Nëse i referohemi subjekteve private në aktivitet, sasia e mbetjeve që edhe ato vetë përpunojnë është shumë më e madhe se shifra zyrtare prej rreth 48 mijë tonësh në vit.
Mendohet se sasia reale është disa qindra mijëra tonë në vit, një sasi që nuk dihet se ku shkon. Në të shkuarën, Fiks Fare në Top Channel ka denoncuar disa herë emetimin e këtyre mbetjeve industriale nëpër lumenj. Ato kthehen në rrezik të drejtpërdrejtë për popullatën e gjerë.
Ky diskurs mbështetet dhe nga profesori Ferruni që tregon dhe për mbetjet e pa menaxhuara që janë trashëguar që nga periudha e komunizmit. Një problematikë që nuk ka gjetur zgjidhje përfundimtare sot e kësaj dite.
“Kemi mbetje të trashëguar, madje mund të them se ka dhe male mbetjesh nga minierat. Fabrikat që kanë qenë për pasurimin e fabrikave, mineraleve dhe kështu me radhë të akumuluara prej vitesh. Ndoshta, diku llogariten rreth 15 milionë ton, që janë masive të mbetjeve të tilla që nuk mund t’i quash të gjitha të rrezikshme, por ndër to ka dhe prej atyre të rrezikshme. Kryesisht në lumin e Matit ka mbetje të rrezikshme në pjesën e poshtme, këto më pas kalojnë dhe në det në Adriatik dhe krijojnë një situatë jo të pëlqyeshme dhe të dëmshme në impaktin që ka në shëndetin e njeriut” u shpreh Lavdosh Feruni, ambientalist.
Për të kuptuar situatën dhe për të mësuar mbi gjurmueshmërinë, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Doganës Shqiptare për flukset e mbetjeve industriale. Pas një pritje të gjatë që tejkaloi çdo afat ligjor, Dogana ktheu një përgjigje që nuk jepte asnjë informacion, duke cituar legjislacionet në fuqi.
“Mbledhja e përpunimi i statistikave, apo produkte të ndryshme që i nënshtrohen kufizimeve të importit dhe eksportit, bie nën sferën e veprimtarisë së institucioneve të ndryshme të vendit. Për sa më sipër, bazuar në Kodin Doganor 102/2014, në pikat e kalimit doganor organizohet kontrolli i mallrave, dhe i mjeteve të transportit, që hyjnë/dalin nga zonat doganore, për të verifikuar nëse lloji dhe sasia e mallrave të transportuara janë në përputhje me dokumentet shoqëruese”
Por, nga ajo që zbulohet në një raport të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Doganën Shqiptare, kuptohet se aty kanë filtruar sasi që nuk janë deklaruar. Në radhë të parë, kjo përbën evazion, dhe më tej, referuar temës sonë, kjo zbulon se materialet e rrezikshme nuk dihet ku shkojnë.
Nuk administrohen gjate shqyrtimit te praktikave doganore IMP 4 me deklarim doganor 4051 te natyrës mbetje ose firo gjate procesit te prodhimit destinacioni i këtyre mbetjeve pra janë trajtuar si produkte me natyre tregtare për rishitje malli apo janë depozituar ne stacione LANDFILLI te miratuar sipas Ligjit te Integruar te Mbetjeve ne RSH si dhe nuk disponohej ne raport kontroll karta teknologjike e procesit te përpunimit.
Pjesa më e madhe të mbetjeve të rrezikshme në vendin tonë sipas instancave përkatëse e zënë kodi i mbetjeve spitalore të cilat trajtohen në autokllave apo incenerator specifikë për mbetjet spitalore.
Vajrat e makinave të cilat riciklohen në vendin tonë, mbetjet nga industritë të cilat mund të përdoren si lëndë e parë në një kompani tjetër. Pra, këto mbetje përbëjnë kryesisht sasinë prej rreth 48 mijë tonë mbetjesh të deklaruara në vit.
Pjesa tjetër që përbën një listë me plot 418 mbetje të rrezikshme, në pjesën dërrmuese nuk dihet ku shkojnë siç zbulohet në analizimin e të dhënave zyrtare.
Top Channel