Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi u paraqit sot në SPAK, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.
Ajo tha se u thirr si person që mund të ketë dijeni, ndërsa shtoi se kjo është një tentativë e SPAK për të larë fytyrën e gjyqtares Irena Gjoka.
“Është një tentativë për të larë fytyrën e Irena Gjokës, nuk cenonte hetimin nëse Spak jepte një përgjigje për publikun. U thirra si person që mund të ketë dijeni. Spak ka mundësi ta zgjerojë objektin e hetimin, pavarësisht se e ka nisur me kallëzimin e Spak, a e bën ky institucion këtë gjë, një institucion që i shërben politikës për të burgosur liderin e opozitës. Maltezi është në arrest jo për qindra milionët por se ka marrë tokën e tij në përputhje me çdo ligj, me standard të dyfishtë si mund të kesh më besim”, tha Malltezi.
Më 19 tetor 2024, ish-kryetarja e GJKKO, Irena Gjoka, i ka kërkuar SPAK që të hetojë deklaratat e Argita Berishës e cila e akuzon gjyqtaren se është filmuar duke i kërkuar 500 mijë euro një ish-eksponenti të PS.
Gjyqtarja Gjoka kërkoi hetime të thelluara nga Prokuroria e Posaçme për këto akuza publike që vajza e ish-kryeministrit ka bërë ndaj saj.
Bashkëshorti i Malltezit, Jamarbër Malltezi është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për dosjen “Partizani”, ndërsa ndaj babait të saj, Sali Berisha është caktuar masa detyrim paraqitje.
Irena Gjoka është gjyqtarja që caktoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe “arrest në burg” për Jamarbër Malltezin.
Top Channel