Gjatë fushatës presidenciale, republikani Donald Trump veçoi qytetin Aurora të shtetit Kolorado, si një shembull të krimeve të kryera nga emigrantët, situatë që ai tha se do të zgjidhet përmes dëbimeve masive.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Shelley Schlender nga qyteti Aurora i Kolorados, guvernatori i këtij shteti ka thënë se e mirëpret ndihmën e qeverisë federale për të dëbuar pjesëtarët e bandave kriminale, por do të kundërshtojë planet më të gjera për dëbimin e emigrantëve.
Rreth 20% e banorëve në Aurora të Kolorados janë emigrantë. Udhëheqësit lokalë në këtë periferi të Denverit thonë se janë të kënaqur nga etika e tyre e punës dhe shumëllojshmëria kulturore.
Por një video e muajit gusht nga Aurora tërhoqi vëmendjen kombëtare gjatë fushatës presidenciale vitin e kaluar. Pamjet tregojnë njerëz të armatosur që shkojnë derë më derë në një pallat për persona me të ardhura të ulëta. Sipas autoriteteve, shumica janë emigrantë pa dokumente dhe dyshohet se kanë lidhje me një bandë të krijuar në burgjet e Venezuelës.
Duke reaguar pas videos, kandidati i atëhershëm Donald Trump zhvilloi një tubim në Aurora në prag të zgjedhjeve duke kërkuar mbështetje për një plan masiv dëbimi të quajtur ‘Operacioni Aurora’.
“Do ta shpëtoj Aurorën dhe çdo qytet të pushtuar (nga emigrantët). Këta kriminelë të egër dhe gjakatar do t’i burgosim ose dëbojmë nga vendi ynë. Do të jemi shumë të efektshëm në këtë drejtim”, tha zoti Trump gjatë një tubimi më 11 tetor të vitit 2024.
Në dhjetor, pas grabitjes së një shtëpie dhe një incidenti rrëmbimi në të njëjtin kompleks banimi, organet e emigracionit ndaluan 16 emigrantë pa dokumente nga Venezuela, të dyshuar për lidhje me bandën “Tren de Aragua”. Megjithatë, kryebashkiaku dhe shefi i policisë së Aurorës vazhdojnë të thonë se bandat kriminale janë pjesë e vogël e komunitetit të emigrantëve në qytet.
Zëri i Amerikës bisedoi me Crystal Murillo e cila drejton organizatën jofitimprurëse “Aleanca e Popullit të Kolorados”.
“Kaloj pranë kompleksit të apartamenteve me qentë e mi të vegjël që nuk janë qen sigurie”.
Aktivisti i komunitetit, Lamine Kane, thotë nxitja e frikës nga emigrantët ndikon tek jetët e të gjithëve.
“Kur përpiqem t’i shpjegoj një familje emigrante që fëmija e tyre mund të shkojë në shkollë dhe ata mund të shkojnë në kishë, ata thonë se druhen se mos futen në telashe dhe se fëmija e tyre mund të ndahet nga ata nëse shkon shkollë tani”.
Zoti Trump tha gjatë tubimit në Aurora se disa nga emigrantët janë ndër individët më të këqij në botë.
“Ata vijnë nga birucat, nga burgjet e vendeve të botës së tretë, nga azilet e të çmendurve dhe institucionet mendore”, tha zoti Trump gjatë një tubimi më 11 tetor, 2024.
Ai tha se bandat e emigrantëve e kanë “pushtuar” Aurorën dhe se guvernatori i Kolorados, nuk e ka idenë, siç u shpreh ai.
Nën guvernatorin Jared Polis, “Zyra e Amerikanëve të Rinj në Kolorado”, i ndihmon emigrantët të gjejnë punë, ofron arsim për fëmijët e emigrantëve në shkollat publike falas dhe ofron siguracion shëndetësor me kosto të ulët, madje edhe për emigrantët pa dokumente. Shpenzimet mbulohen nga fondet shtetërore dhe nuk jo ato federale.
Guvernatori Jared Polis komentoi për rrjetin CNN lidhur me planet e zotit Trump për dëbimin e emigrantëve pa dokumente.
“Duam më shumë ndihma federale për të mbajtur të sigurta komunitetet dhe luftuar ata që bëjnë krime, qofshin amerikanë apo emigrantë. Kur flitet për familjet e palodhura që luajnë një rol kritik në ekonominë tonë, si në sektorin bujqësor apo ndërtimtari, ne do bëjmë gjithçka brenda mundësive tona ligjore për të mbrojtur ekonominë dhe begatinë tonë”.
Guvernatori Polis tha se shpreson të punojë me administratën e ardhshme të Presidentit Trump për të ndihmuar të gjithë banorët e Kolorados, përfshirë edhe emigrantët. /VOA
Top Channel