SPAK verifikon kartelën e Dumanit/ I penduari përmendi dhëndrin e vëllait të ish-ministrit Naço, TCH zbulon çfarë ishte shkruar në raport

15/01/2025 19:40

Rrëfimi i Nuredin Dumanit për lirimin e parakohshëm nga burgu është nën verifikim nga SPAK.

Një burim nga grupi i hetimit tha për Top Channel se kartela e tij është tërhequr prej burgjeve dhe aty tregohet se Nuredin Dumani la qelinë si një i shpallur fajtor, dënuar  me tre vjet kusht, mbasi një grup mjekësh ligjore shkruan  për të që kishte probleme të rënda  shëndetësore.

Por SPAK nuk e ka sekuestruar ende vendimin e dënimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë, një verdikt që TCH e siguroi përmes burimeve mbasi gjykata e kryeqyteti nuk ja vendosi në dispozicion sipas të drejtës për informim. Në seancën ku  Dumani u dënua  në 2014, gjyqtari tregon se i akuzuari mungon  mbasi ishte i shtruar në qendrën spitalore në sallën e reanimacionit për shkak të problemeve kardiake.

Ky detaj I fiksuar në shkresa u përmend nga bashkëpunëtori i drejtësisë  një ditë më parë ku dinamikën se si një grup njerëzish në burgje dhe në mjekësinë ligjore bashkëvepruan dhe për këtë u paguan 40 mijë euro përmes avokatit të tij, së paku kështu pretendon i penduari.

Duke konstatuar fiktivisht se i burgosuri kishte vetëm tre muaj jetë , ata i dhanë pasaportën e lirisë . Mes personave  që e ndihmuan Nuredin Dumani veçoi një mjek, i cili sipas të penduarit ishte dhëndri i vëllait të ish ministrit të drejtësisë së kohës Nasip Naco. Ky i fundit reagoi menjëherë duke ftuar  organet e drejtësisë të kryejnë një hetim të thelluar  për rastin

Në vendimin e zbardhur thuhet se Nuredin Dumani, 38 vjeç, nën akuzë për heqje të paligjshme të lirisë qëndroi në paraburgim vetëm gjashtë muaj për llogari të hetimeve ku ishte nën akuzë edhe i vëllai Dashnor Dumani dhe shtetasja Klajda Baho.

Në datën 7 maj 2014 , një akt ekspertizë e mjekëve ligjore tregonte se Dumani ishte në gjendje të pa stabilizuar për tu mbajtur në paraburgim dhe se vuante nga insuficienca kardiake. Nuredin Dumani ishte arrestuar për rrëmbimin e Bledar Ketës , i cili u morr me forcë dhe u dërgua në Shijak përpara një noteri ku dhe firmosi  kontratën për shitjen e një makine.

Të enjten Dumani do të vijojë sërish me rrëfimin e tij, për llogari të procesit ku akuzohen veç tij edhe 14 të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA