Kryeministri Edi Rama, ka prezantuar “Urat e reja për Shqipërinë 2030”, një program i ri zhvillimi i pronave publike, për të ndërtuar përmes partneriteteve me sipërmarrjen private vepra të reja të infrastrukturës publike, administrative, turistike, kulturore e sociale.
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Është kënaqësi që jemi këtu bashkë me ju, përfaqësues të sipërmarrjes, përfaqësues të sektorit bankar, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, lidhur me prezantimin e një faze të re të programit tonë të zhvillimit të pronave publike në funksion të përmirësimit të kushteve të administratës shtetërore, lidhur me hapësirat e punës dhe po ashtu në funksion të krijimit të partneriteteve, të cilat do të japin mundësi që nga zhvillimi i pronave publike të përfitojë drejtpërdrejtë financiarisht edhe sektori publik.
Besoj që të gjithë i keni parasysh ende sot e gjithë ditën, skelete fabrikash apo ndërmarrjesh të vjetra që vijojnë të cenojnë peizazhin tonë dhe janë shëmbëlltyra të proceseve të shkuara të privatizimeve, të cilat në një pjesë të konsiderueshme nuk kanë sjellë asnjë rezultat tjetër, përveç degradimit të mëtejshëm të këtyre aseteve.
Ndërkohë që, ne jemi sot këtu për të ndarë me ju një qasje tërësisht tjetër të bazuar në eksperiencat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, nisur posaçërisht nga eksperiencat e Italisë dhe të Spanjës, të cilat prej shumë e shumë vitesh kanë ngritur struktura të ngjashme me strukturën e Korporatës Shqiptare të Investimeve ose siç e quajmë edhe ligjërisht Albanian Investment Coorporation, struktura që janë pikërisht në dispozicion të sektorit publik dhe shërbejnë si ura shumë të fuqishme për ndërveprime dhe bashkëpunime komplekse me sektorin privat.
Faktikisht, sot ne jemi këtu për të prezantuar disa projekte të para që janë rezultat i konkurseve ndërkombëtare, projekte që lidhen me zhvillime të përbashkëta me sipërmarrjen. Natyrisht që do të vendosen përmes garave të hapura dhe që synojnë nga njëra anë, t’i vënë në dispozicion shtetit hapësira të reja, hapësira me standarde europiane për aktivitetin e administratës publike dhe nga ana tjetër, t’i japin mundësi sipërmarrjes që në këmbim të bëjë biznes, duke hyrë në një marrëdhënie me shtetin, të njëjtë si marrëdhënia e përditshme e sipërmarrjes në fushën e ndërtimit me pronarët privatë.
Nuk do të zgjatem më tutje me këtë prezantim hyrës sepse këtu bashkë me mua është ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, është Kryetari i Bashkisë së Tiranës, është dhe drejtuesja e Korporatës Shqiptare të Investimeve që besoj të gjithë së bashku do ta bëjnë të plotë mozaikun për të gjithë ju dhe pastaj jemi të gjithë në dispozicion për të gjitha pyetjet e mundshme që mund të keni për të sqaruar sesi do të funksionojë dhe si do të vijojë ky proces.
Unë jam i bindur që ky proces do të na japë mundësinë të krijojmë një profil të ri për sektorin publik, një profil sipërmarrës, i cili do të na fusë edhe ne në klubin e vendeve që tanimë këto praktika dhe këto eksperienca i kanë shumëvjeçare dhe shumë të konsoliduara, por nga ana tjetër, ajo që është më e rëndësishmja është se si rezultat, shteti nuk do të zhvishet nga pjesëmarrja në zhvillimin e pronës, duke humbur kështu mundësinë që nëpërmjet kësaj pjesëmarrjeje të marrë edhe përfitimet në funksion të interesit publik, por do të jetë një aktor në bashkëpunim me aktorët e tjerë të tregut.
Tjetra që është e rëndësishme është që nëpërmjet këtij instrumenti të ri, ne faktikisht ju japim mundësi të gjitha institucioneve që të përdorin instrumentin për të zhvilluar pronat që kanë në funksion të interesave të tyre publike dhe nga ana tjetër, i japim mundësi sipërmarrjes që në shumë raste kur, siç me siguri disa këtu e dinë, për të zhvilluar një pronë private ndeshen me problematika që lidhen me një copëz apo me një pjesë prone që është pronë e shtetit të mund të përdorin këtë instrument, jo më siç ka ndodhur në të shkuarën që ose duhet ta lëshoje atë pronë, flas për shtetin, pa marrë asgjë mbrapsht, por thjesht një çmim simbolik, por që në të shumtën e herës mbetej një procedurë e parealizueshme që tërhiqte zvarrë me vite e vite investimet private ose mos të reagoje fare dhe kështu, faktikisht, të pezulloje përfundimisht një mundësi zhvillimi privat.
Ju faleminderit edhe njëherë për praninë tuaj.
Ky është një proces që ka nevojë, në radhë të parë, për një njohje të plotë nga të gjithë aktorët të mënyrës së funksionimit, ka nevojë për një dialog për të përmirësuar më tej mekanizmin sepse është vetëm fillimi i kësaj praktike të re dhe ka nevojë për transparencë dhe qartësi të plotë në mënyrë që të garantohet edhe konkurrenca dhe nga ana tjetër, që në fund të gjitha palët të dalin të kënaqura.
Shumë faleminderit!
Besoj që për momentin komunikimi ishte shterues, por edhe diçka tjetër që mbase duhet nënvizuar është që në ndërkohë ky është raport tërësisht dinamik që do të thotë që AIC do të mirëpresë çdo propozim që mund të vijë nga vetë, qoftë pronarët privat, qoftë sipërmarrësit, për të zhvilluar bashkërisht prona, ku shteti ka pjesën e vetë si pronar. Pra, të gjithë duhet të ndjehen të lirë dhe të mirëseardhur në dyert e Korporatës Shqiptare të Investimeve edhe për propozime, të cilat nuk figurojnë në listën e shpallur prej nesh, qoftë në kryeqytet, qoftë në çdo pjesë tjetër të territorit të vendit, ku sipas idesë përkatëse mund të ketë interes për të hyrë në një bashkëpunim me shtetin dhe ku shteti siç e tha dhe ministri, do të jetë gjithnjë e më i prirur të jetë partner i drejtpërdrejtë në investim dhe gjithnjë e më pak i gatshëm që të dorëzojë prona për zhvillim me ato kushte që janë të përshkruara në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë dhe që kanë shërbyer për një periudhë kohe që ne e konsiderojmë një periudhë kohe që tanimë është e tejkaluar, pasi, qoftë historia e lavdishme e “Shqipërisë 1 euro” që e mbani mend të gjithë, qoftë të gjitha të tjerat që janë bërë rreth këtij koncepti, kanë qenë të lidhura me faktin që Shqipëria ishte shumë pak atraktive për investimet e huaja apo për investimet private në tërësi dhe sot nuk jemi më në këto kushte.
Sot, jemi në kushtet ku edhe për zhvillime të kësaj natyre, në qytet kemi të gjitha arsyet të mendojmë që, jo vetëm sipërmarrësit vendas, që janë baza e këtij partneriteti dhe që ne duam të jenë aleatët më strategjik të AIC-së, por edhe sipërmarrës dhe fonde të huaja kanë shprehur interes.
Edhe një element tjetër, ju e dini shumë mirë e këtu kam parasysh investitorët dhe sipërmarrësit në ndërtim. E dini shumë mirë që një pjesë jo e lehtë e procesit, është gjithë pjesa që ka të bëjë me projektin, pastaj me burokracinë etj, ndërkohë që në këtë rast merret drejtpërdrejtë një projekt dhe një leje zhvillimi e dhënë, që do të thotë që, gjithë kjo pjesë kohe dhe konsumi i jashtëzakonshëm energjish dhe që ka të bëjë me pjesën parapërgatitore është e ezauruar faktikisht nga partneri shtet.
Dhe e fundit, absolutisht ne kemi qenë shumë të vëmendshëm që të vendosemi në raport me sipërmarrësit në të njëjtin pozicion si pronari privat, që do të thotë: as mos të kërkojmë diçka që del jashtë parametrave mesatarë të tregut, por as të mos si të thuash bëjmë atë që është bërë në të kaluarën që thjeshtë të lëshojmë territor për të thjeshtë fasilituar një zhvillim privat.
Shteti do të jetë absolutisht një partner i njëjtë me të gjithë partnerët e pafundme që janë në territor si pronar privat, por shumë më i thjeshtë se është 1, nuk janë 30, 40, 50, 145 dhe në ndërkohë me kushte edhe me kërkesa shumë të qartë. Llogaritë janë bërë dhe janë ribërë shumë shpesh dhe faktikisht ato që patë, janë të llogaritura më së miri për t’i dhënë mundësi partnerit privat që në fund të gjithë procesit të këtë një marzh fitimi të konsiderueshëm, marr parasysh fitimin që sot është ai që mund të konsiderohet fitimi normal edhe pse është ende jo normal, në raport me tregje të tjera për shkak të kërkesës shumë të lartë që ka ende Shqipëria në këtë fushë.
Ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare, ndërtimi i polit qeveritar që e patë në projekt, ku praktikisht do të akomodohen mbi 20 institucione dhe do të punojnë aty brenda rreth 13 mijë punonjës, janë vepra që mund të bëhen vetëm në këtë mënyrë sot për sot, ndërkohë që do të na kursejnë jashtëzakonisht shumë ne si përfaqësues të interesit publik, shpenzime për qira, shumë shpenzime për qira, një fragmentim shumë të madh të punës së institucioneve, kushte jo gjithmonë optimale për shkak se hapësirat e marra me qira janë të gjithëfarsojshme dhe mungesë serioziteti në këtë fazë të zhvillimit të vendit për një shtet që ka një administratë nga e cila kërkohet gjithmonë e më shumë dhe nga ana tjetër, do të na japin mundësinë që të zhvillojmë territore siç është për shembull, territori këtu afër i ashtuquajtur tek Vilat Gjermane që është një territor shumë qendror, me një vlerë shumë të madhe të tokës, por që faktikisht nga pikëpamja urbane është një territor i degraduar, në raport me zonën dhe me kërkesat që ka zona, apo territori që patë tek ish-ATSH, apo territori tjetër tek Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, për të cilat ne do të marrim mbrapsht infrastrukturë publike, Kadastrën e re që është një domosdoshmëri, për të përqendruar të gjithë institucionin në një vend, e kështu me radhë, pa folur pastaj për stadiumin që besoj tani nuk ka më asnjë iluzion apo asnjë dyshim që është rruga e duhur.
