Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon që depolitizimi i trupës zgjedhore në 11 maj të nisë nga diaspora duke mbajtur larg duart e partive politike nga procesi i numërimit te votave nga jashtë.
Projektvendimi i KQZ i cakton Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike vetëm rol vëzhguesi në tavolinat ku do të hapen zarfet që vijnë nga diaspora, ndërkohë që numërimi i votave nga jashtë i lihet ne dorë njerëzve jo politik të cilët do të përzgjidhen nga KQZ por sekretari për çështje zgjedhore i PD Ivi Kaso ishte kundër.
Ivi Kaso, Përfaqësues i PD: Në asnjë gërmë nuk i jepet leje kreative KQZ-së që të shpikë një proces të ri, teksa Kodi Zgjedhor ka rregulla për të gjithë procesin. Nuk jeni të autorizuar të shpikni procedurë krejt të re, ndryshe nga ajo e shqiptarëve që votojnë brenda vendit. Të jetë e njëjtë si brenda vendit.
Ilirjana Nano, Kryetare e Komisionit Rregullator: PS e PD t’i kishin sjellë mendimet me shkrim. Janë pyetur në 12 nëntor.
Ndryshe nga demokratët, socialistët ia besuan plotësisht procesin e numërimit të votave të diasporës administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke mbështetur idenë e Celibashit që politika të ketë mundësinë të ndjeke nga afër gjithë procesin si vëzhgues.
Përfaqësuesja ligjore e PS Elena Xhina kërkoi vetëm specifikim të termave në draft.
Elena Xhina, Përfaqësuese e PS: Ka kapërcim të termave, sepse shikoj përshembull përdorimin e termave anëtarë vëzhgues, por po flasim për pjesë në parim.
Mungesa e dakordsisë bëri që mbledhja e Komisionit Rregullator të mbyllej pa vendimmarrje dhe për vendndodhjen se ku do të numërohen votat e diasporës.
Top Channel