Donald Trump pohoi se po organizohet një takim mes tij dhe presidentit rus Vladimir Putin.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, sipas BBC-së, nuk dha asnjë afat kohor se kur mund të zhvillohet biseda kokë më kokë. “Ai dëshiron që të takohemi dhe ne po angazhohemi për këtë”, u shpreh president ii zgjedhur i SHBA-së nga rezidenca e tij në Florida.
Agjencia ruse e lajmeve Tass citon ndërkohë zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të pohojë se nga SHBA, ende nuk ka asgjë zyrtare lidhur me një takim të tillë. Trump është zotuar të negociojë një fund luftës në Ukrainë menjëherë sapo të marrë detyrën më 20 janar, teksa është shprehur vazhdimisht skeptik për mbështetjen ushtarake dhe financiare të SHBA për Kievin. “Putin e ka thënë dhe publikisht se kjo luftë duhet mbyllur. E gjithë kjo është rrëmujë e përgjakshme, u shpreh Trump. Republikani ka caktuar Keith Kellogg, ish-këshilltar për sigurinë kombëtare dhe gjeneral-lejtnant në pension në ushtrinë amerikane, si të dërguar special në Ukrainë dhe Rusi. Kellogg ka paraqitur idetë e tij se si SHBA mund t’i japë fund konfliktit dhe propozon që Ukraina të përfitojë ndihmë të mëtejshme nga SHBA vetëm nëse pranon të marrë pjesë në bisedimet e paqes me Moskën.
Një ditë më parë, sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin mblodhi homologët e tij botërorë, pjesë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, për një takim të fundit të këtij grupi nën patronazhin e tij. Në takim mori pjese edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili i bëri thirrje administratës së ardhshme amerikane që të mos e braktisë Ukrainën.
Gjatë kësaj vizite në bazën ushtarake amerikane të Ramstein në Gjermani, administrata e Presidentit Biden njoftoi paketën e fundit të ndihmës ushtarake për Kievin në vlerë prej 500 milionë dollarësh.
Top Channel