Kundërshtoi provat e komunikimit me SKY ECC dhe EncroChat, Gjykata Kushtetuese merr vendimin për biznesmenin Pëllumb Gjoka

30/12/2024 15:14

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit Pëllumb Gjoka, i cili kërkoi pavlefshmërinë e provave nga komunikimet në “Sky ECC” dhe “EncroChat”, raporton Anila Hoxha.

Gjykata kushtetuese njoftoi se ka rrëzuar njëzëri kërkesën e shtetasit Pëllumb Gjoka, i cili duke ngritur pretendime mbi masën e arrestit, shtroi pikëpyetje mbi vlefshmërinë e komunikimeve në aplikacionin SKY ECC.

Me këtë vendim gjyqtarët kushtetues në Shqipëri legjitimuan përfundimisht duke i konsideruar të përdorshme të dhënat e nxjerra nga ky aplikacion, në të cilin së bashku me aplikacionin tjetër deklarohet se mund të ketë patur deri në 10 mijë përdorues shqipfolës.

Pëllumb Gjoka e vuri në lëvizje gjykatën kushtetuese  me kërkesën për të shfuqizuar katër vendime të gjykatave që e lanë nën arrest me burg, pas prangosjes verën e 2023 për vepra të rënda mbasi investitori strategjik dyshohet se komunikonte në aplikacionin sky duke porositur edhe ngjarje.

Gjykata Kushtetuese bëri public vetëm dispozitivin ndërsa tha se brenda afateve do ta shpallë të arsyetuar vendimmarrjen.

Aktualisht dosja Metamorfoza ku gjendet i akuzuar edhe Gjoka ka kaluar në seancë gjykimi dhe në këtë fashikull ka personazhe të botës së krimit, por edhe ish-funksionarë si ish-drejtori i forcave operacionale, Oltion Bistri, si edhe ish-prokurori, Xhevahir Lita.

Por dosja Metamorfoza nuk është e vetmja ku hetimet për gjetjen e provës kanë marrë shkas nga sky dhe EnchroChat.

Janë edhe tetë çështje të tjera, midis tyre Metamorfoza dy, dosja e ish deputetit Jurgis Cyrbja, dosja Toyota Auris dhe të kumbarëve të kokainës të cilët komunikojnë në këto aplikacione duke lënë porosi apo duke paguar ngarkesa.

Bazuar në të dhënat e përcjella nga autoritetet francize grupe të tjera janë ende nën hetim për çështje që nisin nga korrupsioni deri tek organizatat kriminale.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Sot, më 30.12.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Pëllumb Gjoka dhe me objekt: “ Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krim in e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit.Shfuqizimi ishkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm.”.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenet 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi, njëzëri, rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA