Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet për tre mjekë për neglizhencë mjekësore të një pacienti.
Nga hetimi i ngjarjes ka rezultuar se më datë 03.02.2022, salla operative është njoftuar se në spitalin e Patosit është dërguar pa shenja jete shtetasi A.Sh.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se, i ndjeri kishte shkuar në spitalin Patosit në orët e para të mëngjesit dhe më pas është dërguar me ambulancë në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier dhe më pas është kthyer në Patos ku është ulur në një lokal dhe ka ndërruar jetë.
Është marrë informacion për mjekët e turnit që ndodheshin në zyrën e mjekëve dhe nëse shtetasi A.Sh është paraqitur në orët e para të mëngjesit i shoqëruar nga ambulanca e Patosit me dhimbje gjoksi.
Për këtë fakt, mjekët kanë mohuar dijeninë në lidhje me rastin dhe faktin që i ndjeri të jetë paraqitur në turnin e tyre.
Në funksion të këtij hetimi, krahas veprime hetimore që lidhen me natyrën e kësaj ngjarje, është administruar edhe akti i ekspertimit mjekoligjor, ku është arritur në përfundimin se nga ana e personelit mjekësor që ka trajtuar rastin gjenden elementë të neglizhencës mjekësore që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në ardhjen e pasojës.
Sipas njoftimit zyrtar, ekziston dyshimi i arsyeshëm që mjekët kanë neglizhuar në trajtimin e duhur të rastit, duke sjellë si pasojë vdekjen e të ndjerit.
Mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Gjykata me vendimin nr. 62-2024-6773 datë 21.12.2024 vendosi caktimin e masës së sigurimit:
1. Caktimi i masës së sigurimit me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimit publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale ndaj shtetasit B.Dh, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor” parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.
2. Caktimi i masës së sigurimit me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimit publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale ndaj shtetases I.Ç, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhenca në trajtimin mjekesor” parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.
3. Caktimi i masës së sigurimit me karakter shtrëngues “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale ndaj shtetasit K.J, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor” parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal
Në datë 25.12.2024 oficerët e policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Fier kanë ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier datë 23.12.2024, dalë në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, nr. 62-2024-6773 date 21.12.2024.
Top Channel