Kryeministri hungarez, Viktor Orban nuk do të marrë pjesë në inagurimin e Donald Trumpit më 20 janar, ka njoftuar sekretari i tij për shtyp.
Orban, një aleat i Trumpit, ishte ftuar të merrte pjesë në ceremoninë e 20 janarit në Washington DC, së bashku me liderë të tjerë të djathtë botërorë, përfshirë Javier Milei të Argjentinës dhe Giorgia Meloni të Italisë.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit, ai e mirëpriti Orbanin në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2019.
Kryeministri nacionalist i Hungarisë udhëtoi në SHBA në muajin korrik të vitit të kaluar për të takuar Trumpin në Mar-a-Lago, Florida. Pas takimit, Orban lavdëroi mikun e ngushtë, duke thënë se lideri republikan, nëse do të zgjidhej president, do të përfundonte luftën e Rusisë në Ukrainë.
Vendimi i Trumpit për të ftuar liderë botërorë si Orban në inaugurimin e tij është një thyerje e traditës së dekadave, pasi kreu i shtetit të huaj zakonisht nuk merr pjesë në betimin e presidentëve të rinj të SHBA.
Jeff Bezos, Elon Musk dhe Mark Zuckerberg, tre nga njerëzit më të pasur të botës, do të jenë mes mysafirëve të Trumpit.
Pavarësisht marrëdhënies së ngushtë me Trumpin, kryeministri hungarez nuk do të udhëtojë në SHBA, por do të mbajë atë ditë një fjalim në Budapest.
Fjalimi do të përqendrohet në presidencën e fundit të Hungarisë në Bashkimin Evropian, tha sekretari i tij për shtyp, Bertalan Havasi, shkruan Euronews.
Top Channel