“Rekord i padiskutueshëm dhe fitim rreth…”/Cilat janë pritshmëritë e ekspertëve për GTA 6?!

03/01/2025 22:15

Viti 2025 pritet të shënojë një ngjarje të madhe në botën e lojërave: publikimin e Grand Theft Auto 6.

Fansat e kësaj loje nuk mund të fshehin entuziazmin, edhe pse sipas disa informacioneve të fundit bëhet e ditur se loja mund të shtyhet deri në vitin 2026. Megjithatë, shpresojmë që ata t’i përmbahen afateve për këtë vit.

Për ata që njohin historinë e Rockstar Games, një vonesë nuk do të ishte diçka e pazakontë. Red Dead Redemption 2 dhe Grand Theft Auto 5 gjithashtu patën vonesa të gjata përpara publikimit. Por pritja për GTA 6 duket se do të shpërblehet, pasi ekspertët besojnë se loja do të vendosë rekorde të reja në industrinë e argëtimit.

Në dhjetor 2023, Rockstar publikoi trailer-in e parë për GTA 6, duke treguar një pamje mbresëlënëse të Vice City, qyteti ikonik i rikrijuar me një stil modern krahasuar me versionin e vitit 2002 të Grand Theft Auto: Vice City.

Një nga momentet më të spikatura të trailer-it ishte prezantimi i protagonistes së parë të serisë, Lucia, që u mirëprit gjerësisht nga fansat dhe kritikët.

Ekspertët e industrisë janë të bindur se GTA 6 do të thyejë rekorde financiare edhe përpara se të dalë në treg. Sipas Financial Times, të dhënat nga DFC Intelligence parashikojnë se loja do të gjenerojë mbi 1 miliard dollarë vetëm nga porositë paraprake (pre-orders), duke tejkaluar rekordin e vendosur nga GTA 5.

Eksperti i lojërave Ciaran Lee ka komentuar mbi ndikimin që do të ketë GTA 6 për Rockstar. Ai theksoi:

“Seria GTA është një fenomen kulturor dhe fansat e saj të përkushtuar kanë pritur 10 vite për një pjesë të re.”

GTA 5 arriti të gjenerojë 800 milion dollarë në ditën e parë dhe 1 miliard dollarë brenda tre ditëve. Lee parashikon se GTA 6 do të arrijë një shifër të pabesueshme prej 1 deri në 1.5 miliard dollarë brenda 24 orëve të para të shitjeve. /TAR

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA