Qeveria braziliane i ka dhënë kompanisë Meta afat deri të hënën për të shpjeguar ndryshimet në programin e saj të kontrollit të fakteve.
Komunikimi u bë nga avokati më i lartë i qeverisë braziliane, Jorge Messias. Kërkesa vjen pasi kompania hoqi programin e saj të kontrollit të fakteve në SHBA dhe reduktoi kufizimet rreth temave si emigracioni dhe identiteti gjinor.
Nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë pasi të mbarojë afati i vendosur nga qeveria braziliane.
“Dua të shpreh shqetësimin e madh të qeverisë braziliane për politikën e miratuar nga kompania Meta, e cila është si matëse erërash në aeroport, që ndryshon pozicionin e saj sipas rrymës se tyre. Shoqëria braziliane nuk do përfundojë në mëshirën e kësaj lloj politike”, u tha gazetarëve Messias.
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva tha se ndryshimet ishin “jashtëzakonisht serioze” dhe njoftoi se kishte thirrur një takim për të diskutuar këtë zhvillim. Meta nuk e ka komentuar akoma kërkesën e qeverisë braziliane.
Top Channel