Në 3 vitet e fundit, Drejtoria e Tatimeve ka referuar në Prokurorinë e Tiranës mbi 200 kallëzime për evazion. Rezulton se rreth 1/3 e tyre janë çuar për gjykim.
Autoritetet ligjzbatuese, kanë njoftuar me bujë mjaft raste të zbulimit të skemave mashtruese me TVSH-në nga biznesmenë të shumtë, në vlera miliona euro dëm ndaj shtetit. Por, një pjesë e madhe e këtyre dosjeve mbyllen në dyert e drejtësisë. Ata që arrestohen me bujë, vjelin miliona euro nga arka e shtetit, shpesh herë në prokurime të dyshimta. Në këto raste, bëhen bashkë oligarkët, drejtësia dhe zyrtarët e lartë për të zhvatur arkën e shtetit.
Për të kuptuar këtë, le të kthehemi pas në kohë për tu fokusuar në dosje konkrete. Në shtator të vitit 2019, Prokuroria e Tiranës njoftoi me bujë arrestimin e 15 biznesmenëve për një skemë galoponte mashtrimi me TVSH-në që i shkaktoi shtetit 1.8 miliardë lekë dëm. Mes të arrestuarve ishin emra big të biznesit si Paqsor Buzi aksioner i kompanisë GPG, Shpresa Joanidhi e “Shpresa SHPK”, Vasil Korita i subjektit ‘Medi Farma’, Haxhi e Astrit Sala të “Leksi Security”, Mhill Ndreca, Fatmir Miri, Vangjush Mbriçe, etj emra që i shihni në ekran. Kjo dosje e çelur me bujë, u zbeh shumë shpejt. Në apel të gjithë biznesmenët u liruan pasi arrestimi i tyre u konsiderua i jashtëligjshëm. Vetëm 1 vit më vonë, prokuroria kërkon pushimin e dosjes ndaj pronarit të GPG, një prej subjekteve me përfitimet kryesore në fondet e rindërtimit me vlerë dhjetëra milionë euro. Vetë prokuroria u tërhoq nga akuzat e saj.
Nëse i referohemi të dhënave të nxjerra nga thesari nga Open Data, ky subjekt ka arkëtuar nga buxheti plot 13.3 miliardë lekë në periudhën 2019-2024. Pra, pas hetimit të prokurorisë. Duhet theksuar se ndaj subjektit u pushua hetimi penal, por ajo që bie në sy është fakti se në raste hetimesh të tilla, këto subjekte përjashtohen nga prokurimet publike. Pra, nëse drejtësia amniston, duket se edhe zyrtarët e institucioneve tenderuese nuk mbeten prapa.
‘Cili është korrupsioni që pjell informaliteti? Bashkëpunimi mes operatorëve dhe Agjensive Ligjzbatuese njerëzve brenda tyre për të ndarë atë pjesë të Evazionit Fiskal midis tyre. Korrupsion kthehet në rastin e zyrtarëve të shtetit e në kahun tjetër përfitim marramendës kthehet për operatorët ekonomikë që operojnë në kushte informaliteti apo gjysmë informaliteti që nuk presin faturë për çdo transaksion që kryejnë’ u shpreh deputeti, Erion Braçe
E njëjta situatë edhe me pronaren e subjektit Shpresa SHPK pjesë e skemës së hetuar për evazion. Pas hetimit, ky subjekt rezulton përfitues i tenderave me vlerë dhjetëra milionë euro nga institucionet shtetërore. Përgjatë vitit 2019, subjekti ka arkëtuar nga thesari plot 376 milionë lekë, ose 3.7 milionë euro. Një pjesë e madhe e arkëtimeve janë përgjatë Tetorit, pra, 1 muaj pas arrestimeve të atij viti. Pas aksionit, kopanisë iu ndryshua emri në DION-AL. Deri në vitin 2024 ky subjekt me emrin e ri ka arkëtuar nga buxheti i shtetit plot 3.6 miliardë lekë, ose rreth 36 milionë euro në 980 transaksione. Ndoshta, penalisht në këto raste nuk ka ngarkesa për sa kohë drejtësia ka pushuar çështjet, por, shteti nuk mund ti besojë tendera dhjetëra milionë euro kompanive të hetuara për evazion që vetë i ka referuar në prokuroi. Është mjaft interesante se si kompani të hetuara për evazion, janë kaq të sukseshme në tendera dhe lënë pas subjekte të papërfolura.
E njëjta situatë edhe për subjektin ‘leksi Security’ në pronësi të Haxhi e Astrit Sala. Deri në vitin 2022, referuar Open Data ky subjekt i hetuar disa vite më parë ka arkëtuar mbi 37 milionë lekë nga buxheti i shtetit.
Subjekti KOMBEAS i hetuar si pjesë e skemës së evazionit, ka arkëtuar plot 420 milionë lekë ose rreth 4.2 milionë euro në periudhën 2019-2024. Pra, edhe kompania në pronësi të shtetasit Mhill Ndreca ka shkëlqyer në biznes pasi u vu nën hetim për evazion.
Subjekti tjetër i hetuar në vitin 2019 ‘Arb Trans’ me pronar aso kohe Fatmir Mirin, ka përfituar tendera miliona euro. Në periudhën 2019-2024, kompania ka arkëtuar plot 950 milionë lekë ose rreth 9.5 milionë euro, në 91 transaksione nga thesari. Bie në sy se pas çështjes penale të vitit 2019, Miri i ka dhuruar aksionet shtetasit Shyqyi Maloku përmes një kontrate të vitit 2021.
C.E.C Grup me aksioner Vangjush Mbriçen, ka përfituar në periudhën 2019-2024 tendera në vlerë 250 milionë lekë ose rreth 2.5 milionë euro. Pra, të gjithë subjektet e një skeme masive abuzimi kanë shtuar fitimet miliona euro nga paratë publike.
Top Channel