Hamasi pritet të lirojë 33 pengje gjatë fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit që po finalizohet në Doha, thanë dy zyrtarë izraelitë.
Izraeli beson se shumica e 33 pengjeve janë gjallë, por trupat e pengjeve të vdekur do të jenë gjithashtu në mesin e atyre që do lirohen gjatë armëpushimit fillestar 42-ditor.
Zyrtari i lartë izraelit tha se palët duket se janë në prag të një marrëveshjeje dhe se Izraeli është gati ta zbatojë menjëherë atë pasi të jetë nënshkruar.
Forcat izraelite do të jenë të pranishme përgjatë Korridorit të Filadelfisë, një rrip i ngushtë toke përgjatë kufirit të Egjiptit me Gazën, gjatë fazës së parë të marrëveshjes. Prania e trupave izraelite përgjatë korridorit kontribuoi më parë në prishjen e një marrëveshjeje të mundshme në shtator.
Izraeli gjithashtu do të mbajë një zonë neutrale brenda Gazës përgjatë kufirit me Izraelin, tha zyrtari, pa specifikuar se sa e gjerë do të ishte ajo zonë.
Banorët e Gazës veriore do të lejohen të kthehen lirshëm në veri, por zyrtari izraelit pretendoi se do të kishte “rregullime sigurie”.
Të burgosurit palestinezë që konsiderohen përgjegjës për vrasjen e izraelitëve nuk do të lirohen në West Bank, por në Rripin e Gazës ose jashtë saj, sipas marrëveshjeve me vendet e huaja.
Kujtojmë se kjo vjen pasi një zyrtar i lartë izraelit u tha gazetarëve të hënën se një “përparim” në bisedime erdhi të dielën vonë në mbrëmje gjatë takimit të drejtorit të agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad, David Barnea me ndërmjetësit në Doha.
“Flitet për një marrëveshje në të ardhmen e afërt, është e pamundur të them nëse është çështje orësh apo ditësh”, tha zyrtari izraelit.
Zyrtari tha se Izraeli është i përgatitur të zbatojë marrëveshjen, por së pari duhet të kalojë si nga kabineti i sigurisë ashtu edhe nga kabineti i plotë qeveritar. Qeveria gjithashtu duhet t’u lërë kohë kundërshtarëve të marrëveshjes që të bëjnë kërkesë në Gjykatën e Lartë.
Negociatat për arritjen e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit, e cila synon t’i japë fund luftës, do të fillojnë në ditën e 16-të të zbatimit të marrëveshjes.
Top Channel