë, analiza e gjësë së gjykuar, e bërë për kushtin e dytë të veçantë të caktimit të masës së sigurimit, rrezikun e ikjes, vlen edhe për rrezikun e helmimit të provave. ” shton Gjykata e Apelit të Posaçëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA