Reshjet e dendura të dëborës, të shoqëruara me erë të fortë dhe temperatura që kanë rënë deri në minus 5 gradë Celsius, kanë shkaktuar probleme në qytetin e Bulqizës.
Dëbora ka mbuluar të gjitha rrugët, duke e bërë të vështirë qarkullimin e mjeteve, veçanërisht në akset rurale. Përveç rrugëve, dëbora ka pushtuar edhe hyrjet e pallateve, duke bllokuar shkallët dhe korridoret, raporton korrespondenti i Top Channel Dëfrim Karaj.
Shumë shkallë pallatesh janë të mbuluara plotësisht nga dëbora, duke krijuar kushte të rrezikshme për banorët.
Autoritetet lokale kanë ndërmarrë masa për pastrimin e rrugëve dhe shkallëve me mjete speciale borëpastruese, ndërsa po vazhdon kriposja e rrugëve për të parandaluar ngricat. Sipas meteorologëve, reshjet e dëborës pritet të vijojnë edhe gjatë natës, duke përkeqësuar më tej situatën.
Për shkak të kushteve të motit të keq, qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin udhëtimet, për të garantuar sigurinë personale dhe të tjerëve.
Top Channel