Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha është zbardhur këtë të martë.
Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e Berishës i cili kërkoi shpalljen antikushtetuese të masës së SPAK dhe pranoi kërkesën e tij për rikthimin e pasaportës.
“Në përfundim, Gjykata çmon se pretendimet e kërkuesit në drejtim të së drejtës për t’u zgjedhur dhe te lirisë s lëvizjes, në shkelje të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, parimeve të paanësisë dhe pavarësisë të gjykatës, si rezultat i rregullimeve ligjore, së drejtës për mbrojtje efektive, standardit të arsyetimit, janë të pabazuara, kurse pretendimi për cenimin e parimit të proporcionalitetit në caktimin e masës së sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” është i bazuar, sipas arsyetimit të mësipërm të vendimit, ndaj kërkesa pranohet pjesërisht. Nisur nga rrethanat e çështjes, bazuar edhe në arsyetimin e mësipërm, Gjykata çmon se nuk është rasti për ta kthyer çështjen për rishqyrtim”, theksohet në vendim.
Vendimi i plotë:
Vendim nr. 81 datë 21.11.2024
(V-81/24)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Holta Zaçaj, Kryetare,
Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci, Ilir Toska, Marjana Semini,
Genti Ibrahimi, anëtarë, me sekretare Belma Lleshi, në datën 19.11.2024 mori në shqyrtim në
seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen nr. 12 (S) 2024 të Regjistrit Themeltar, që u
përket:
KËRKUES: SALI BERISHA, përfaqësuar nga avokatët Klodiana Gjyzari
dhe Genci Gjokutaj, me prokurë të posaçme.
SUBJEKT I INTERESUAR
PROKURORIA E POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT
DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, përfaqësuar nga
prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, me autorizim.
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, përfaqësuar
nga sekretari i përgjithshëm, Genci Gjonçaj.
OBJEKTI: Shfuqizimi i vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117,
datë 26.10.2023 të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë
për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023-
156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384,
datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të
papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
BAZA LIGJORE: Nenet 3, 4, 5, 7, 15, 17, 18, 27, 29, 31, shkronja “b”, 32, pika
2, 38, 42, 46, pika 1, 73, 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134,
pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës së Republikës së
Shqipërisë (Kushtetuta); nenet 5, 7, 10, 14 dhe 18 të
Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ);
nenet 9, 14, 15, 25 dhe 26 të Paktit Ndërkombëtar për të
Drejtat Civile dhe Politike, të ratifikuar me ligjin nr. 7510,
datë 08.08.1991 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në
Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike”;
nenet 27 dhe 71/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për
organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të
Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000).
GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes Genti Ibrahimi, mori në shqyrtim pretendimet me shkrim
të kërkuesit Sali Berisha (kërkuesi), i cili ka kërkuar pranimin e kërkesës, prapësimet me shkrim
të subjektit të interesuar, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
(Prokuroria e Posaçme), që ka kërkuar rrëzimin e kërkesës, parashtrimet me shkrim të
Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendi), i cili nuk ka mbajtur qëndrim për çështjen, si
dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N:
I
Rrethanat e çështjes
1. Kërkuesi është një politikan, ish-president dhe ish-kryeministër, aktualisht deputet i
Kuvendit dhe kryetar i partisë kryesore opozitare.
2. Mbi bazën e një kallëzimi për kryerjen e disa veprave penale nga funksionarë të lartë
shtetërorë, të bërë nga shtetasi T.B., i cili në atë kohë ka qenë kryetari i grupit parlamentar të
partisë në pushtet, Prokuroria e Posaçme në vitin 2020 ka regjistruar procedimin penal nr. 287
për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, të
parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal (KP). Objekti i kallëzimit dhe i hetimit në vijim lidhet
me procesin e kthimit të pronës në favor të 5 familjeve ish-pronare, procesin e privatizimit të
pronës shtetërore (të objekteve të ish- klubit sportiv “Partizani”), procesin e ndryshimit të
destinacionit dhe, më pas, edhe të zhvillimit të pronës.
3. Me urdhrin e datës 02.10.2023, prokurorët e çështjes kanë shënuar në regjistrin e
njoftimit të veprave penale edhe emrin e kërkuesit Sali Berisha, si i dyshuar për kryerjen e
veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve
vendorë”, në bashkëpunim me shtetasit J.M. dhe F.B., të parashikuar nga nenet 260 e 25 të KP-
së. Për sa i përket kërkuesit, faktet penale objekt hetimi lidhen me sjelljen e dyshuar të tij gjatë
kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeministrit, pas vitit 2005, në proceset e kthimit të
pronës, të privatizimit të pronës shtetërore (objekteve të klubit sportiv “Partizani” në varësi të
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Klubit Shumësportesh Partizani në varësi të Ministrisë së
Kulturës), të ndryshimit të destinacionit dhe të zhvillimit të pronës, duke favorizuar shtetasit
J.M., F.B. e XH.B., ku këta të fundit dhe shoqëria e lidhur me ta kanë realizuar ndërtimin e një
blloku pallatesh. Për këto procese dyshohet se janë dhënë dhe marrë përfitime monetare,
paligjshmëria në origjinën e të cilave është fshehur nëpërmjet veprimeve financiare,
transaksioneve të copëzuara ose në cash.
4. Në datën 16.10.2023 Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të
Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO-ja e Shkallës së Parë)
kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj personave nën hetim, përfshirë edhe
kërkuesin Sali Berisha, për të cilin është kërkuar vendosja e masave të sigurimit personal
“Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të
parashikuara nga nenet 234 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale (KPP). Sipas Prokurorisë së
Posaçme, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se nga ana e kërkuesit, në
ushtrim të pushtetit të tij si Kryeministër, janë kryer veprime konkrete dhe aktive në drejtim të:
përgatitjes dhe miratimit të projektligjeve dhe të projektvendimeve të qeverisë, në
bashkëpunim me aleatët e vetë politikë, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që
paraqiteshin për pesë familjet ish-pronare, ku përfitues i drejtpërdrejt ishte dhe shtetasi J.M.,
bashkëshorti i vajzës së tij; kryerjes së kontrolleve administrative, duke shfrytëzuar
kompetencat e vartësve të tij, me qëllim ushtrimin e presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete
për veprime që duhet të kryenin funksionarët që pengonin procesin e privatizimit të klubeve
sportive në favor edhe të shtetasit J.M.; vendosjes në dispozicion të shtetasit J.M. të strukturave
të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të kthimit të pronës,
privatizimit të pronës shtetërore dhe ndryshimit të destinacionit të pronës edhe në favorin e
këtij shtetasi. Po ashtu, sipas Prokurorisë së Posaçme, përfitimi i parregullt në favor të shtetasit
J.M. lidhet me dyshimin se të gjitha këto procedura, pavarësisht interesit publik në lidhje me
nevojën për ambiente sportive, janë bërë me qëllimin e vetëm për të shtënë në dorë pronën dhe
për ta përdorur atë për përfitime materiale, ku si të tilla janë konsideruar të gjitha ato përfitime
monetare që ky shtetas ka marrë përmes shoqërisë ndërtuese, konkretisht nga shpërndarja e
fitimeve të saj të akumuluara ndër vite përpara se ai të deklarohej bashkëortak i saj, të
llogaritura në shumën 672 976 832 lekë ose 5 420 345 euro.
5. GJKKO-ja e Shkallës së Parë, gjyqtari i hetimeve paraprake, me vendimin nr. 112,
datë 20.10.2023, ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, duke caktuar për
kërkuesin masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në
policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuara nga nenet 234 dhe 233
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
të KPP-së. Sipas asaj gjykate, në rastin konkret plotësohen kushtet e përgjithshme dhe të
veçanta për caktimin e masave të sigurimit, të parashikuara në nenin 228 të KPP-së, pasi nga
aktet dhe provat e administruara deri në këtë fazë të hetimeve krijohet dyshimi i arsyeshëm se
kërkuesi ka konsumuar elementet e veprës penale për të cilën është proceduar penalisht dhe
nuk ekzistojnë shkaqe padënueshmërie ose të shuarjes së saj. Në vijim, sipas asaj gjykate,
ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në
funksion të hetimit të çështjes, pasi për shkak të marrëdhënieve të krijuara si rezultat i ushtrimit
më parë të funksionit të Kryeministrit, por edhe atij aktual si deputet, sikundër edhe të
influencave që mund të ketë te persona të tjerë, ekziston mundësia që personi nën hetim të
ndërhyjë dhe ndikojë në prishjen ose asgjësimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që
vështirësojnë mbledhjen e tyre, çka do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë
të faktit penal për të cilin dyshohet. Po ashtu, vijon gjykata, ekziston rreziku i largimit të
personit nën hetim nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale
që ai dyshohet, konkretisht nga 4 deri në 12 vjet burgim. Për sa u takon kritereve për caktimin
e masave të sigurimit të parashikuara në nenin 229 të KPP-së, sipas GJKKO-së së Shkallës së
Parë, ajo ka mbajtur parasysh rëndësinë e faktit dhe rrezikshmërinë e lartë të veprës penale,
sanksionin me burgim të parashikuar për të dhe përhapjen e gjerë të saj, rolin e personit nën
hetim dhe kryerjen e veprës penale në formën e bashkëpunimit, pasojat e ardhura prej saj, si
dhe moshën e gjendjen gjyqësore të personit nën hetim, referuar të cilave masat e sigurimit të
kërkuara nga prokurori janë në përshtatje me shkallën e nevojave të sigurimit në rastin konkret.
6. Në datën 23.10.2023 Prokuroria e Posaçme, e ngarkuar për ekzekutimin e vendimit
të GJKKO-së së Shkallës së Parë nëpërmjet shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së
Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i ka paraqitur asaj gjykate aktin e datës 22.10.2023 në lidhje
me zbatimin përmes njoftimit të masës së sigurimit personal të vendosur ndaj kërkuesit.
GJKKO-ja e Shkallës së Parë, gjyqtari i hetimeve paraprake, ka caktuar datën 24.10.2023, ora
13:30 për zhvillimin e seancës për marrjen në pyetje të kërkuesit në funksion të verifikimit të
kushteve dhe të kritereve të caktimit të masës dhe nevojave të sigurimit. Kërkuesi nuk është
paraqitur në atë seancë, por janë paraqitur mbrojtësit e zgjedhur prej tij, të cilët kanë parashtruar
disa kërkesa procedurale përpara asaj gjykate, më konkretisht: (i) përjashtimin e gjyqtares së
hetimeve paraprake; (ii) pajisjen me kopje të akteve që ka depozituar organi i akuzës dhe lënien
e një kohe të mjaftueshme për t’u njohur me to; (iii) dërgimin e çështjes në Gjykatën
Kushtetuese (Gjykata) për interpretimin e nenit 73, pika 2, të Kushtetutës. Më pas mbrojtësit e
kërkuesit janë larguar nga salla e gjykimit. Në vijim, pas disa shtyrjeve, seanca për pyetjen e
kërkuesit është zhvilluar në datën 26.10.2023, në mungesë të tij, ndërsa ai është mbrojtur nga
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
një avokat i caktuar kryesisht nga gjykata, në kushtet kur mbrojtësit e zgjedhur nga kërkuesi
nuk janë paraqitur.
7. Për sa u takon kërkesave procedurale të paraqitura nga mbrojtësit e zgjedhur nga
kërkuesi, GJKKO-ja e Shkallës së Parë në seancën e datës 24.10.2023 ka vendosur shtyrjen e
saj për ditën e nesërme, në datën 25.10.2023, me qëllim për t’iu dhënë mundësi mbrojtësve të
kërkuesit të njihen me aktet e procedimit, si dhe për të paraqitur në formën e kërkuar nga ligji
kërkesën për përjashtimin e gjyqtares së hetimeve paraprake mbi shkakun se vendimi i caktimit
të masës së sigurimit është në shkelje të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës dhe se për këtë kanë
paraqitur kallëzim penal ndaj saj. Në vijim, në seancën e datës 25.10.2023, ku sërish janë
paraqitur vetëm mbrojtësit e zgjedhur nga kërkuesi, GJKKO-ja e Shkallës së Parë ka vendosur
të rrëzojë kërkesën e paraqitur në atë seancë për dërgimin e çështjes në Gjykatë për
interpretimin e nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, të shprehjes “t’i hiqet liria në çfarëdo lloj
forme”, me arsyetimin se nuk vërehen dyshime për paligjshmëri kushtetuese për vënien në
lëvizje të kontrollit kushtetues incidental. Edhe në këtë seancë mbrojtësit e kërkuesit kanë
deklaruar se kërkojnë përjashtimin e gjyqtares së hetimeve paraprake për të njëjtin shkak të
artikuluar edhe më parë, kërkesë të cilën do ta paraqisnin pasi të merrnin procesverbalin audio
të seancës, përveçse edhe dhënien e një kohe të mjaftueshme për t’u njohur me aktet e
depozituara nga organi i prokurorisë, duke u larguar sërish nga salla e gjykimit. Seanca për
marrjen në pyetje të kërkuesit është shtyrë nga gjykata për ditën e nesërme, në datën
26.10.2023, me qëllim dhënien e mundësisë mbrojtësve të kërkuesit për t’u njohur me aktet e
procedimit penal. Ndërsa, kërkesa me shkrim në formën e kërkuar nga ligji për përjashtimin e
gjyqtares së hetimeve paraprake është paraqitur vetëm në datën 26.10.2023, ndërkohë që ajo
dhe është shqyrtuar po atë ditë, nga një gjyqtare tjetër e asaj gjykate, e cila, me vendimin nr.
430, ka vendosur rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se nuk ekziston asnjë nga rastet ligjore të
parashikuar nga neni 17 i KPP-së që të ketë ndikuar në sjelljen e gjyqtares së hetimeve
paraprake, e cila të sillte cenimin e paanshmërisë. Seanca e marrjes në pyetje të kërkuesit është
zhvilluar në këtë datë (26.10.2023), në mungesën e tij dhe në prani të një mbrojtësi të caktuar
kryesisht nga gjykata, ndërsa mbrojtësit e zgjedhur nga kërkuesi nuk janë paraqitur pa njoftuar
gjykatën për ndonjë shkak të arsyeshëm.
8. Në përfundim të seancës për marrjen në pyetje, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, me
vendimin nr. 117, datë 26.10.2023, ka vendosur vazhdimin e zbatimit të masave të sigurimit të
vendosura nga ajo më herët ndaj kërkuesit, ku për sa i përket masës “Detyrimi për t’u paraqitur
në policinë gjyqësore” ka urdhëruar kërkuesin të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo
muaji, ora 10:00, përpara oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Posaçme, ndërsa
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
për sa i përket masës “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” ka urdhëruar kërkuesin të mos largohet
nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, si dhe ndalimin e përdorimit
të pasaportës dhe të dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit të
tij.
9. Në vlerësimin e GJKKO-së së Shkallës së Parë, edhe pas seancës së pyetjes së
personit nën hetim, në mungesë të parashtrimit nga ai të fakteve, argumenteve apo provave në
dobi të tij, ndërsa në mënyrë të vullnetshme ka zgjedhur të mos paraqitet duke hequr dorë
kështu nga e drejta për t’u pyetur (dëgjuar), rezulton se kushtet dhe kriteret e caktimit të masës,
si dhe nevojat e sigurimit të mos kenë ndryshuar, pra ato vijojnë të ekzistojnë, ndaj, për
rrjedhojë, zbatimi i masave të sigurimit të caktuara ndaj kërkuesit me vendimin e saj nr. 112,
datë 20.10.2023 duhet të vazhdojë. Për këtë, po sipas asaj gjykate, mbahet në konsideratë edhe
sjellja e kërkuesit, pas njoftimit të masës, ndërsa referuar deklaratave të tij për të mos e zbatuar
atë, ngrihet dyshimi për rrezikun se ai nuk do të jetë në dispozicion të organit procedues gjatë
hetimeve paraprake. Ajo gjykatë ka analizuar edhe pretendimin e mbrojtjes së kërkuesit për
shkeljen e nenit 73, pika 2, të Kushtetutës në caktimin e masave të sigurimit ndaj kërkuesit, në
kushtet e mungesës së autorizimit nga ana e Kuvendit, duke e gjetur atë të pabazuar.
10. Kundër vendimeve të GJKKO-së së Shkallës së Parë, atij nr. 112, datë 20.10.2023,
për caktimin e masave të sigurimit personal dhe atij nr. 117, datë 26.10.2023, për vazhdimin e
zbatimit të masave të sigurimit personal, kërkuesi ka paraqitur ankim në gjykatën e apelit, në
përfundim të shqyrtimit të të cilit, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e
Organizuar (GJKKO e Apelit), me vendimin nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023, ka
vendosur miratimin e vendimeve të GJKKO-së së Shkallës së Parë. Edhe GJKKO-ja e Apelit
ka vlerësuar se plotësohen kushtet për caktimin ndaj kërkuesit të masave të sigurimit personal
me karakter shtrëngues dhe se masat e caktuara dhe të zbatuara ndaj tij janë në përputhje me
kriteret dhe nevojat e sigurimit në rastin konkret. Sipas saj, ekziston një dyshim i arsyeshëm i
bazuar në prova për kryerjen nga kërkuesi të veprës penale për të cilën është proceduar
penalisht, se nuk ka shkaqe padënueshmërie apo të shuarjes së saj, si dhe se ekziston rreziku i
“helmimit” të marrjes ose vërtetësisë së provave, sikundër edhe ai i largimit të kërkuesit.
GJKKO-ja e Apelit ka shqyrtuar pretendimet e ngritura në ankim për shkeljen e nenit 73, pika
2, të Kushtetutës, për mungesën e paanësisë së gjyqtares së hetimeve paraprake, për shkeljen e
së drejtës së mbrojtjes efektive dhe për mungesën e arsyetimit të vendimit gjyqësor, ku pas një
analize të bëra atyre, ka arritur në përfundimin se janë të pabazuara. Kundër vendimit të
GJKKO-së së Apelit kërkuesi ka paraqitur rekurs.
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
11. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024,
ka vendosur mospranimin edhe të rekursit të paraqitur nga kërkuesi, duke vlerësuar se është
bërë për shkaqe të ndryshme nga ato të parashikuara nga neni 432 i KPP-së. Sipas Kolegjit
Penal, gjykatat kanë argumentuar mjaftueshëm dhe në mënyrë ezauruese kushtet dhe kriteret
për caktimin dhe zbatimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe
proporcionalitetin e tyre. Po ashtu, Kolegji Penal ka arsyetuar se gjykata e apelit u ka dhënë
përgjigje pretendimeve në ngritura në ankimin e mbrojtësve të kërkuesit, ndërsa në
vendimmarrjen e saj nuk konstatohet mosrespektim ose zbatim i gabuar i ligjit material apo
procedural penal me rëndësi për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, apo me pasojë
pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave,
sikundër nuk konstatohet që vendimi i saj të jetë në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal
ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
12. Në datën 29.07.2024 kërkuesi, nëpërmjet përfaqësuesve të tij, i është drejtuar
Gjykatës me ankim kushtetues individual, sipas objektit të tij, i cili, pasi është plotësuar sipas
kërkesave të ligjit nr. 8577/2000, është regjistruar në po të njëjtën datë. Me vendimin e datës
17.09.2024, Kolegji i Gjykatës ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare
mbi bazë të dokumenteve. Ndërkohë, në datën 16.09.2024 kërkuesi ka paraqitur në Gjykatë
kërkesë për përshpejtimin e shqyrtimit të gjykimit të çështjes së tij, e cila është pranuar nga
Mbledhja e Gjyqtarëve me vendimin e datës 17.09.2024.
13. Pas kalimit të çështjes për shqyrtim në seancë plenare, në datën 15.10.2024, një
gjyqtar i Gjykatës ka paraqitur kërkesë për heqjen dorë nga shqyrtimi i çështjes, e cila është
rrëzuar nga Mbledhja e Gjyqtarëve me vendimin nr. 23/1, datë 17.10.2024. Gjithashtu, edhe
kërkuesi në datën 18.10.2024 ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e këtij gjyqtari nga
shqyrtimi i çështjes, e cila, po ashtu, është rrëzuar nga Mbledhja e Gjyqtarëve me vendimin nr.
24, datë 06.11.2024.
II
Pretendimet në Gjykatën Kushtetuese
14. Kërkuesi, në mënyrë të përmbledhur, ka pretenduar se në caktimin e masave të
sigurimit ndaj tij gjykatat kanë zhvilluar një proces jo të rregullt, në drejtim të:
14.1. Parimit të paanshmërisë në gjykim dhe të pavarësisë, pasi: (i) në aspektin objektiv
gjyqtarët e GJKKO-së nuk ofrojnë garanci paanësie apo pavarësie, sepse sipas
neneve 48-51 të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e
institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
(ligji nr. 95/2016), të gjitha komunikimet elektronike dhe të tjera të gjyqtarëve,
përfshirë edhe ato familjarëve të tyre, janë të vëzhguara. Ky vëzhgim është i
pakufizuar në kohë dhe hapësirë, kryhet pa asnjë arsye specifike, si edhe nuk
monitorohet a priori ose kontrollohet a posteriori nga ndonjë gjykatë në lidhje me
proporcionalitetin e kësaj ndërhyrjeje. Për më tepër, vëzhgimi realizohet nga
hetuesi i telekomunikimeve që është pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH),
e cila varet nga Prokuroria e Posaçme, që është organi që ka kërkuar masat e
sigurimit personal në rastin e kërkuesit dhe i mbron ato përpara gjykatave; (ii) në
aspektin subjektiv, gjyqtarja e GJKKO-së I.GJ., që ka vendosur masën shtrënguese
ndaj kërkuesit, është shkarkuar nga detyra e gjyqtares nga ish-Këshilli i Lartë i
Drejtësisë (KLD) në vitin 1996, kohë kur ky institucion kryesohej nga kërkuesi në
cilësinë e Presidentit të Republikës.
14.2. Së drejtës së mbrojtjes efektive, pasi: (i) kërkuesi nuk është njoftuar për
përmbajtjen e vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të GJKKO-së së Shkallës së Parë
sipas rregullave të parashikuara nga neni 246, pika 3, i KPP-së. Në këtë mënyrë,
gjykimi i verifikimit të kushteve të zbatimit të masës së sigurimit është zhvilluar pa
u njohur kërkuesi me vendimin e arsyetuar me të cilin janë caktuar masat e sigurimit
personal ndaj tij. (ii) GJKKO-ja e Shkallës së Parë nuk i ka dhënë kohën e
mjaftueshme mbrojtësve të zgjedhur nga kërkuesi për të realizuar një mbrojtje
efektive. (iii) Mbrojtësja e caktuar kryesisht nga GJKKO-ja e Shkallës së Parë,
shtetasja V.T., ishte e papërshtatshme për të mbrojtur kërkuesin, për shkak të
qëndrimeve të saj kundër tij në rrjetet sociale. Ajo duhej të përjashtohej si avokat i
caktuar kryesisht për të njëjtin shkak që u përjashtua edhe avokati i mëparshëm i
caktuar kryesisht. (iv) GJKKO-ja e Shkallës së Parë nuk e ka dorëzuar vendimin e
arsyetuar sipas afatit të përcaktuar nga neni 248, pika 2, i KPP-së.
14.3. Standardit të arsyetimit të vendimit gjyqësor dhe së drejtës së aksesit, pasi: (i)
Kolegji Penal nuk i ka dhënë përgjigje pretendimeve me natyrë kushtetuese të
ngritura në rekurs dhe atyre që kishin të bënin me interpretimin dhe zbatimin e
gabuar të dispozitave procedurale penale; (ii) në vendimin e tij Kolegji Penal nuk
përdor gjuhën shqipe, por një gjuhë me terma dhe fjali të pakuptueshme, të cilat
krijojnë konfuzion dhe nuk përcjellin vijimësi të mendimit logjik e juridik dhe
konkluzionit të arritur, duke e bërë vendimin të pakuptueshëm; (iii) vendimet e
gjykatave përmbajnë të dhëna kontradiktore, nuk janë logjike dhe nuk i kanë dhënë
përgjigje shteruese pretendimeve të kërkuesit; (iv) gjykatat nuk kanë marrë
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
parasysh asnjë nga provat dhe pretendimet e ngritura nga kërkuesi dhe nuk kanë
analizuar provat e ndodhura në dosjen gjyqësore.
14.4. Parimit të proporcionalitetit, pasi gjykatat nuk kanë arsyetuar nevojshmërinë e
caktimit të masave të sigurimit personal ndaj kërkuesit, duke cenuar lirinë e tij
personale dhe atë të lëvizjes, të drejtën për t’u zgjedhur dhe të drejta të tjera
kushtetuese. Masa e sigurimit personal ndaj kërkuesit është caktuar në shkelje të
ligjit, nuk është e arsyeshme ose e nevojshme dhe është qartazi joproporcionale me
qëllimin e kërkuar. Procedimi penal ndaj kërkuesit ka filluar në datën 01.12.2020,
pas kallëzimit të deputetit T.B., i cili që prej vitit 2012 ka dalë publikisht me të
njëjtat pretendime me ato të pasqyruara në kallëzim. Ndërkohë kërkuesi nuk
ushtron asnjë funksion në administratën publike përveç atij të deputetit. Aktet për
të cilat akuzohet janë akte normative me efekt të përgjithshëm dhe nuk i drejtohen
një personi apo grupi personash të caktuar. Që nga momenti i fillimit të hetimit
paraprak në datën 01.12.2020, për fakte që kanë ndodhur në vitin 2012, dhe deri në
datën 16.10.2023, kur është dorëzuar kërkesa për caktimin e masës së sigurimit
personal, për kërkuesin nuk ka asnjë të dhënë, dëshmitar, shkresë ose indicije të
largët, nga e cila të rezultojë se ai në ndonjë mënyrë ka ndikuar mbi këto akte ose
të jetë përpjekur të zhdukë ndonjë prej tyre. Gjykatat nuk arsyetojnë në vendimet e
tyre se në cilën mënyrë kërkuesi ka ndikuar për ndryshimin e akteve ligjore ose
nënligjore të propozuara apo miratuara prej tij, pra të ketë ndikuar mbi provat.
14.5. Kufizimit të lirive kushtetuese të kërkuesit, pasi kanë tejkaluar qëllimet për të cilat
lejohet kufizimi, duke cenuar nenin 17 të Kushtetutës dhe nenin 18 të KEDNJ-së.
Procedimi penal ka filluar para tre vjetësh, për fakte të cilat pretendohet se kanë
ndodhur më shumë se 10 vjet më parë dhe që kallëzuesi i ka pretenduar që prej vitit
2012. Qëllimi i vërtetë i izolimit të kërkuesit ka qenë shuarja e zërit të opozitës dhe
jo zbulimi i të vërtetës dhe shkaqet për të cilat janë caktuar masat e sigurimit ndaj
tij kanë pasur si qëllim pengimin që ai të organizojë opozitën.
14.6. Mosrespektimit të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, duke i kufizuar kërkuesit lirinë
personale dhe atë të lëvizjes, të mbrojtura nga nenet 27 dhe 38 të Kushtetutës, në
kundërshtim me procedurën e parashikuar në këtë dispozitë, pa autorizim të
Kuvendit. Togfjalëshi i përdorur në nenin 73, pika 2, të Kushtetutës “… t’i hiqet
liria në çfarëdo lloj forme” nuk nënkupton, në asnjë rast, vetëm caktimin e masave
të sigurimit personal “Arresti në burg” ose “Arresti në shtëpi”, por përfshin edhe
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
masat e sigurimit personal të vendosura ndaj kërkuesit, të cilat i kanë kufizuar lirinë
personale dhe të lëvizjes.
14.7. Mosrespektimit të nenit 73, pika 1, të Kushtetutës, pasi (i) kërkuesit i është
kufizuar liria personale dhe e lëvizjes për fakte të cilat mbrohen nga imuniteti
absolut i deputetit. Kërkuesi nuk mund të ndiqet penalisht për veprimet e kryera në
ushtrim të detyrës së deputetit; (ii) ndaj kërkuesit, drejtues i opozitës parlamentare,
është zbatuar një standard i ndryshëm nga ai i mbajtur në rastin e ish-deputetit të
shumicës parlamentare dhe ish-ministrit S.T., ku Kuvendi ka vlerësuar se masat e
sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur
në policinë gjyqësore” janë masa shtrënguese të heqjes së lirisë. Interpretimi i
Kuvendit në atë rast është ai që duhej të ndiqej nga gjykatat edhe në rastin e tij, pra
se masat e sigurimit të caktuara ndaj kërkuesit janë masa shtrënguese të heqjes së
lirisë, për të cilat duhet autorizim nga Kuvendi.
14.8. Kufizimit të të drejtave kushtetuese për veprime që nuk parashikohen nga ligji si
vepër penale, pasi: (i) kërkuesi është akuzuar për miratimin e akteve normative me
fuqi juridike në të gjithë territorin dhe jo për akte individuale që kanë për qëllim
favorizimin e një personi, siç është rasti i bashkëshortit të vajzës së kërkuesit ose
një grupi të përcaktuar personash; (ii) gjykatat nuk kanë evidentuar se disa nga
ndryshimet në aktet ligjore dhe nënligjore, për të cilat kërkuesi akuzohet se i ka
kryer për të favorizuar shtetasin J.M., janë bërë gjatë kohës kur në pushtet ka qenë
shumica qeverisëse. Për më tepër, nga verifikimi i ndryshimeve ligjore dhe
nënligjore për të cilat akuzohet kërkuesi, evidentohet se janë pothuajse të njëjtat
formulime me parashikimet e mëparshme, por edhe me parashikimet ligjore të cilat
janë aktualisht në fuqi dhe që nuk janë propozuar nga kërkuesi; (iii) nuk ekziston
asnjë lidhje shkakësore midis akteve nënligjore të miratuara nga organet shtetërore
të drejtuara nga kërkuesi në cilësinë e Kryeministrit dhe interesave pasurorë të
shtetasit J.M.; (iii) nuk rezulton të jetë vërtetuar asnjë nga elementet e veprës
penale për të cilën është akuzuar kërkuesi. Ai nuk rezulton të ketë qenë pjesë e
komisionit që ka përgatitur ndryshimet e ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për
kthimin dhe kompensimin e pronave” dhe as të ketë propozuar asnjëherë ligje si
deputet. Edhe ndryshimet e bëra në ligjin për sportin, të cilat janë bërë edhe me
mbështetjen e deputetëve të Partisë Socialiste, nuk kanë pasur ndikim dhe nuk
mund të ndikonin në procesin e kthimit apo kompensimit ose në procedurat e
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
privatizimit në favor të familjes, trashëgimtar i së cilës është edhe dhëndri i
kërkuesit, shtetasi J.M.
