Kryqi hidhet në shatërvan në Fier, kapet nga një 17-vjeçar: Ndihem shumë i lumtur

06/01/2025 12:02

Besimtarët ortodoksë në qytetin e Fierit kanë festuar këtë 6 Janar, Ditën e Ujit të Bekuar.

Kisha e Shën Gjergjit ka organizuar hedhjen e kryqit në ujë në shatërvanin në sheshin “Europa”, ku ky ritual është i përvitshëm.

Procesioni nisi me meshën në kishë ku më pas në oborrin e saj besimtarë të shumtë mbushën ujin e bekuar, të cilin e konsiderojnë mbarësi në familjet e tyre.

Më pas vargu i gjatë i besimtarëve iu drejtua shatërvanit të qytetit ku tre të rinj sipas zakonit u hodhën në ujë për të marrë kryqin duke sfiduar temperaturat e ulëta. Ishte 17- vjeçari Samuel Kola, ai që nxori kryqin nga uji në këtë ritual ku merrte pjesë për herë të parë teksa nuk ka fshehur emocionet.

“Është hera e parë që marr pjesë dhe fitove. Ndihem shumë i lumtur, falënderoj Zotin, familjen dhe shokët e mi të Rinisë Ortodokse në Fier”, tha ai.

I riu ia ka dorëzuar kryqin Mitropolitit të Apolonisë dhe Fierit, Hirësisë së tij, Imzot Nikolla, duke marrë bekimin e tij. Ndërkohë, katekistja Ingrida Bida ka pohuar se këtë vit pjesëmarrja ka qenë më e ulët, për shkak se kjo e hënë është ditë pune pas festave, por gjithsesi shumë besimtarë kanë gjetur kohën të bëhen pjesë e ceremonisë së përvitshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA