Studentët e UET me ‘mision’ studimor në BBV/ Uendi Biba tregon eksperiencën në Top Channel që u finalizua me punim diplome

21/12/2024 10:33

Edicioni i katërt i Big Brother Vip Albania, spektakli më i ndjekur i shqiptarëve, starton këtë të shtunë më 21 dhjetor.

Ashtu si vitin e kaluar, produksioni është i hapur për studentët e Universitetit Europian të Tiranës, të interesuar për të marrë pjesë në rolin e vëzhguesit studimor. Tema e këtij viti fokusohet tek sociologjia e spektaklit “reality” dhe imazhit publik. Pjesëmarrja në “Big Brother Vip Albania” do iu mundësojë studimin e shoqërisë së spektaklit, duke prekur nga afër shumë elementë të panjohur nga ekrani.

“Kjo eksperiencë më bëri të kuptoj jo vetëm shkëlqimin dhe glamurin që i transmetohet audiencës, por edhe aftësinë e njerëzve të televizionit për të krijuar një narrativë që perceptohet si autentike, duke shitur situata si reale dhe të sinqerta.”

Vëzhgimi nga afër i disa edicioneve të Big Brother Vip Albania e ndihmoi Uendi Bibën të përmbyllte ciklin e studimeve master shkencor në Universitetin Europian të Tiranës.
Studentja e Shkencave të Komunikimit në profilin Marrëdhënie me Publikun, realizoi në fund të ciklit studimor një punim shkencor voluminoz, të munguar në mjedisin akademik shqiptar, ku analizon ndikimin e spektaklit BBV3 në formësimin e mënyrave të komunikimit në shoqërinë shqiptare.

Nën udhëheqjen e prof. asoc dr. Belina Budini, Uendi zhvilloi një studim të thelluar duke përdorur qasje metodologjike të shumanshme për të vërtetuar tezën se ky spektakël ka një ndikim thelbësor në modelet e komunikimit, perceptimet sociale, vlerat kulturore dhe se shfaqja ka tendencën të diktojë stile të ngjashme komunikimi.

Përtej studimit të analizave dhe teorive të autorëve më në zë për këtë fenomen ndërkombëtar, Uendi sjell mendimin dhe vlerësimin e ekspertëve të komunikimit në Shqipëri, të psikologëve, si dhe hyn më në brendësi të ambientit ku “prodhohet” ky format. Përmes zërit të autores së BBV3 dhe gazetarëve që bëjnë mbulimin mediatik të shfaqjes, ajo sjell perceptimin dhe vlerësimin e atyre që përcjellin këto modele të reja sociale.

“Gjatë një interviste, autorja e “Big Brother” u shpreh se personazhet janë realë dhe programi amplifikon vetëm tiparet karakteriale të tyre, të cilat manifestohen për shkak të dinamikave dhe presionit brenda lojës. Megjithatë, analiza ime tregoi se, për shkak të natyrës së spektaklit dhe presionit për performancë, konkurrentët shpesh i trajtojnë situatat në funksion të lojës dhe famës”, shprehet Uendi.

Ndër të tjera, ajo bën një vëzhgim të imtësishëm të portaleve dhe mediave sociale, duke analizuar qëndrimet, komunikimin, reagimet që shkaktojnë personazhet dhe sjelljet e tyre për publikun e gjerë, por edhe te personazhe të njohura publike. Dëshirën e saj për të studiuar median, eksperiencën, përshtypjet dhe gjetjet, Uendi i ndan me ne në këtë intervistë.

Studentët e UET me ‘mision’ studimor në BBV/ Uendi Biba

Kur të lindi ideja për ta kthyer këtë eksperiencë në një punim diplome, apo hyre që në fillim me synimin për ta studiuar dhe për ta konkluduar me një tezë?

Ideja për të kthyer këtë eksperiencë në një punim diplome ka lindur natyrshëm nga pasioni im i kahershëm për mënyrën se si media ndikon tek ne si qenie humane. Qëllimi im ka qenë gjithmonë të kontribuoj në hapësirën shqiptare me një studim konkret, koherent dhe me vlerë reale për diskutimin publik. Fenomeni i “Big Brother”, i cili çdo vit mbizotëron vëmendjen e audiencës shqiptare për muaj të tërë, ishte një pikënisje interesante për ta analizuar në një kontekst më të thellë. Gjatë procesit të kërkimit, kuptova që në këtë fushë ekzistonte një mungesë e theksuar e studimeve të mirëstrukturuara, dhe kjo më motivoi edhe më shumë për ta trajtuar këtë temë si një tezë diplome që synon të nxisë reflektim dhe debat në mënyrë të informuar.

