Irani arreston një gazetare italiane, Ministria e Mbrojtjes: E pa pranueshme!

27/12/2024 18:44

Një gazetare italiane është arrestuar në Iran për më shumë se një javë, tha Ministria e Jashtme e Italisë.

Cecilia Sala punon për gazetën Il Foglio dhe për kompaninë mediatike që bën podcaste, Chora Media.

Ministria e Jashtme tha se po ndiqte rastin e zonjës Sala me vëmendjen maksimale që kur ajo u arrestua nga policia e Teheranit më 19 dhjetor. Nuk kishte asnjë konfirmim të menjëhershëm të arrestimit nga zyrtarët iranianë.

Chora Media tha në një deklaratë të veçantë se zonja Sala po mbahej në izolim në burgun Evin në Teheran dhe se nuk ishte dhënë asnjë arsye për ndalimin e saj.

Ministria e Jashtme e Italisë zbuloi se ambasadorja e Romës në Teheran, Paola Amadei, e  kishte vizituar atë për të kontrolluar kushtet e paraburgimit, duke shtuar se i ishin lejuar të bënte dy telefonata me familjen e saj. Ajo shtoi se Italia po punon me autoritetet iraniane për të sqaruar situatën ligjore të gazetares.

Ministri italian i Mbrojtjes, Giudo Crosetto tha se arrestimi i saj ishte i papranueshëm në një postim në mediat sociale, duke shtuar se Italia po kryen veprime politike dhe diplomatike për të siguruar lirimin e saj.

Sipas Chora Media, zonja Sala u largua nga Roma për në Iran më 12 dhjetor me një vizë të vlefshme gazetari dhe kishte kryer disa intervista. Aty shtohej se ajo do të kthehej në Romë më 20 dhjetor, por telefoni i saj “heshti” pas 19 dhjetorit.

Në ditët para arrestimit të saj, zonja Sala kishte qenë aktive në mediat sociale, duke postuar në lidhje me subjektet e saj të intervistës dhe foto të përgjithshme rreth Teheranit.

Punëdhënësi tjetër i gazetares, Il Foglio, ka kërkuar lirimin e saj. “Gazetaria nuk është krim. Cecilia ka shkuar në Iran, me një vizë të rregullt, për të raportuar për një vend që ajo njeh dhe e do, një vend në të cilin informacioni po mbytet nga represioni”, tha gazeta në një deklaratë në faqen e saj.!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA