“Në Kuadër të Dashurisë”, ishte filmi i parë i prodhuar nga Top Media, realizimi i parë i Top Channel Films.
Ky projekt bëri bashkë disa nga aktorët më profesionistë dhe personazhet më në zë të momentit dhe arriti që të korrë një sukses të jashtëzakonshëm.
Ndjekësit pritën me brohorima kastin e aktorëve të cilët ishin aty për të takuar fansat e tyre nga afër dhe për të bërë fotografi me ta apo për të dhënë autografe. Projekti i suksesshëm me kastin e aktorëve profesionistë, personazheve publike më në zë të momentit dhe një staf i madh që punuan së bashku arritën që të përcjellin tek publiku emocione, humor dhe shumë energji. Por mbi të gjitha, ashtu siç thoshte dhe regjisori Koloreto Cukali, njerëzit të dalin nga salla e kinemasë me shumë më shumë se vetëm kaq.
Që kur u paralajmërua se ky film ishte në proces xhirimi, vëmendja ka qenë e menjëhershme. “Në Kuadër të Dashurisë” mori të gjithë dashurinë e audiencës së gjerë të çdo moshe. Kjo për shkak të kastit të mrekullueshëm të aktorëve, por dhe për përmbajtjen e tij.
Historia e një çifti të martuar prej 10 vitesh (Olta Gixhari dhe Luiz Ejlli), të cilët vendosin t’i japin fund lidhjes së tyre pa kuptuar pasojat e kësaj ndarjeje për familjet e tyre. Vendimi për t’u ndarë do t’i bëjë ata të njohin kufijtë e njëri-tjetrit dhe të dashurve të tyre në situata plot humor dhe dashuri. Sepse kur dashuria është ende aty, asgjë nuk është e pamundur.
“Në Kuadër të Dashurisë” theu çdo rekord shikueshmërie, shitje biletash, impakt tek publiku dhe solli padyshim një frymë të re dhe inovatore në kinematografinë e sotme shqiptare. Tani një lajm i mirë vjen për të gjithë ju dashamirësit e filmit. Sot, më 25 Dhjetor, “Në Kuadër të Dashurisë”, vjen në kanalin zyrtar të Top Channel në YouTube, në orën 21:00!
Top Channel