Sipas teje, ku ndryshon të qenit një publik nga ekrani dhe një publik në sallë? A përjetohen ngjarjet më ndryshe dhe a kuptohen më mire kur je aty sesa nga shtëpia?

Kam pasur privilegjin të jem prezente në tre edicione të Big Brother VIP dhe, pa dyshim, kjo ka qenë një eksperiencë nga e cila kam mësuar shumë. Ka një diferencë të theksuar mes të qenit një publik nga ekrani dhe të qenit prezent në sallë. Kur je në shtëpi, perceptimi është më autentik, pasi polarizohesh emocionalisht me situatat e krijuara dhe lidhesh më shumë me banorët si personazhe. Ndërkohë, në sallë, dinamika është krejt tjetër. Ti bëhesh pjesë aktive e spektaklit, duartroket dhe shpesh ndjek indikacionet e dhëna nga produksioni për të krijuar atmosferën e duhur.

Nga ekrani, çdo detaj perceptohet ashtu siç e ka planifikuar dhe orkestruar produksioni, çdo moment është i kuruar dhe i “kopsitur” deri në perfeksion. Ndërsa në skenë, ke mundësinë të përjetosh realitetin pa filtra. Takohesh me ish-banorët, dëgjon historitë e tyre dhe zbulon prapaskenat që nuk shfaqen në ekran. Kjo të ofron një perspektivë të re, duke të bërë ta shohësh çdo gjë në një mënyrë më të thellë dhe ndryshe nga ajo që transmetohet në shtëpi.

Studentët e UET me ‘mision’ studimor në BBV/ Uendi Biba

A të bëri kjo eksperiencë të kuptosh diçka më shumë për televizionin, për botën e spektaklit, mënyrën sesi funksionon BB, për njerëzit e televizionit dhe punën që bëhet aty?

Kjo eksperiencë më ofroi një perspektivë më të thellë dhe gjithëpërfshirëse mbi televizionin, botën e spektaklit dhe mënyrën sesi funksionon një format si “Big Brother.” Më bëri të kuptoj jo vetëm shkëlqimin dhe glamurin që i transmetohet audiencës, por edhe aftësinë e njerëzve të televizionit për të krijuar një narrativë që perceptohet si autentike, duke shitur situata si reale dhe të sinqerta.
Gjatë një interviste, autorja e “Big Brother” u shpreh se personazhet janë realë dhe programi amplifikon vetëm tiparet karakteriale të tyre, të cilat manifestohen për shkak të dinamikave dhe presionit brenda lojës. Megjithatë, analiza ime tregoi se, për shkak të natyrës së spektaklit dhe presionit për performancë, konkurrentët shpesh i trajtojnë situatat në funksion të lojës dhe famës. Nuk mendoj se gjithçka është e skenuar, por besoj se një pjesë e konsiderueshme e ngjarjeve ndikohet nga këto faktorë.
Në punimin tim kam mbetur objektive, duke u bazuar në të dhënat dhe gjetjet e mbledhura me kujdes gjatë kërkimit. Megjithatë, përfundimet e analizës përkojnë edhe me mendimin tim personal, duke krijuar kështu një qasje të balancuar që kombinon objektivitetin akademik me një vlerësim kritik të fenomenit.

Si do ta cilësoje këtë eksperiencë: zbavitëse, të lodhshme, angazhuese? Çfarë përfitimesh more prej saj?

Do ta cilësoja këtë eksperiencë si angazhuese, zbavitëse dhe jashtëzakonisht stimuluese. Ajo më ka dhënë mundësinë të analizoj më në thellësi përmbajtjen që konsumojmë çdo ditë dhe mënyrën se si ajo formëson perceptimet tona. Përmes këtij procesi, kam kuptuar jo vetëm se si funksionojnë formatet televizive si “Big Brother,” por edhe fuqinë që kanë mediat për të ndikuar në mënyrën se si e shohim realitetin.

Nga ana tjetër, më bëri të reflektoj mbi balancën midis argëtimit dhe vetëdijes kritike. Programe të tilla janë ndërtuar për të tërhequr vëmendjen dhe për të krijuar një ndjenjë kurioziteti tek audienca, por njëkohësisht është e rëndësishme të ruajmë një distancë kritike dhe të reflektojmë mbi efektin që këto programe kanë në shijet, mendimet dhe sjelljet tona. Përfitimi më i madh nga kjo eksperiencë ka qenë aftësia për ta parë median jo vetëm si një burim argëtimi, por edhe si një mekanizëm kompleks që ndikon kulturën dhe ndërgjegjen kolektive.

Studentët e UET me ‘mision’ studimor në BBV/ Uendi Biba

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA