Skandali me pronat në Durrës, konflikti mes dy familjeve në dyert e gjykatës

07/01/2025 20:01

Praktikat shpesh abuzive për fitimin e pronësisë mbi tokën që janë shoqëruar dhe me mbivendosje të pronësisë kanë krijuar prej vitesh konflikte mes qytetarëve dhe institucioneve.

Një pronë në Romanat të Durrësit, e përfshirë prej vitesh në një konflikt të hapur mes familjeve Kapllani dhe Shaba, që shpesh ka përfunduar në dyert e gjykatës, ka shkaktuar një tjetër konflikt të ashpër me ndërhyrjen e bashkisë së Durrësit.

Çështja për pronësinë e tokës ka përfunduar në SPAK, ku familja Kapllani që deklaron se e ka fituar tokën me akte të vjetra pronësie dhe me ligjin 7501, ka denoncuar bashkinë e Durrësit dhe IMT-në e saj për cenim të së drejtës së pronës.

Nga ana tjetër, Xheladin Shaba, përfaqësues i familjes tjetër, thotë se toka ku ndodhet dhe rruga e kalimit për bashkëfshatarët, është përfituar prej tij me procedurën e regjistrimit fillestar, ndërsa shtëpia e tij ngjitur me të përmes procesit të legalizimit.

Konflikti ka përfshirë edhe banorët e zonës, pasi rruga ekzistuese që ndan dy fshatrat Romanat dhe Bozanxhie, pretendohet se është në pronësi të familjes Shaba që u ka bllokuar familjeve të tjera kalimin në të.

Në këtë situatë, banorët i janë drejtuar Bashkisë Durrës për të zgjidhur problemin. Sami Shaba, një banor i zonës dhe kushëri i Xheladin Shabës, sqaron mbi situatën duke akuzuar kushëririn e vet për bllokimin e rrugës ekzistuese.

Konflikti mes familjeve dhe përplasja e pretendimeve mbetet e hapur, ndërsa institucionet që duhet të qëndrojnë në pritje të hetimeve dhe zbardhjes së çështjes kanë vijuar të ndërtojnë rrugën e re në tokën e pretenduar nga familja Kapllani, duke deklaruar se sipas Kadastrës ajo është në pronësi të shtetit dhe pa marrë parasysh faktin se për të po heton SPAK dhe se praktika e fitimit të pronësisë mbi një rrugë ekzistuese në vitin 2015 dyshohet të jetë abuzive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA