Mes krizave në rritje dhe kërcënimeve të Trump, Trudeau jep dorëheqjen si kryeministër dhe lider i partisë

06/01/2025 17:12

Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka njoftuar sot dorëheqjen si kryetar i Partisë Liberale dhe si kryeministër, duke hapur kështu rrugën për të zgjedhur një udhëheqës i ri i partisë në pushtet.

Ai njoftoi gjithashtu se Parlamenti i Kanadasë do të pezullohet deri në 24 mars derisa të zgjidhet kreu i ri i qeverisë, megjithëse ishte parashikuar që ligjvënësit të ktheheshin në punë në 27 janar.

Trudeau bëhet kështu “viktima” e parë e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili sapo fitoi zgjedhjet e kërcënoi Kanadanë se do ti vendosë një tarifë 25% të të gjitha eksporteve. Ai e përccmoi kryeministrin kanadez pasi e ftoi për një darkë në Florida, teksa e quajti Guvernator të shtetit të Kanadasë dhe hodhi idenë që Kanadaja të jetë shteti i 51-të i Amerikës.

Trudeau, udhëheqës i Partisë Liberale për 11 vite dhe kryeministër për nëntë vite, po përballej me një sërë krizash në rritje, ku përveç kërcënimeve të Trump ishin edhe dorëheqja e aleatëve kryesorë dhe sondazhet katastrofike të opinionit publik.

Në fjalimin e mbajtur në Otava, Trudeau vlerësoi progresin që ka bërë vendi që nga viti 2015 kur ai mori detyrën, teksa tha se tani ka ardhur koha për një rinisje të re dhe për të ulur temperaturat në politikën kanadeze. Analistët politikë thonë se dorëheqja e Trudeau erdhi pasi deputetët nga disa prej provincat më të mëdha të Kanadasë u mblodhën në prag të Krishtlindjeve dhe i kërkuan atij të largohej, teksa të mërkurën ishte parashikuar një mbledhje që pritej të vendoste përfundimisht fatin e kryeministrit.

Me largimin e Trudeau, tre janë emrat më të përfolur për t’i zënë vendin, ish-ministrja e Financave e dorëhequr pak ditë më parë, Christian Freeland, ish guvernatori i Bankës Qendore, Mark Carney dhe Christy Clark, ish kryeministre e British Columbia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA