Për herë të parë në Shqipëri u vendos si festë zyrtare Dita e Alfabetit, jo vetëm për të shtuar një festë në kalendar, por për t’i dhënë më shumë rëndësi dhe vëmendje Gjuhës Shqipe dhe autenticitetit të saj.
Shkëlqim Llanaj është 86 vjeç, por 20 vite më parë kuptoi sa e rëndësishme ishte ruajtja e Gjuhës Shqipe, teksa emigrimi po ndikonte tek fëmijët, dhe nisi punën për Fjalorin Këshillimor për pastërtinë e Gjuhës Shqipe.
“Zanafilla e dëshirës për të punuar për gjuhën shqipe, është e përhershme. Që në fëmijërinë time. Kjo vjen nga dashuria që prindërit tanë kanë pasur për gjuhën amtare. Unë doja të bëja hulumtimin e fjalëve të huaja, që kanë hyrë në gjuhën shqipe“, shprehet Llanaj.
Një punë voluminoze për të grumbulluar fjalët e huaja dhe për t’i dhënë atyre paralelizmat në Gjuhën Shqipe. Tashmë, 86-vjeçari i cili u shkollua për matematikë, por dashuroi Gjuhën Shqipe, ka gati fjalorin e dytë këshillimor.
Fjalori Këshillimor është një vepër që identifikon huazimet që kanë hyrë në Gjuhën Shqipe në mënyrë të panevojshme. Autori i cili tashmë prej shumë vitesh jeton në emigrim vijon punën me të gjithë forcën, për të kontribuar sado pak për vendin e tij.
Top Channel