Kur kryeministri i Katarit doli të mërkurën për të shpallur arritjen e një marrëveshje për armëpushim në Gaza në këmbim të lirimit të pengjeve, përfaqësues nga dy administrata amerikane ishin të pranishëm në Doha për të festuar këtë sukses.
Bashkëpunimi midis të dyja palëve ishte “pothuajse i paparë”, tha një zyrtar i lartë i administratës Biden pas arritjes së marrëveshjes, e mundësuar nga një ndërthurje e rrallë interesash midis rivalëve të hidhur, të cilët të dy panë një mundësi pas fitores së Trumpit.
Brett McGurk, negociatori për Lindjen e Mesme i Presidentit Joe Biden, kishte qëndruar në kryeqytetin e Katarit për javë të tëra me shpresën për një marrëveshje përfundimtare. Ditët e fundit iu bashkua Steve Witkoff, i dërguari për Lindjen e Mesme i Presidentit të zgjedhur Donald Trump, për shtytjen e fundit drejt arritjes së marrëveshjes.
Në disa raste, McGurk dhe Witkoff zhvilluan takime nëpër Lindjen e Mesme për të çuar marrëveshjen deri në fund, përfshirë bisedime kritike midis Witkoff dhe Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu javën e kaluar, ku McGurk mori pjesë përmes telefonit. Ndërsa McGurk, ishte përqendruar kryesisht në parametrat e marrëveshjes, Witkoff ishte atje për të theksuar dëshirën e Trump-it për ta përfunduar marrëveshjen përpara Ditës së Inaugurimit.
Pas shpalljes së marrëveshjes, si presidenti aktual, ashtu edhe ai i zgjedhur, morën të gjithë kreditet, një shenjë se marrëdhënia e tensionuar mes tyre vazhdon. Megjithatë, marrëveshja u mundëson të dyve të shpallin sukses. Ajo sjell një lajm pozitiv për një president që është gati të largohet nga detyra me nivelin më të ulët të miratimit gjatë mandatit të tij. Po ashtu, forcon kredencialet e një presidenti të zgjedhur që kishte premtuar se “kaosi total do të shpërthente” në Gaza nëse pengjet nuk liroheshin para inaugurimit të tij të dytë.
Realiteti i përgjegjësisë për marrëveshjen është kompleks. Zyrtarët e administratës Biden thonë se impulsi drejt një marrëveshjeje filloi para zgjedhjeve, pas një armëpushimi të arritur ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut në Liban. Konturet e marrëveshjes përfundimtare me Hamasin përputhen ngushtë me një propozim që Biden paraqiti për herë të parë në maj, por që nuk arriti ta përfundonte.
Duke folur në rezidencën Mar-a-Lago të Trump-it më herët këtë muaj, Witkoff tha se ekipi i Biden-it ishte “maja e shigjetës” në bisedime.
“Askush nuk ka krenari për autorësinë. Ne jemi plotësisht të përqendruar në rezultatin. Le t’i sjellim ata në shtëpi”, tha Witkoff, një ish-investitor i pasurive të paluajtshme.
Megjithatë, pasi marrëveshja u arrit, edhe zyrtarët e Biden-it pranuan se afati i marrjes së detyrës nga Donald Trump ishte një faktor motivues për arritjen përfundimtare të suksesit pas muajsh dështimi. Nga ana tjetër, Trump, i cili po monitoronte zhvillimet nga Florida, deklaroi shpejt se marrëveshja u bë e mundur vetëm nga fitorja e tij.
“Kjo marrëveshje EPOS për armëpushim mund të ndodhte vetëm si rezultat i Fitores sonë Historike në nëntor“, shkroi ai në rrjetet sociale. Biden ishte më i përmbajtur. “Është një pasdite shumë e mirë“, tha Biden të mërkurën nga Cross Hall në Shtëpinë e Bardhë, disa hapa larg nga ku anëtarët e ekipit të ardhshëm të Trump-it po takoheshin me homologët e tyre të administratës Biden për të diskutuar çështjet e sigurisë kombëtare në West Wing.
Presidenti, i cili ka dekada përvojë në politikën e jashtme, e përshkroi marrëveshjen si një nga “negociatat më të vështira që kam përjetuar ndonjëherë”. Por kur u pyet ndërsa po largohej nga podiumi se kush meriton meritat për marrëveshjen, ai apo Trump, presidenti reagoi me bezdi: “Është një shaka?” tha ai përpara se të largohej.
Në fazën e fundit të fushatës presidenciale të vitit 2024, pak njerëz brenda Shtëpisë së Bardhë besonin se një marrëveshje për lirimin e pengjeve mund të arrihej para shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve.
Zyrtarët amerikanë dhe evropianë e shihnin Benjamin Netanjahun duke pritur, për të parë me cilin president amerikan do të përballej në të ardhmen, duke mbajtur hapur opsionet e tij për çdo rezultat.
Orë të tëra telefonatash të ashpra mes Shtëpisë së Bardhë dhe zyrës së Netanjahut nuk kishin dhënë përparim të madh, dhe madje as vrasja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, nuk e përshpejtoi menjëherë arritjen e një marrëveshjeje.
Fitorja e Trump-it, e cila shihej gjerësisht brenda Shtëpisë së Bardhë si rezultati i preferuar i Netanjahut, nuk ishte aspak ajo që ndihmësit e Biden-it kishin shpresuar. Megjithatë, në humbjen e tyre, disa panë një mundësi të re.
Gjatë një takimi pas zgjedhjeve me Trump-in përballë një zjarri të ndezur në Zyrën Ovale, Biden kishte një kërkesë për njeriun që do ta zëvendësonte pas disa muajsh: Të punonte me ekipin e administratës së tij për të liruar pengjet nga Gaza.
Në bisedimet mes ekipeve të sigurisë kombëtare të presidentit në largim dhe atij të zgjedhur, ndihmësit e Biden-it bënë të qartë se, pavarësisht përçarjes mes dy liderëve dhe megjithëse biseda e tyre në Zyrën Ovale dukej miqësore, ata mbetën ashpërsisht të kundërshtuar, çështja e pengjeve ishte një fushë ku duhej të bashkëpunonin.
“Ne jemi të gatshëm të punojmë me ekipin e ardhshëm në një qëllim të përbashkët, në mënyrë bipartizane, për të bërë gjithçka që është në fuqinë tonë kolektive amerikane për të siguruar lirimin e pengjeve, qofshin të gjallë apo të vdekur“, tha këshilltari i sigurisë kombëtare të Biden-it, Jake Sullivan, javën pas zgjedhjeve të nëntorit.
Një marrëveshje me përfitime të ndërsjella
Gjatë bisedës pranë zjarrit, Biden dhe Trump ranë dakord që çështja e pengjeve mund dhe duhej të zgjidhej përpara transferimit të pushtetit më 20 janar, sipas njerëzve që dëgjuan për takimin pas tij. Koha i përshtatej të dyve.
Këshilltarët e Trump-it kanë menduar prej kohësh se çdo marrëveshje e arritur pas fitores së tij, por përpara se ai të merrte detyrën, do t’i mundësonte atij të merrte meritat për të. Gjithashtu, kjo do të largonte çështjen nga prioritetet e tij ndërsa fillonte mandatin e dytë me fokus të qartë te premtimet e fushatës për emigracionin, tarifat dhe çmontimin e rregullave të epokës Biden.
Për Bidenin, sigurimi i marrëveshjes për pengjet, për të cilën kishte shpenzuar më shumë se një të katërtën e presidencës së tij, do të justifikonte kohën, energjinë dhe kapitalin politik të investuar për këtë kauzë. Me bekimin e të dyve, të dyja palët filluan një përpjekje përfundimtare për të arritur atë që për shumë kohë dukej e pamundur.
Netët e vona dhe kërkesat përfundimtare
Një pengesë kritike që kishte dalë gjatë muajve të kaluar, ishte refuzimi i Hamasit për të pranuar sa pengje mbante ende ose për të identifikuar cilët pengje do të liroheshin si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes, sipas një zyrtari të lartë të administratës. Zyrtarët amerikanë e bënë të qartë përmes ndërmjetësve të tyre se nuk mund të realizohej asnjë marrëveshje pa një listë të plotë të pengjeve që do të liroheshin. Presioni dukej se funksionoi. Deri në fund të dhjetorit, Hamasi ra dakord të siguronte listën, duke përshpejtuar bisedimet drejt negociatave përfundimtare. McGurk qëndroi në Lindjen e Mesme për të punuar drejt finalizimit të marrëveshjes komplekse, duke përfshirë detajet e lirimit të të burgosurve.
Të strehuar brenda një ndërtese në Doha, negociatorët nga SHBA, Izraeli, Katari dhe Egjipti, së bashku me zyrtarë të Hamasit, biseduan deri në orën 3 të mëngjesit, ndërsa palët përpiqeshin të përfundonin një marrëveshje që kishte qenë jashtëzakonisht e vështirë për t’u arritur.
Hamasi parashtroi një sërë kërkesash të minutës së fundit gjatë negociatave përfundimtare, por palët amerikane dhe izraelite mbetën të vendosura, duke i shtyrë ata të pranonin. Zbatimi i marrëveshjes mund të fillojë që të dielën, tha një zyrtar.
Ndërsa marrëveshja filloi të bëhej realitet, Netanjahu kontaktoi homologët e tij amerikanë. Telefonata e tij e parë ishte me Trumpin, për ta falënderuar dhe për të planifikuar një takim në Uashington. Më pas, ai telefonoi Biden-in dhe “e falënderoi gjithashtu”, sipas një deklarate nga zyra e kryeministrit.
Top Channel