Institucionet shëndetësore të Los Angeles ka dhënë së fundmi një përditësim lidhur me viktimat nga zjarret që po vazhdojnë në rajon. Sipas raportit, 11 vdekje janë lidhur me Zjarrin Eaton dhe 5 me Zjarrin Palisades, duke e çuar numrin e konfirmuar të viktimave në të paktën 16.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se ky numër ka të ngjarë të rritet ndërsa hetimet dhe përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.
Zjarrfikësit dhe avionët kanë vijuar të luftojnë me zjarret përreth Los Angeles, pasi erërat në rajon po forcohen dhe pritet të intensifikohen në ditët në vijim.
Zyrtarët thonë se erërat e forta të shkretëtirës, të njohura si Santa Anas, do të intensifikohen të dielën dhe do të vazhdojnë deri në gjysmën e parë të javës.
Shefi i zjarrfikësve të qarkut LA, Anthony Marrone, tha se këto erëra do të krijojnë “kushte për zjarret” deri të mërkurën.
Kjo ka shtuar frikën se zjarret mund të përhapen në komunitete të populluara dendur, siç ndodhi javën e kaluar.
Malibu ka humbur një të tretën e skajit lindor të qytetit, thotë Kryetari i Bashkisë, Doug Stewart.
Duke iu drejtuar një takimi komunitar të shtunën në mbrëmje, Stewart deklaroi se Malibu është përballur me tre zjarre në tre muajt e fundit, por zjarri në Palisades ka qenë më shkatërruesi.
Ai tha se “shtëpitë e bukura” përgjatë Autostradës së Bregut të Paqësorit janë shkatërruar, po ashtu edhe komuniteti Big Rock.
“Na pret një punë e madhe për rindërtim, por ende nuk kemi dalë nga rreziku i zjarreve,” tha Stewart, duke shpjeguar se erërat e forta të ardhura nga shkretëtira do ta komplikojnë përpjekjen e ekipeve për të luftuar zjarrin të dielën.
Top Channel