Lufta në Gaza, studimi: Numri i vdekjeve është 41% më i lartë se shifrat e bëra publike

12/01/2025 16:14

Një studim i ri i publikuar në revistën “The Lancet” arrin në përfudnimin se numri i të vdekurve nga lufta e Izraelit kundër militantëve të Hamasit në Gazë është shumë më i lartë se shifrat zyrtare, të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë e këtij territori që kontrollohet po nga Hamasi.

Një studim i ri i publikuar në revistën prestigjoze “The Lancet” thotë se numri i viktimave të luftës në Gazë është rreth 64 mijë, rreth 40% më e lartë se shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e Rripit të Gazës, që kontrollohet nga Hamasi.

Studimi tregon se zyrtarët e Gazës e kanë ulur numrin e vdekjeve me më shumë se 40 përqind gjatë periudhës 7 tetor 2023 dhe 30 qershor 2024.

“Në realitet, vdekshmëria mund të jetë më e lartë nëse përfshijmë gjithashtu ata që kanë humbur jetën pasi nuk kanë patur qasjte tek kujdesi shëndetësor, vdekjet nga goditjet në zemër apo sëmundjet infektive, vdekjet e grave shtatzëna që nuk mund të kenë patur qasje tek mjeku gjatë lindjes”, thotë Zeina Jamaluddine, bashkautore e studimit në revistën “The Lancet” .

59 % e viktimave ishin gra, fëmijë dhe të moshuar, sipas raportit të revistës “The Lancet”, shifër kjo pothuajse e njëjtë edhe me studimet e tjera.

Studimi i fundit nuk përfshin numrin e luftëtarëve të Hamasit në mesin e të vdekurve.

Ambasada e Izraelit në Londër i tha Zërit të Amerikës përmes një deklarate se “çdo informacion që rrjedh nga Gaza nuk mund të besohet, dhe nuk mund të injorohet historia e revistës ‘The Lancet’ për njëanshmërinë kundër Izraelit”.

Zëri i Amerikës nuk është në gjendje të verifikojë shifrat pasi Izraeli nuk i lejon gazetarët në Gazë.

Studiuesit ndërthurën tre burime: Ministrinë e Shëndetësisë së Gazës që drejtohet nga Hamasi, një studim në internet të vdekjeve të raportuara dhe nekrologjitë në mediat sociale, thotë bashkautorja e studimit.

“Është e rëndësishme që brenda secilës listë të mos kemi dyfishime, kështu që nuk duam të kemi të njëjtin person të përmedur disa herë. Më pas i krahasuam listat”, thotë Zeina Jamaluddine, bashkautore e studimit në revistën “The Lancet”.

E njëjta teknikë është përdorur për të vlerësuar vdekjet në konflikte të tjera thotë bashkautorja e studimit.

“Është përdorur në Sudan dhe Jemen. Është përdorur edhe në Kosovë dhe disa nga këto prova janë përdorur në GJND [Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, thotë Zeina Jamaluddine, bashkautore e studimit në revistën “The Lancet” .

Izraeli e filloi luftën kundër Hamasit në Gaza pas sulmit të grupit militant më 7 tetor të vitit 2023, i cili vrau më shumë se 1200 njerëz, kryesisht civilë.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe të tjerë e kanë cilësuar Hamasin si organizatë terroriste. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA