Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në paraqitjen e tij të parë në Parlamentin Evropian ka kërkuar që vendet evropiane të rrisin investimet e tyre në mbrojtje, sepse siguria që sot gëzojnë s’mund të jetë e garantuar me kapacitetet ekzistuese.
Rutte shprehu bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë të përkushtuara ndaj NATO-s, por i ka dhënë të drejtë edhe presidentit të zgjedhur, Donald Trump se vendet evropiane duhet në investojnë më shumë në mbrojtje.
Shefi i NATO-s deklaroi se është iluzion që të formohet një “NATO Evropiane” pa SHBA-në, së paku në 20 vitet e ardhshme, pasi për një gjë të tillë vendet evropiane do të duhej të ndajnë 8 për qind për mbrojtje nga bruto prodhimi i tyre vendor.
“Mbi 60 për qind e investimeve në mbrojtje, që në total bëjnë të gjitha vendet e NATO-s, janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra të gjitha 31 vendet tjera, përfshirë edhe Kanadanë, ndajnë më pak se 40 për qind. Kjo dëshmon se sa iluzion është një NATO e fortë pa Amerikën. Dhe një NATO e tillë nuk na nevojitet pasi kjo që kemi na ka shërbyer kaq mirë që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë Rutte.
Momentalisht kërkesa e NATO-s është që vendet anëtare të shpenzojnë së paku 2 për qind nga PBB për mbrojtjen.
“Ne sot kemi siguri, por nuk do ta kemi në pesë vitet e ardhshme. Pra ose investoni më shumë në mbrojtje ose regjistrohuni në një kurs të gjuhës ruse apo shkoni në Zelandën e Re”, u ka thënë Rutte deputetëve të Parlamentit Evropian, duke kërkuar nga ata që të ndihmojnë në rritjen e investimeve në mbrojtje.
Top Channel