Përgjatë dy dekadave pas rënies së komunizmit Gjirokastra ka humbur më shumë se 20 km rrugë të brendshme të shtruara me kalldrëm.
Braktisja fillimisht e lagjeve më të sipërme solli edhe degradimin e rrugëve. Më pas për nevoja funksionale shumë prej segmenteve historikë u mbuluan me beton.
Mjeshtrat e punimit të gurit emigruan për të ndërtuar rrugë e shtëpi në Greqi. Ka vetëm pak vite që zhurmat e gurgdhendjes po rikthehen. Selam Rondo dhe skuadra e tij po riparojnë një rrugë me kalldrëm në zonën historike të qytetit. Selami pranon se ky profesion është një lloj arti dhe një nga vlerat më të rëndësishme të qytetit. Teknika e ndërtimit me dorë dhe sy sipas mjeshtrit merr kohë, kërkon durim dhe sekreti qëndron pas latimit të çdo guri.
“Unë po bëj rreth 15 vite që merrem me këtë zanat. Dhe ta them troç është zanati që më pëlqen më shumë. Është kalldrëmi, plus edhe ndërtimet e tjera muret e gurit. Kemi një trashëgimi familjare dhe këtë zanat e kanë pasur edhe familjarë të tjerë të moçëm si Xhemali Rondo. Edhe unë jam po nga ky fis. Dhe së dyti përderisa është një zanat që më pëlqen jap edhe një ndihmesë timen për një zanat që është gati në zhdukje“, tregon mjeshtri i gurit, Selam Rondo.
Gjirokastra e ndërtuar në gur ka rikthyer rrahjet e çekiçëve mbi kalldrëme dhe teknika është kthyer gati në një atraksion për tu admiruar.
“Në qytet ka familje ustallarësh të vjetër si familja e Simi Llukanit dhe kalojnë fëmijët e tyre e na thonë ju lumshin duart, ju punoni si ustallarët e parë. Gjithë kjo zona këtu ka vlerësime të mira për ne. Të huajt janë më të interesuar kur shikojnë se çfarë pune bëjmë dhe e vlerësojnë shumë punën e kalldrëmit tonë sepse është shumë i veçantë, është unik. Kjo punë që bëjmë këtu nuk shikohet në vend tjetër. As në Shqipëri nuk bëhet sepse ky gur i kalon të 20 cm dhe është i plotë“, thotë Rondo.
Gdhendja e gurit është një profesion i lidhur ngushtë me qytetin. Gjirokastra ka nevojë çdo vit për riparime të shumta në banesa dhe rrugë, mure mbajtëse dhe çati por skuadrat e punimit të gurit janë ende të pakta.
“Një gjë mungon këtu sepse nuk shohim të rinjtë të marrin këtë zanat. Për këtë duhet të angazhohet dikush qoftë edhe bashkia, të hapin kurse, të stimulojnë”, shprehet mjeshtri i gurit.
Qyteti ka rrjetin më kompleks të rrugëve të brendshme në vend në raport me përmasat me plot 42 km rrugë shumica dikur me kalldrëm.
Top Channel