Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II nuk u informua për gati 10 vjet se Anthony Blunt, një inspektor i pikturave të mbretëreshës dhe anëtar i familjes mbretërore, kishte pranuar se ishte një agjent i dyfishtë sovjetik, sugjerojnë dosjet e sigurisë që më parë ishin sekrete.
Sipas The Guardian, dokumentet e deklasifikuara të MI5 hedhin dritë mbi mënyrën se si shërbimet e sigurisë mbajtën me kujdes lajmin se historiani i artit, i cili ishte pjesë e rrjetit famëkeq të spiunazhit Cambridge Five, kishte pranuar fajin në prill të vitit 1964. Regjistrimet tregojnë se Mbretëresha u informua vetëm në vitin 1973.
Vetëm kur u ngritën shqetësime për shëndetin e Blunt dhe për publicitetin negativ që mund të pasonte nëse rrëfimi i tij dhe imuniteti nga ndjekja penale do të bëheshin të ditura pas vdekjes së tij, qeveria e Edëard Heath kërkoi që sekretari privat i monarkes, Martin Charteris, ta informonte atë plotësisht.
Charteris raportoi se “ajo e priti gjithë situatën shumë qetësisht dhe pa habi: ajo kujtoi që ai kishte qenë nën dyshime që në periudhën pas çështjes Burgess/Maclean. Dukshëm dikush i kishte përmendur diçka në fillim të viteve 1950, ndoshta menjëherë pas trashëgimit të fronit”, vuri në dukje drejtori i përgjithshëm i atëhershëm i MI5, Michael Hanley, në mars të vitit 1973.
Hanley kishte kërkuar nga Pallati Mbretëror katër muaj më parë që të ndërprisnin lidhjet me Blunt, i cili vazhdoi të mbante postin dhe madje u dekorua me titull kalorësiak pas pranimit të tij se kishte spiunuar për rusët ndërsa ishte një zyrtar i lartë i MI5, pasi ishte rekrutuar si pedagog në Universitetin e Kembrixhit në vitet 1930.
“Charteris mendonte se mbretëresha nuk e dinte dhe nuk shihte ndonjë përfitim në informimin e saj tani; kjo vetëm do t’i shtonte shqetësimet e saj.” Blunt ishte gati të dilte në pension në moshën 65-vjeçare nga posti i tij. Charteris pohon se “mbretëresha nuk kishte ndonjë simpati për Blunt dhe e shihte atë rrallë.”
Dosjet, të lëshuara në Arkivin Kombëtar, tregojnë se sekretari privat i atëhershëm i Mbretëreshës, Michael Adeane, ishte informuar vetëm për qëllimin e MI5 për të marrë në pyetje Blunt mbi prova të reja në vitin 1964, por nuk u njoftua për rrëfimin e tij të vërtetë deri në vitin 1967. Në vitin 1971, Ministria e Brendshme i tha Hanley-t për Blunt se “Mbretëresha nuk dinte asgjë për të dhënat e tij të sigurisë”. Hanley vërejti me ironi: “Thashë se pas vdekjes së tij, ajo mund të mësojë shumë nga gazetat”.
Dosjet duket se vënë në pikëpyetje narrativën e mëparshme në raportimet mediatike dhe në libra, që pretendonin se Mbretëresha ishte informuar menjëherë pas rrëfimeve. Sipas një historie zyrtare të MI5 nga Prof. Christopher Andreë, Heath ishte informuar më vonë se, mbretëresha nuk kishte qenë plotësisht në errësirë, pasi i ishte thënë “në terma më të përgjithshëm rreth një dekadë më parë”.
Nëse Mbretëresha ishte mbajtur në errësirë, ajo nuk ishte e vetmja. Dosjet e sigurisë kanë treguar më parë se Alec Douglas-Home, i cili ishte kryeministër në vitin 1964, nuk ishte informuar deri kur rrëfimi u bë publik nga Margaret Thatcher në vitin 1979. Blunt u lejua të mbante postin e tij mbretëror sepse “interesi më i madh publik ishte që asnjë ndryshim të mos bëhej i dukshëm në statusin e tij të jashtëm.”
Blunt, i cili vdiq në moshën 75-vjeçare në vitin 1983, ishte një nga të ashtuquajturit “Pesëshja e Kembrixhit,” së bashku me Kim Philby, Donald Maclean, Guy Burgess dhe John Cairncross. Ata ishin rekrutuar nga rusët gjatë ose pas periudhës së studimeve në Universitetin e Kembrixhit në vitet 1930 dhe arritën në pozita të larta në inteligjencën britanike, Ministrinë e Jashtme dhe Whitehall.
Agjenti i MI5, Arthur Martin, përshkruan me detaje momentin kur u përball me Blunt në apartamentin e tij mbi Institutin Courtauld më 23 prill 1964, duke përdorur si provë dëshminë e Michael Straight, një amerikan që Blunt e kishte rekrutuar në Kembrixh. Blunt kishte qenë nën dyshime të MI5 dhe ishte marrë në pyetje 11 herë që nga dezertimi i Burgess dhe Maclean në Rusi në vitin 1951.
Martin përshkruan se si faqja e djathtë e Blunt “dridhej shumë” ndërsa ai e hodhi poshtë dëshminë e Straight si “fantazi e pastër.” Martin i ofroi Blunt imunitet nga ndjekja penale. Pas një kohe heshtjeje, “Përgjigjja e Blunt ishte: ‘Më jepni pesë minuta që të luftoj me ndërgjegjen time,'” shkroi Martin. “Ai doli nga dhoma, mori një pije, u kthye dhe qëndroi te dritarja duke parë jashtë në Portman Square. I dhashë disa minuta heshtjeje dhe pastaj i bëra apel sërish që të çlirohej nga gjithë kjo peshë. Ai u kthye te karrigia dhe tregoi historinë e tij.”
Gjatë rrëfimit, nervozizmi i Blunt ishte i dukshëm: “Çdo pyetje pasohej nga një pauzë e gjatë gjatë së cilës Blunt dukej sikur debatonte me veten se si duhej të përgjigjej.” Në fund, “ai dukej vërtet i shkatërruar,” shkroi Martin. Blunt shprehu “lehtësimin e tij të thellë.”
Gjatë disa intervistave, Blunt përshkroi se si Burgess, i vendosur në ambasadën britanike në Uashington së bashku me Philby, ishte kthyer papritur në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1951 për të paralajmëruar Maclean, që punonte në Ministrinë e Jashtme, se ishte në rrezik të ekspozimit dhe duhej të shkonte në Rusi.
Burgess, një pijanec i njohur, ishte “në një gjendje të tmerrshme”, duke “u sjellë në mënyrë të turpshme,” tha Blunt, duke shtuar se rusët i kishin thënë: “Më kanë thënë se duhet të shkoj edhe unë.” Blunt dyshoi për këtë, duke menduar se një veprim i tillë mund të ekspozonte Philby dhe atë vetë. “Ky nuk ishte plani,” tha ai. Nëse edhe Burgess do të largohej, “do të shkatërronte gjithçka.” Blunt besonte se Burgess e kishte bindur drejtuesin e tij rus, “Peter” – Yuri Modin – që ta linte të largohej, pasi e dinte se “jeta e tij në Angli kishte përfunduar.”
Kur erdhi për t’u përshëndetur, Burgess ishte “në një gjendje kolapsi absolut dhe kishte marrë, oh, të gjitha llojet e gabuara të drogës së bashku me shumë alkool,” tha Blunt.
Dosjet po publikohen përpara hapjes në pranverë të një ekspozite që fokusohet te puna e MI5 në Arkivat Kombëtare në Kew, në jugperëndim të Londrës. Ekspozitat do të përfshijnë një raport të gjallë për intervistën e Blunt dhe një rrëfim të dorës së parë për rrëfimin e Philby-t në vitin 1963.
Top Channel