14.9. Parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi duke hetuar dhe ngritur akuza
mbështetur në vlerësimin nëse dy ligje dhe vendimi i Këshillit të Ministrave kanë
qenë të nevojshme apo të drejta, si dhe mbi bazueshmërinë në prova të disa akteve
të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), Prokuroria e
Posaçme ka marrë kompetencat e Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave
të zakonshme. Prokuroria e Posaçme ka vlerësuar: i) politikën sociale dhe
ekonomike, pra programin e qeverisë, duke marrë kompetencat e Kuvendit; ii)
nevojshmërinë, drejtësinë apo procedurën e diskutimit dhe miratimit të ligjeve e
akteve nënligjore, duke marrë kompetencat e Gjykatës; iii) bazueshmërinë në ligj
të vendimeve të formës së prerë të AKKP-së, duke marrë atributet e gjykatave
civile; iv) qëllimet dhe përfitimet e palëve në kontrata civile, duke cenuar lirinë
kontraktore.
15. Subjekti i interesuar, Prokuroria e Posaçme, në mënyrë të përmbledhur, ka
prapësuar si vijon:
15.1. Pretendimi i kërkuesit për cenimin e parimeve të pavarësisë dhe paanshmërisë
është i pabazuar. Kërkuesi nuk ka arritur të provojë paanshmërinë ose mungesën
e pavarësisë së gjyqtarëve, si në aspektin objektiv ashtu edhe atë subjektiv, pasi:
(i) ligji nr. 95/2016 ka vendosur garanci të rëndësishme gjatë procesit të
monitorimit, ku oficerit përgjegjës nuk i lejohet të dëgjojë telefonatat që cenojnë
të drejtën për jetë private të personave që nuk kanë dhënë miratim paraprak për
vëzhgim. Ligji nr. 95/2016 e ka kaluar vlerësimin e përputhshmërisë me
Kushtetutën që i është bërë në konsultimin e draftit final nga Komisioni i Posaçëm
Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë në datën 03.10.2016. Në thelb
argumentet e kërkuesit në këtë drejtim kanë të bëjnë me shfuqizimin e dispozitave
ligjore. Ndërkohë që Gjykata kur vihet në lëvizje për shqyrtimin e një ligji që
rishikon Kushtetutën, nuk shqyrton përmbajtjen ose përputhshmërinë e
amendamenteve kushtetuese me Kushtetutën e mëparshme, por vetëm procedurën
me të cilën janë miratuar këto ndryshime. Për rrjedhojë, edhe kushtetutshmëria e
dispozitave të ligjit nr. 95/2016 nuk mund të shqyrtohet nga Gjykata; (ii) për sa i
përket pretendimit për paanshmërinë subjektive të gjyqtares I.GJ., kërkuesi u
referohet ngjarjeve të vitit 1996, pra një marrëdhënieje të përfunduar para 27
vjetësh, për të cilat nuk ka sjellë asnjë provë në mbështetje të këtij pretendimi.
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
15.2. Pretendimi i kërkuesit për cenimin e së drejtës së mbrojtjes efektive është i
pabazuar, pasi: (i) për vendimin nr. 112, datë 20.10.2023 të GJKKO-së së
Shkallës së Parë janë kryer të gjitha veprimet për t’ia vënë në dispozicion
kërkuesit, por ai ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë për të mos e marrë atë, duke
refuzuar kështu njohjen me vendimin; (ii) në seancën gjyqësore të datës
24.10.2023 vendimi u është vënë në dispozicion mbrojtësve të kërkuesit, duke
qenë se ata gëzonin tagrat për të marrë në dorëzim akte për llogari të kërkuesit.
Mbrojtësve të kërkuesit u është lënë një kohë e mjaftueshme për t`u njohur me
aktet e dosjes për të realizuar mbrojtjen e tij, por ata zgjodhën të mbroheshin duke
kërkuar shtyrjen e seancës dhe nëpërmjet kërkesave të tjera procedurale; (iii)
GJKKO-ja e Shkallës së Parë ka vepruar në respektim të të drejtave të kërkuesit,
duke i caktuar atij edhe mbrojtës kryesisht.
15.3. Pretendimet për cenimin e standardit të arsyetimit të vendimit gjyqësor dhe të së
drejtës së aksesit janë të pabazuara, pasi gjykatat i kanë kushtuar vëmendjen e
duhur provave të paraqitura, analizës së tyre, bazës ligjore dhe kanë konkluduar
më pas në vendimmarrjet respektive. Pretendimet e kërkuesit kanë marrë përgjigje
të arsyetuar nga gjykatat dhe vendimi për caktimin e masës së sigurimit përmban
të gjitha elementet e përcaktuara në nenin 245 të KPP-së. Edhe vendimet e
GJKKO-së së Apelit dhe Gjykatës së Lartë i përmbajnë elementet për arsyetimin
e tyre dhe vendimet e kundërshtuara janë logjike, nuk kanë kundërthënie, si dhe
përmbajnë referenca në ligjin e zbatueshëm.
15.4. Edhe pretendimi për cenimin e lirisë personale, në kundërshtim me nenet 27 dhe
38 të Kushtetutës, është i pabazuar, pasi nga leximi i neneve 27 dhe 28 të
Kushtetutës konstatohet se bëhet fjalë për burgosje të individit ose heqje të lirisë
në kuptimin e kapjes së tij. Neni 73 i Kushtetutës nuk ka si qëllim mbrojtjen e çdo
lloj lirie, pasi kjo do të binte në kundërshtim me atributet e tjera për të cilat
prokurorisë i është lejuar të veprojë pa autorizim të Kuvendit. Autorizimi i
Kuvendit kërkohet vetëm në rast se kërkohet “Arresti në burg” ose “Arresti në
shtëpi” dhe jo për çdo lloj heqje lirie të mundshme të personit nën hetim. Termat
“në çfarëdo lloj forme” nuk nënkuptojnë “çfarëdo lloj lirie”. Në rastin e ish-
deputetit dhe ish-ministrit S.T., Prokuroria e Posaçme nuk ka kërkuar të njëjtat
masa sigurimi si në rastin e kërkuesit, por ka kërkuar autorizim për arrestimin e
tij, duke mos qenë para rasteve të njëjta. Masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë
shtetit” e vendosur ndaj kërkuesit nuk e ka kufizuar në lirinë e lëvizjes brenda
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
territorit, pjesëmarrjes në Kuvend apo komisione parlamentare, si dhe kryerjen e
të gjitha aktiviteteve të tij personale. Ky ndalim nuk është vendosur në atë masë
që të barazohet me heqjen e lirisë.
15.5. Pretendimet për kufizimin e lirisë personale dhe të lëvizjes për fakte të cilat ai
gëzon imunitet, sipas nenit 73, pika 1, i Kushtetutës janë të pabazuara, pasi
kërkuesi nuk është ngarkuar me përgjegjësi penale vetëm se ka miratuar ligje apo
akte nënligjore, por për faktin se sjellja e tij ka pasur si qëllim dhe motivim
realizimin e objektivave të kërkuar nga subjekti aktiv i mitës dhe jo në funksion
të ushtrimit të detyrës që i është besuar. Këto objektiva në një pikë përputhen edhe
me ato të dhëndrit të tij si trashëgimtar i familjes në favor të cilës është kthyer
prona, me qëllim shtënien në dorë të mitës, përfitimit të premtuar. Ai ka ushtruar
pushtetin e tij në mënyrë të paautorizuar, duke i dhënë formën që ka dëshiruar
ligjeve dhe akteve nënligjore për t`ia përshtatur interesave të familjes së tij.
16. Subjekti i interesuar, Kuvendi, ka sjellë përpara Gjykatës raportin e Këshillit për
Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të shumicës parlamentare, si dhe vendimin nr. 127, datë
21.12.2023 të Kuvendit për miratimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e
autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, por nuk ka
paraqitur prapësime me shkrim dhe qëndrim të tijin në lidhje me çështjen.
III
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese
A. Për legjitimimin e kërkuesit
17. Çështja e legjitimimit (locus standi) është një ndër aspektet kryesore që lidhet me
nisjen e një procesi kushtetues. Sipas neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pikat 1,
shkronja “i” dhe 2, të Kushtetutës, si dhe nenit 71 të ligjit nr. 8577/2000, çdo individ, person
fizik ose juridik, subjekt i së drejtës private dhe publike, mund të vërë në lëvizje Gjykatën
për gjykimin përfundimtar të ankesave kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi
gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë. Ankimi
kushtetues individual, në çdo rast, duhet të plotësojë kriteret kumulative të nenit 71/a të ligjit
nr. 8577/2000, që lidhen me shterimin e mjeteve juridike efektive, afatin e paraqitjes së
kërkesës, pasojat negative të pësuara në mënyrë të drejtpërdrejtë e reale, si edhe mundësinë për
rivendosjen e së drejtës së shkelur.
18. Gjykata vëren, fillimisht, se kërkuesi ka kundërshtuar në objektin e kërkesës
vendimet gjyqësore që kanë caktuar ndaj tij masat e sigurimit personal. Ndërkohë, në
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
përmbajtje të ankimit kushtetues kërkuesi ka sjellë argumente që lidhen me cenimin e parimeve
të paanshmërisë dhe pavarësisë, duke ngritur si shkak papajtueshmërinë me Kushtetutën të
neneve 48 – 51 të ligjit nr. 95/2016 dhe duke pretenduar, në thelb, se për shkak të përmbajtjes
së tyre atij i është cenuar e drejta për t’u gjykuar nga një gjykatë e paanshme dhe e pavarur. Në
këtë kuptim, duke pasur parasysh se objekti dhe shkaqet e kërkesës, me të cilat ngrihet çështja
e kushtetutshmërisë, përbëjnë thelbin (thema decidendum) e gjykimit kushtetues (shih
vendimin nr. 22, datë 11.04.2016 të Gjykatës Kushtetuese) dhe se sipas nenit 48, pika 1, të ligjit
nr. 8577/2000 “kufijtë e shqyrtimit të çështjes janë brenda objektit të kërkesës dhe shkaqeve të
parashtruara në të”, Gjykata, në vijim, duke e konsideruar si një kërkim të mëvetshëm
verifikimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të përmbajtjes së dispozitave ligjore të ligjit nr.
95/20161, vlerëson të ndalet në verifikimin e kritereve të legjitimimit të kërkuesit në drejtim të
secilit prej kërkimeve të kërkesës në shqyrtim.
19. Gjykata, bazuar në parashikimet e nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, si
dhe neneve 49, pika 3, shkronja “e” dhe 71, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000, që parashikojnë se
objekt i ankimit kushtetues individual mund të jetë edhe ligji ose akti normativ, ka vlerësuar se
kërkuesi legjitimohet nëse plotësohen bashkërisht këto kritere: i) individi provon se është bartës
i së drejtës kushtetuese të pretenduar të cenuar, si dhe provon interesin në lidhje me çështjen,
pra cenimin e drejtpërdrejtë dhe real të së drejtës kushtetuese (legjitimimi ratione personae);
ii) janë shteruar mjetet juridike efektive për mbrojtjen e së drejtës kushtetuese të pretenduar të
cenuar ose individi provon se akti i kundërshtuar është drejtpërdrejt i zbatueshëm; iii) ankimi
është paraqitur brenda afatit 4-mujor nga konstatimi i cenimit (legjitimimi ratione temporis);
iv) individi provon se pretendimet e ngritura janë të tilla që bëjnë pjesë në juridiksionin
kushtetues, pra të drejtat dhe liritë themelore, që pretendohen se janë cenuar, janë të garantuara
në Kushtetutë, si dhe shqyrtimi kushtetues i çështjes mund të rivendosë të drejtën kushtetuese
të shkelur (legjitimimi ratione materiae) (shih vendimet nr. 38, datë 12.07.2023; nr. 4, datë
21.02.2022; nr. 31, datë 04.10.2021 të Gjykatës Kushtetuese).
20. Kërkuesi legjitimohet ratione personae, në kuptim të shkronjës “f” të pikës 1 të
nenit 131 dhe shkronjës “i” të pikës 1 të nenit 134 të Kushtetutës, për kundërshtimin e
vendimeve gjyqësore që kanë caktuar masat e sigurimit personal ndaj tij, pasi ka qenë palë në
1Gjyqtarët Holta Zaçaj, Sonila Bejtja dhe Genti Ibrahimi vlerësuan që parashtrimet e kërkuesit lidhur me efektin
e këtyre dispozitave të trajtoheshin si argumente në funksion të kërkimit për konstatimin e cenimit të parimeve të
pavarësisë dhe paanësisë së gjyqtarit të GJKKO-së së Shkallës së Parë, në funksion të testit objektiv të paanësisë
të gjyqtarit, dhe jo si kërkim me vete.
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
çështjen objekt të ankimit kushtetues individual, për rrjedhojë ka interes të drejtpërdrejtë për
vënien në lëvizje të këtij gjykimi kushtetues.
21. Në lidhje me kërkimin e kërkuesit për cenimin e parimeve të paanshmërisë dhe
pavarësisë, për shkak të parashikimeve të ligjit nr. 95/2016, Gjykata vëren se ligji nr. 95/2016
ka si objekt të tij, ndër të tjera, përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e
Prokurorisë së Posaçme, e cila është organi që ka vënë në lëvizje këtë proces penal ndaj
kërkuesit, sikundër edhe të Njësisë së Posaçme Hetimore, organe kushtetuese këto sipas pikës
4 të nenit 148 të Kushtetutës; përcaktimin e kushteve dhe kritereve shtesë të sigurisë që duhet
të përmbushin gjyqtarët, ndër të tjera, edhe për t’u ngritur në detyrë si gjyqtarë pranë gjykatave
të posaçme; përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e procesit të kontrollit
të figurës, vëzhgimit të të dhënave financiare dhe të telekomunikacioneve, ndër të tjerë, edhe
të gjyqtarëve të gjykatave të posaçme dhe të anëtarëve të afërt të familjeve të tyre (neni 1).
Sipas nenit 6, pika 1, të ligjit, ndër të tjerë, kandidati për gjyqtar në gjykatat e posaçme kundër
korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të plotësojë kushtet e sigurisë përpara se të caktohet
në këtë pozicion dhe asnjë kandidat nuk mund të caktohet në detyrë pa plotësuar këto kushte.
Sipas shkronjave “a” dhe “b” të së njëjtës dispozitë të ligjit (nenit 6, pika 1), kushtet e sigurisë
para caktimit në detyrë janë: a) kontrolli i verifikimit të pasurisë dhe të figurës; b) dhënia e
pëlqimit nga kandidati për kontrollin periodik të llogarive të tij bankare dhe të
telekomunikimeve vetjake, për të cilën ai plotëson dhe nënshkruan një deklaratë standarde me
shkrim; c) dhënia e pëlqimit nga anëtarët e afërt të familjes së kandidatit për kontrollin periodik
të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, për të cilën ata plotësojnë dhe
nënshkruajnë një deklaratë standarde me shkrim. Ndërkohë, rregullat për organizimin dhe
funksionimin e procesit të kontrollit të kushteve të sigurisë për besimin dhe konfidencialitetin
edhe për kandidatin për gjyqtar të gjykatave të posaçme, janë parashikuar në kreun III të të
njëjtit ligj, përkatësisht nenet 48 – 54, ku përfshihen edhe dispozitat e kundërshtuara nga
kërkuesi (nenet 48 – 51). Në këto dispozita përcaktohet mënyra e heqjes dorë nga të drejtat si
kusht për caktimin në detyrë edhe të gjyqtarëve të gjykatave të posaçme, vëzhgimit periodik të
llogarive financiare dhe telekomunikimeve, organi dhe personi përgjegjës për mbikëqyrjen, si
dhe roli i prokurorit të posaçëm në kuadër të këtij procesi kontrolli periodik edhe i gjyqtarëve
të gjykatave të posaçme.
22. Gjykata vëren se për sa kohë që dispozitat e kundërshtuara nga kërkuesi janë të
zbatueshme edhe ndaj gjyqtares që ka caktuar masat e sigurimit personal ndaj tij mbi bazën e
kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, dhe për sa kohë që kërkuesi ka vënë në dyshim parimet e
pavarësisë dhe paanshmërisë së asaj gjyqtareje, për shkak të rolit të prokurorëve të Prokurorisë
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
së Posaçme në procesin e kontrollit periodik të gjyqtarëve të gjykatave të posaçme, sipas
dispozitave të kundërshtuara, ky pretendim lidhet me garantimin e së drejtës kushtetuese për
një proces të drejtë, ndaj konsiderohet se kërkuesi ka justifikuar interesin e tij për të kërkuar
shfuqizimin e dispozitave të ligjit nr. 95/2016.
23. Për sa i përket kriterit të shterimit të mjeteve juridike efektive, Gjykata ka pohuar
se, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, mbrojtja kushtetuese ka
funksion përfundimtar dhe, si e tillë, mund të zbatohet në lidhje me vendime për të cilat kanë
përfunduar procedurat gjyqësore. Cenimi i të drejtave themelore mund të pretendohet në këtë
Gjykatë vetëm pasi të shterohen të gjitha mundësitë e ofruara nga sistemi i apelimeve dhe kjo
vlen edhe në rastet kur procedurat gjyqësore paraprake çojnë në një rëndim të mëtejshëm ose
në tejzgjatjen e cenimit të kësaj të drejte (shih vendimet nr. 18, datë 19.03.2024; nr. 25, datë
13.10.2022; nr. 14, datë 11.03.2021 të Gjykatës Kushtetuese).
24. Gjykata vëren se ajo është vënë në lëvizje për kontrollin e pajtueshmërisë me
Kushtetutën të vendimeve gjyqësore që kanë caktuar ndaj kërkuesit masat e sigurimit personal
“Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Për
shkak të natyrës së ndërmjetme, jo përfundimtare, të këtyre vendimeve, për sa kohë që ato janë
dhënë në kuadër të një procedimi penal që është ende duke u zhvilluar, Gjykata do të analizojë
në vijim nëse përjashtimisht ato mund të konsiderohen përfundimtare për ushtrimin e kontrollit
kushtetues ndaj tyre.
25. Në këtë kuptim, në jurisprudencën kushtetuese janë evidentuar disa kritere që duhet
të plotësojë një vendim i ndërmjetëm në mënyrë që të konsiderohet përfundimtar, në kuptim të
nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës. Konkretisht, Gjykata ka përcaktuar se ai: (i)
duhet të ketë vendosur një kufizim mbi të drejtën e individit të pretenduar të cenuar, pra që
shkelja e pretenduar të jetë pasojë e drejtpërdrejtë e vendimit të ndërmjetëm të kundërshtuar,
që do të thotë se kërkuesi duhet të provojë se është viktimë e shkeljes të së drejtës kushtetuese;
(ii) duhet të jetë bërë objekt i ankimit të veçantë dhe të jetë shqyrtuar edhe nga gjykatat më të
larta, të cilat të jenë shprehur, qoftë edhe tërthorazi, për të drejtën që pretendohet të jetë cenuar;
(iii) duhet të ketë një masë autonomie nga procesi i themelit, në kuptimin që pavarësisht se
shqyrtimi gjyqësor i mosmarrëveshjes së themelit vazhdon, vendimi përfundimtar që do të jepet
në themel nuk është i aftë të ndryshojë vendimin e ndërmjetëm, në kuptimin që të riparojë në
masën e duhur efektet që ai ka sjellë. Kjo do të thotë se cenimi është në atë masë dhe formë që
pasojat e ardhura është e vështirë ose e pamundur të riparohen gjatë procesit të themelit (shih
vendimet nr. 22, datë 04.04.2024; nr. 18, datë 19.03.2024; nr. 14, datë 11.03.2021 të Gjykatës
Kushtetuese).
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
26. Në rastin në shqyrtim ankimi kushtetues individual i kërkuesit në pjesën që
kundërshton kushtetutshmërinë e vendimeve gjyqësore është mbështetur në dy pretendime
kryesore: i pari, për cenimin e lirisë personale dhe asaj të lëvizjes, për shkak se prokuroria dhe
gjykatat kanë vepruar në kundërshtim me përcaktimet e nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, në
kushtet kur kërkuesi është deputet i Kuvendit, për rrjedhojë çdo kufizim i këtyre lirive duhet të
bëhet me autorizim të Kuvendit, por edhe cenimin e së drejtës për t’u zgjedhur si rezultat i
vendosjes ndaj tij të masave të sigurimit në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit, të
lidhur edhe me statusin e tij si deputet dhe drejtues i partisë më të madhe opozitare; i dyti, për
cenimin e së drejtës për proces të rregullt në drejtim të parimit të paanshmërisë në gjykim, së
drejtës për mbrojtje efektive, si edhe standardit të arsyetimit të vendimit gjyqësor dhe së drejtës
së aksesit.
27. Gjykata, duke pasur parasysh qasjen e saj në drejtim të rasteve përjashtimore për
kontrollin e vendimeve që vendosin masa me karakter të ndërmjetëm, ka pohuar se ajo i trajton
pretendimet e parashtruara në ankimin kushtetues në drejtim të të drejtave substanciale. Ndërsa
pretendimet që kanë të bëjnë me të drejtën për proces të rregullt trajtohen si aspekte procedurale
të së drejtës substanciale të pretenduar të cenuar. Në këtë kuptim, Gjykata ndalet në aspekte të
veçanta të së drejtës për proces të rregullt ligjor, për sa ato mund të ndikojnë drejtpërdrejt në të
drejtën substanciale në vetvete (shih vendimet nr. 29, datë 16.04.2024; nr. 18, datë 19.03.2024
të Gjykatës Kushtetuese).
28. Duke iu referuar pretendimeve të kërkuesit, si dhe duke pasur parasysh natyrën e të
drejtave që vihen në diskutim (shih paragrafin 21), ashtu edhe pasojat që pretendohet se kanë
ardhur mbi këto të drejta për shkak të caktimit të masave të sigurimit personal ndaj kërkuesit,
Gjykata konsideron se përmbushet kriteri i parë i lartpërmendur, pasi shkelja e pretenduar është
pasojë e drejtpërdrejtë e vendimit të ndërmjetëm të kundërshtuar. Vendimi që ka caktuar masat
e sigurimit është kundërshtuar në të gjitha shkallët e gjykatave të juridiksionit të zakonshëm,
prandaj edhe kriteri i dytë është përmbushur në rastin konkret. Gjithashtu, Gjykata konstaton
se gjatë procesit gjyqësor të themelit të çështjes, i cili ka të bëjë me fajësinë e kërkuesit, do të
ishte e pamundur që të rikuperohen këto të drejta kushtetuese të pretenduara të cenuara ose të
korrigjohen pasojat e ardhura nga vendimet e ndërmjetme në to, për rrjedhojë plotësohet edhe
kriteri i tretë. Në këtë kuptim, Gjykata vlerëson se kërkuesi nuk ka mjete të tjera juridike në
dispozicion në lidhje me pretendimet që lidhen me vendimet gjyqësore objekt i ankimit
kushtetues individual.
29. Gjithashtu, Gjykata konstaton se kërkuesi ka pretenduar se të drejtat dhe liritë e tij
janë cenuar për fakte të cilat mbrohen nga imuniteti absolut i deputetit, i parashikuar nga neni
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
73, pika 1, i Kushtetutës. Për rrjedhojë, sipas tij, ai nuk mund të ndiqet penalisht për veprimet
e kryera në ushtrim të kësaj detyre. Në lidhje me këtë pretendim të kërkuesit, Gjykata vëren se
sipas pikës 1 të nenit 73 të Kushtetutës “deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e
shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit”. Në këtë kuptim,
Gjykata, së pari, vlerëson se kjo dispozitë nuk është e zbatueshme në rastin konkret, për sa
kohë kërkuesi nuk rezulton të jetë ndjekur penalisht për mendimet ose votat e tij gjatë ushtrimit
të funksionit të deputetit, por për veprime të kryera gjatë kohës që ai ushtronte detyrën e
Kryeministrit, dhe, së dyti, ky pretendim i tij lidhet me çështjen e të provuarit nëse ai e ka kryer
ose jo veprën penale për të cilën akuzohet, e cila i nënshtrohet procesit të themelit. Për këtë
arsye, Gjykata vlerëson se në lidhje me këtë pretendim kërkuesi ka mjete të tjera juridike në
dispozicion, duke qenë se argumenti lidhet me fajësinë që është objekt i gjykimit të themelit
dhe nuk mund të merret në shqyrtim në këtë fazë. Për këtë arsye, Gjykata çmon se ky pretendim
i kërkuesit nuk mund të merret në shqyrtim.
30. Për sa i përket kriterit pretendimeve për cenimin e parimeve të paanshmërisë dhe
pavarësisë, të lidhur me përmbajtjen e dispozitave të ligjit nr. 95/2016, rezulton se kërkuesi
nuk e ka ngritur këtë pretendim, në formë dhe përmbajtje, përpara gjykatave të zakonshme. Ai
është paraqitur për herë të parë në ankimin kushtetues individual. Gjykata, duke pasur parasysh
natyrën e kontrollit që ushtrohet nga gjykatat e zakonshme dhe kompetencat e këtyre të fundit,
të cilat nuk mund të shprehen për antikushtetushmërinë e normave, si edhe qëndrimin e saj se
paraqitja e kërkesës për inicimin e kontrollit incidental të normës nuk përbën element të
domosdoshëm në këndvështrim të përmbushjes së kriterit të shterimit të mjeteve juridike
efektive (shih vendimin nr. 4, datë 21.02.2022 të Gjykatës Kushtetuese), vlerëson se paraqitja
e këtij pretendimi përpara gjykatave të zakonshme nuk rezulton se do të kishte perspektivë
suksesi për kërkuesin. Për rrjedhojë, lidhur me këtë pretendim, kërkuesi nuk ka pasur mjete të
tjera juridike efektive në dispozicion.
31. Nga ana tjetër, Gjykata vëren se kërkuesi ka pretenduar se, në caktimin e masave të
sigurimit ndaj tij, gjykatat i kanë cenuar të drejtat kushtetuese edhe në drejtimet e mëposhtme:
(i) sepse i kanë kufizuar të drejtat e tij kushtetuese (lirinë personale dhe të lëvizjes) për veprime
që nuk parashikohen nga ligji si vepër penale, për sa kohë ai është akuzuar për miratimin e
akteve normative me fuqi juridike në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jo për
akte individuale të cilat kanë për qëllim favorizimin e një personi apo një grupi të përcaktuar
personash; (ii) sepse kanë cenuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, teksa kanë
marrë kompetencat e Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të zakonshme për
vlerësimin e politikave socio – ekonomike të qeverisë, nevojën dhe dobinë e akteve ligjore dhe
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
nënligjore, ligjshmërinë e vendimeve të AKKP-së dhe kontratave civile midis personave
privatë. Për sa u përket këtyre pretendimeve, Gjykata vlerëson se ato, në thelb, kanë të bëjnë
me çështjen e të provuarit të fajësisë së kërkuesit dhe, si të tilla, mund të parashtrohen përpara
gjykatave penale gjatë gjykimit të themelit të çështjes penale, ku kërkuesi ka mundësinë që të
paraqesë çdo pretendim dhe provë si në lidhje me akuzën ashtu edhe me juridiksionin e
gjykatave. Në këtë kuptim, Gjykata vlerëson se edhe në lidhje me këto pretendime kërkuesi ka
mjete të tjera juridike në dispozicion, ndaj ato nuk mund të merren në shqyrtim.
32. Po kështu, duke pasur parasysh se në kuadër të verifikimeve për shterimin e mjeteve
juridike nga kërkuesi Gjykata vlerëson shterimin e mjeteve të ankimit në aspektin formal dhe
substancial, ajo vëren se në drejtim të së drejtës për proces të rregullt kërkuesi ka pretenduar
edhe cenimin e parimeve të paanshmërisë dhe pavarësisë së gjyqtares së GJKKO-së së Shkallës
së Parë që ka caktuar masat e sigurimit personal ndaj tij. Në drejtim të këtij pretendimi kërkuesi
ka parashtruar dy shkaqe: a) gjyqtarja I.Gj. është shkarkuar nga detyra në vitin 1996 nga ish-
KLD-ja, në kohën kur ky institucion kryesohej nga kërkuesi i cili e ushtronte këtë detyrë ex
officio në cilësinë e Presidentit të Republikës; b) dispozitat e ligjit nr. 95/2016 parashikojnë
vëzhgimin periodik nga BKH-ja të telekomunikimeve të gjyqtarëve të gjykatave të posaçme,
përfshirë edhe ato të familjarëve të tyre. Sipas kërkuesit, duke pasur parasysh se BKH-ja varet
nga Prokuroria e Posaçme, që është organi që ka kërkuar masat e sigurimit personal në rastin e
kërkuesit dhe që i mbron ato përpara gjykatave, gjyqtarët e gjykatave të posaçme nuk mund të
jenë të pavarur dhe të paanshëm.
33. Për sa i përket shkakut të parë, Gjykata vëren se gjatë gjykimit pranë GJKKO-së së
Shkallës së parë kërkuesi ka ngritur pretendimin për anshmërinë e gjyqtares, duke argumentuar
se ndaj saj është paraqitur një kallëzim penal prej tij dhe se vendimi i dhënë më parë prej saj,
ku janë vendosur masat e sigurimit personal, është antikushtetues, fakte këto që ngrenë
dyshimin se ajo gjyqtare është e njëanshme. Në vlerësimin e kësaj kërkese, një tjetër gjyqtare
e GJKKO-së së Shkallës së Parë, me vendimin nr. 430, datë 26.10.2023, ka vendosur
mospranimin e saj, si të pabazuar në ligj dhe në prova. Në këtë kuptim, nuk rezulton se shkaku
i paraqitur nga kërkuesi në këtë ankim kushtetues, pra shkarkimi i gjyqtares nga ish-KLD-ja,
të jetë ngritur përpara GJKKO-së së Shkallës së Parë. Duke mbajtur në konsideratë se kërkuesi
pretendon se kjo është një rrethanë e rëndësishme e njëanshmërisë së gjyqtares, Gjykata vëren
se është e paqartë/e pakuptueshme përse ai nuk e ka ngritur atë përpara gjykatave të
juridiksionit të zakonshëm dhe nuk u ka dhënë atyre mundësinë që të mbajnë një qëndrim të
shprehur, duke ritheksuar se shterimi i mjeteve, në thelb, synon t’u japë organeve publike dhe
në veçanti gjykatave të juridiksionit të zakonshëm mundësinë të parandalojnë ose korrigjojnë
Vendim i Gjykatës Kushtetuese
Kërkues: Sali Berisha
në substancë shkeljet e pretenduara të të drejtave kushtetuese të individit (shih vendimet nr. 18,
datë 19.03.2024; nr. 25, datë 13.10.2022 të Gjykatës Kushtetuese).
Vendimi i plote i Kushtetueses
Top Channel