Arena Kombëtare është shembulli kuptimplotë i mënyrës se si një bashkëpunim midis shtetit dhe sipërmarrjes mund të prodhojë një sukses të jashtëzakonshëm për të dyja palët. Të gjitha të dhënat që ne ndjekim nga operacioni ekonomik i stadiumit janë të jashtëzakonshme për atë investim që ishte një investim shumë, shumë i madh për hir të së vërtetës dhe me një risk të caktuar, ndërkohë që as nuk ka dyshim se edhe pjesa e përfituar për aktivitetin sportiv është e standardeve më të larta evropiane dhe e njëjta gjë do të ndodhë, jam i bindur, edhe me zonën e “Selman Stërmasi”-t, por edhe përsa i përket parkimeve.
Ne po shohim rezultat shumë domethënës në iniciativat e bashkisë për parkimet publike me partneritet dhe, edhe këtu të gjithë duhet të ndihen të mirëpritur që për çdo ide që për t’u futur në bashkëpunim me shtetin nëpërmjet AIC-së për të ndërtuar parkime publike, ta paraqesin.
Në mbyllje, AIC do të lehtësojë shumë të gjitha institucionet sepse faktikisht do të jetë një instrument në duart e institucioneve, me një staf super të kualifikuar, me ekspertizë ndërkombëtare që vjen nga institucione të ngjashme jashtëzakonisht të suksesshme në vende si Italia apo Spanja ku pasuritë e patundshme të ndërtuara nga këto institucione që janë pronë publike, janë me miliarda euro vlerë dhe në këtë mënyrë do të ndodhë edhe një lehtësim shumë i madh i barrës së shumë institucioneve për të zhvilluar pronat e tyre, edhe një tërheqje e plotë e institucioneve nga procese të ndërlikuara që kërkojnë një ekspertizë të posaçme dhe nuk është e lehtë as t’i bësh, po siç na rezulton, nuk është e lehtë as t’i gjykosh sepse kemi parë dhe po shohim çudira në gjykimin e këtyre lloj proceseve, çudira që dëmtojnë seriozisht shumë më tepër sesa zgjidhin në funksion të qëllimit për të cilat bëhen dhe siç ka ndodhur me Prokurimet Publike, të cilat po centralizohen totalisht dhe po kalojnë nga duart e gjithë ministrive dhe institucioneve të tjera, në duart e një operatori kombëtar dhe do të kenë së shpejti, shpresoj vitin e ardhshëm, edhe Inteligjencën Artificiale si mjet për t’i bërë shumë transparente, do të ndodhë dhe me të gjithë këto bashkëpunime kështu që të gjithë, edhe këtu kam parasysh të gjithë sipërmarrësit që shikoj këtu, ata që nuk janë këtu, por që i përkasin të njëjtës kategori në territor, partnerët e sektorit bankar, institucionet që përfaqësohen këtu nga ambasadat, që të ndihen absolutisht të mirëseardhur, jo vetëm për të marrë pjesë në çfarë thamë, por edhe në çdo lloj iniciative që mendojnë se ia vlen për të hyrë në këtë partneritet, njësoj si qasja që investitorët apo sipërmarrësit bëjnë tek pronarët privatë, që i shkojnë i trokasin dhe i thonë; “shiko, këtu bashkërisht ne mund të bëjmë një zhvillim”, ne jemi në dispozicion. AIC është përfaqësues i pronarit të pronës shtet për zhvillim, ku mund të trokitet dhe mund të thuhet që shiko, ne mund të bëjmë bashkë një zhvillim.
Shumë faleminderit edhe meqë është takimi i parë këtu dhe është fillimi i viti, edhe një herë një vit të mbarë për të gjithë ju.
Është e sigurtë që bankat nuk kanë nevojë për urimin tim se e kanë shumë të mbarë çdo vit në Shqipëri me shumën e likuiditetit që i rritet e i rritet, e rritet, ndërkohe që të gjithë të tjerët duan të bëjnë më shumë investime dhe kanë nevojë për më shumë kredi, por ka një lloj vështirësie sepse rehatia e të qëndruarit mbi gjithë atë kesh, në një farë mënyre e ka ulur atë urinë e fillimeve, por jam i bindur që të tjerët kanë nevojë shumë për këtë urim kështu që të gjithëve me të dy këmbët e mbara, bankave me një këmbë të mbarë.
Top Channel