Ndërprerja e tranzitit të gazit rus nga Ukraina, mijëra familje mbeten pa ngrohje në rajonin pro-rus të Moldavisë

04/01/2025 20:25

Kreu i rajonit separatist pro-rus të Moldavisë, Transnistria u ka kërkuar banorëve të djegin dru zjarri për ngrohje dhe paralajmëroi se ndërprerjet e energjisë elektrike nuk mund të shmangen.

Vadim Krasnoselskyi, presidenti i këtij rajoni të mbështetur nga Rusia në krahun lindor të Moldavisë, tha në një mesazh në Telegram: “1,500 ndërtesa shumëkatëshe nuk kanë ngrohje dhe ujë të nxehtë. Pothuajse 72,000 shtëpi private nuk kanë gaz”

“Fatmirësisht, rajoni ynë është i pasur me dru. Ka ende rezerva,” shtoi ai, duke inkurajuar banorët në zonat rurale me soba aktive të gjejnë dhe djegin dru aty ku është e mundur”, shtoi ai.

Rajoni është zhytur në një krizë energjetike që nga dita e Vitit të Ri, kur Ukraina e përmbushi premtimin e saj për të ndalur transportin e gazit rus në Evropë përmes territorit të saj pas skadimit të një marrëveshjeje me Moskën. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se kjo është “një nga disfatat më të mëdha të Moskës”.

Transnistria, një territor separatist pro-rus në kufirin ukrainas, u nda nga pjesa tjetër e Moldavisë pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1991. Ky rajon ka marrë gazin rus nëpërmjet Ukrainës derisa furnizimi u ndërpre.

“Nuk mund t’i shmangim ndërprerjet e energjisë elektrike. Kjo është e domosdoshme për të mbrojtur sistemin. Jam i sigurt se të gjithë po e pranojnë këtë gjendje me mirëkuptim. Qeveria ka hartuar një orar, në bazë të të cilit do të jetë e mundur të organizohet jeta dhe veprimtaria e përditshme me sa më pak shqetësime”, përfundoi presidenti i rajonit.

Temperaturat në kryeqytetin Transnistrian Tiraspol u parashikuan të lëvizin pak mbi zero gjatë fundjavës, pasi një stuhi e ftohtë do kalojë në pjesën më të madhe të Evropës, megjithëse dimri evropian përndryshe ka qenë relativisht i butë deri më tani.

Parlamenti i rajonit separatist i kërkoi Kremlinit të arrijë një marrëveshje të re me Ukrainën për gazin muajin e kaluar. Para skadimit të marrëveshjes së tranzitit me Ukrainën, Rusia kishte furnizuar Moldavinë me rreth 2 miliardë m3 gaz në vit, i cili pompohej përmes Transnistrisë.

Ukraina tani përballet me një humbje prej rreth 800 milionë dollarësh në vit në tarifat e tranzitit nga Rusia, ndërsa gjiganti i gazit në pronësi të Kremlinit, Gazprom, do të humbasë afro 5 miliardë dollarë në shitjet e gazit, raporton Reuters.

Kryeministri sllovak Robert Fico ndërkohë ka kërcënuar se mund të shkurtojë furnizimet me energji elektrike në Ukrainë dhe të reduktojë ndihmën për refugjatët ukrainas në hakmarrje ndaj mos rinovimit të marrëveshjes së tranzitit të gazit rus. Ai e përshkroi këtë veprim si “sabotim” nga Zelensky.

Evropa në përgjithësi ka reduktuar ndjeshëm varësinë e saj nga gazi rus që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska në shkurt të vitit 2022, por pjesë të ish-Bllokut Lindor ende importojnë sasi të mëdha gazi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA