Pas rreth tre orësh kreu i PD, Sali Berisha ka njoftuar mbylljen e protestës së kësaj të hëne.
Ai u shpreh se protestat do të vazhdojnë deri në rrëzimin e qeverisë, ndërsa u shpreh se do të përgatiten për tubimin e radhës.
Berisha: Të godasësh një deputet me projekt, me plan, ai që ka goditur, ka marrë skemë direkt nga Edi Rama dhe Gaz Bardhin që e urren se po i dërgon në burg bashkë me Edin vetë. Edhe sot ishte në një ditë triumfi, ishte një ditë të cilën ne u dëshmuam të pamposhtur. E kaluam me sukses të plotë, të përgatitemi vitin që vjen ne nuk ndalemi gjer në largimin e kësaj qeverie dhe krijimin e qeverisë teknike, është mision i shenjtë, mision sublim, suprem dhe ne vijojmë këtë betejë gjer në fitore të zgjedhjeve në Shqipëri. S’ka asnjë të pamundur që s’e kthejmë në mundësi, të përgatitemi për betejën tjetër.
Pesë akset kryesore të Tiranës u bllokuan për rreth tre orë, pas tubimit të organizuar nga opozita.
Kjo shkaktoi irritim nga qytetarët të cilët po udhëtonin në këto akse. Policia tentoi disa herë të lironte rrugët, por pa sukses.
Tensionet dhe përplasjet më të mëdha ishin në sheshin Wilson dhe Pallatin dhe Shigjeta.
Gjatë përplasjes me policinë, deputeti Agron Gjekmarkaj ra në tokë pa ndjenja, ndërsa akuzon blutë se e shtynë ata.
Ai aktualisht ndodhet tek Trauma, ku po merr ndihmën e duhur mjekësore.
Edhe deputetët Erisa Xhixho dhe Flamur Noka u përplasën me policinë gjatë tubimit.
Ndryshe nga protestat e tjera, nuk pati hedhje të gazit lotsjellës apo boteve me ujë, në tubimin e kësaj të hëne.
Kreu i PD, Sali Berisha, i cili e nisi protestën nga Rruga e Elbasanit dhe marshoi drejt akseve të tjera ku ndodheshin protestues tha se mosbindja civile vijon, ndërsa qytetarët duhet të bëhen gati për protestën e ardhshme.
Top Channel