Xhemal Meta që u gjet i pajetë dy ditë më parë në fshatin Shëngjin i Vogël në Qafë Mollë, rezulton të jetë vrarë nga fqinji i tij.
81-vjeçari u gjet pa shenja jete mëngjesin e 13 janarit në oborrin e banesës në periferi të Tiranës, i goditur me sende të forta në pjesën e pasme të kokës.
Pas hetimeve për ngjarjen, policia doli në përfundimin se ai u vra me çekiç për motive të dobëta e më pas u grabit nga fqinji tij, Isuf Hasa, 64 vjeç.
“Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se më datë 13.01.2025, rreth orës 09:00, shtetasi Isuf Hasa, 64 vjeç, ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me një mjet të fortë (çekiç) në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen.
Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimën i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është largua”, tha policia.
Policia deklaroi se nga kontrollet e ushtruara në disa banesa të autorit dhe familjarëve te tij, u gjetën 200.00 mijë lekë të rinj, ndërsa çekiçin e kishte fshehur në banesën e vajzës së tij në Vorë.
Lidhur me ngjarjen u morën sot në pyetje 20 banorë të fshatit në policinë e Tiranës.
81-vjeçari jetonte i vetëm në fshat, ndërsa familjarët e tij jetojnë në kryeqytet. Këta të fundit kanë deklaruar se i moshuari nuk kishte konflikte me askënd.
Autori i ngjarjes është arrestuar dhe çështja është regjistruar si vrasje me paramendim.
Top Channel