Hetoi Presidentin Trump për dokumentet sekretete dhe përpjekjet për përmbysjen e zgjedhjeve në 2020, jep dorëheqjen Prokurori Jack Smith

11/01/2025 22:41

Prokurori i posaçëm Jack Smith ka përfunduar punën e tij mbi dy hetime penale ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe ka dhënë dorëheqjen të premten nga Departamenti i Drejtësisë.

Lajmi për largimin e Smith-it erdhi në një shënim në një dokument gjyqësor që zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë i dorëzuan Gjykatëses Aileen Cannon të Gjykatës së Qarkut të SHBA-së të shtunën pasdite, duke i kërkuar asaj të mos zgjasë një urdhër gjykate që ajo lëshoi javën e kaluar, i cili përkohësisht ndalon publikimin e raportit përfundimtar që Smith ia dorëzoi drejtuesve të departamentit të martën.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thonë se urdhri i Cannon-it ka tejkaluar autoritetin e saj dhe se ajo nuk ka fuqi të ndalojë Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland nga publikimi i gjetjeve të Smith-it. Ndalimi i saj për zbulimin e raportit të Smith-it është i vlefshëm deri të hënën.

Garland ka deklaruar se planifikon të publikojë vetëm pjesën e raportit të Smith-it që mbulon hetimin e tij për përpjekjen e Trump për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020. Në dokumentet gjyqësore, Prokurori i Përgjithshëm ka thënë se është dakord me rekomandimin e Smith-it për ta mbajtur pjesën tjetër të raportit — e cila trajton hetimin mbi posedimin nga Trump të një sërë dokumentesh të klasifikuara në Mar-a-Lago pasi la detyrën në 2021 — të fshehtë për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme të prokurorëve për të ringjallur një çështje penale kundër dy aleatëve të Trump-it dhe ish-bashkëpandehurve. Në vend të kësaj, Garland synon ta tregojë atë raport vetëm një grupi të vogël anëtarësh të Kongresit.

Dorëheqja e Smith-it para përfundimit të mandatit të Presidentit Joe Biden ishte e pritshme dhe ishte paralajmëruar nga zyrtarë të tjerë të Departamentit të Drejtësisë. Trump ka bërë thirrje të përsëritura që Smith të ndiqet penalisht për mënyrën se si ka trajtuar çështjet kundër tij dhe madje ka sugjeruar që ai të dëbohet nga Shtetet e Bashkuara.

Largimi i Smith-it i jep fund një prej kapitujve më të jashtëzakonshëm dhe të trazuar në historinë e Departamentit të Drejtësisë, duke çuar në akuza të rënda penale kundër Trump-it, ish-presidenti i parë që përballet ndonjëherë me ndjekje penale.

Megjithatë, të dyja çështjet e ngritura nga Smith u penguan nga gjykatat. Cannon hodhi poshtë çështjen e dokumenteve në korrik, duke vendosur se Garland nuk kishte autoritetin për ta emëruar Smith-in që në fillim. Ndërkohë, Gjykata e Lartë shtyu çështjen e zgjedhjeve të vitit 2020 për muaj të tërë, ndërsa shqyrtonte pretendimin e Trump-it për imunitet nga akuzat — duke çuar në një vendim historik që sanksionon imunitet të gjerë presidencial.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA